E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Pajisjet do të vijnë pasnesër, dy autoambulancat së shpejti”

12/03/2005  Nano përuron në Shijak, spitalin-kazermë të pakompletuar

SHIJAK - Kryeministri Fatos Nano ka përuruar dje, në Durrës, spitalin e rikonstruktuar të Shijakut.

Megjithëse spitali do të duhet edhe për disa kohë që të nisë nga funksionimi për shkaqe objektive, konkretisht për mungesë të kompletimit me pajisjet spitalore, Nano së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Leonard Solis, kanë prerë shiritin, ndërsa bluzat e bardha pas kësaj ceremonie janë detyruar të largohen për në banesat e tyre. Spitali do të vazhdojë të jetë i kyçur deri në mbërritjen e pajisjeve dhe aparaturave, ndërkohë që dje spitali dhe mjediset e brendshme u vizituan vetëm nga Nano dhe një numër shumë i kufizuar i bluzave të bardha së bashku me deputetë që shoqëronin Kyreministrin.

Sipas deklarimeve nga ministri Solis, për funksionimin e plotë të spitalit është llogaritur një fond në shumën 4 milionë lekë dhe që do të shpenzohen për blerjen e pajisjeve së bashku me aparaturat më të domosdoshme.

“Pajisjet do të vinë pasnesër”, ka deklaruar kryeministri Fatos Nano. Nga ana tjetër, Nano tha se edhe dy autoambulancat e reja të programuara për spitalin e Shijakut dhe të premtuara që me nisjen e investimit, do të vinë së shpejti.

Nisur nga mungesat e theksuara për shërbimin shëndetësor në bashkinë e Shijakut, si dhe rrethina, një pjesë e kazermave të Divizionit të Ushtrisë i kanë kaluar në administrim pushtetit vendor, i cili, pas futjes në inventar të godinave, ka marrë nga buxheti i shtetit 17.8 milionë lekë për ta tjetërsuar në mjedis spitalor.

Spitali i ri i Shijakut do të ketë 40 shtretër, repartin e pranimit e urgjencës, maternitetin, pediatrinë dhe patologjinë.

Në këtë spital, mësohet se do të punojnë 4 mjekë të specializuar si dhe 40 bluza të bardha së bashku me personelin ndihmës.

Ish-mjediset e Divizionit, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë së Mesme, ndërtuar në Shijak, i kanë kaluar në administrim bashkisë, e cila, pasi ka shfytëzuar një pjesë të tyre, pret që për shërbime ndaj komunitetit vendës të tjerësojë edhe mjediset e tjera, që aktualisht janë të boshatisura.

Ili Hasi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›