E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita e Verës, një rit arbëresh

12/03/2005  Data 14 Mars quhet “Dita e Verës” në Shqiperi, sepse në këtë ditë bimësia zgjohet nga gjumi dimëror. Në këtë ditë bimësia fillon të thithë lëngjet nga toka dhe kështu të rritet. Ky zakon i lashtë është i vetëm në botë dhe, ndonëse qendra e festimit të tij është qyteti Skampa (Elbasani), ai iu përket të gjithë arbëreshëve (arbërësve-arbanasve). Tani kjo është festë kombëtare dhe dita 14 Mars është ditë pushimi. Shenjat e festimit të këtij zakoni arbëresh janë:

1) Marrja datën 13 ose 14 Mars të një tufe të vogël bari të njomë bashkë me rrenjët dhe dheun, me qëllim që të gjendet mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi.

2) Gatimi i ballokumeve që gatuhen një ose dy ditë përpara datës 14 Mars, me qëllim që mëngjesi i datës 14 Mars t’i gjejë ballokumet në shtëpi.

Gatimi i ballokumeve

Masa: 1 kg sheqer, 0.5 kg tëlyn (gjalp), 8 kokrra vezë, 1 kg miell misri i situr, një dorë miell gruri, 1 filxhan kafeje qumësht; një enë e madhe bakri e pakallajisur ose përndryshe prej qelqi.

Gatimi: Tretet të lyni dhe lihet të fundërrojnë kripërat e tij. Pastaj të lyni i vakët dhe pa kripërat e rëna në fund rrihet me sheqerin deri sa të bëhet një masë e bardhë. E mira është që rrahja e masës të bëhet me dorë, sepse përfundimi i përzierjes ndjehet kur të duket se prek fije me dorën që po përzien masën e krijuar. Ndërkohë vezët janë përzier me qumështin më parë dhe shtohen dalëngadalë te sheqeri i rrahur, duke vazhduar përzierjen e këtij të fundit.

Pastaj hidhet mielli dalëngadalë duke vazhduar perzjerjen me dorë. Mielli i grurit hidhet nga fundi. Duhet patur kujdes me hedhjen e miellit, sepse mielli i tepërt i bën të forta ballakumet pas pjekjes. Prandaj, pasi është harxhuar sasia e paracaktuar e miellit, brumi lihet 15-20 minuta në qetësi pavarësisht se ai mund të duket i qullët. Kjo kohë mjafton që grimcat e miellit të thithin lagështirën e brumit të qullët. Nëse shihet se brumi ka mbetur përsëri si i qullët, atëherë atij mund t'i shtohet edhe një dorë miell. Kështu me këtë brume ballokumet nuk do të shtrihen gjate atë pjekjes.

Pjekja: Tepsiat lyhen me pak tëlyn dhe spërkaten me pak miell. Pastaj, nga brumi tashmë i gatuar, formohen me dorë gurabiet me madhësi jo të vogël dhe vendosen mbi tepsi të larguara nga njëra tjetra. Paraprakisht furra është nxehur në 170oC. Futet tepsia në furrë dhe lihet aty rreth 40 minuta derisa ballokumet të formojnë pak kore (jo të skuqen). Nxirret pastaj tepsia nga furra dhe lihet të ftohet, me qëllim që ballakumet të shkëputen lehtësisht nga ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›