E Hënë, 2 Nëntor 2026

Leonard Bombaj “Krip mjaltëz” si fëmijë

12/03/2005  Në televizionin publik shqiptar, çdo të premte në mbrëmje, një shoë për fëmijë është kthyer në laboratorin artistik të Leonard Bombajt. Duke u nisur nga grada më e lartë, vetë producent, regjisor, skenarist dhe aktor, Bombaj hyn në zgrip të aventurës duke përforcuar mendimin se asgjë “s’paskam ndryshuar nga vetja”

Për një artist gjithnjë në tentavë nuk ka peshore që të masë “çmendurinë”. Leonard Bombaj me rikthimin e tij nuk ka ndërruar asnjë fije nga shfrenimi artistik i viteve ’90. Në televizionin publik shqiptar, çdo të premte në mbrëmje, një shoë për fëmijë është kthyer në laboratorin artistik të Bombajt. Duke u nisur nga grada më e lartë, vetë producent, regjisor, skenarist dhe aktor, Bombaj hyn në zgrip të aventurës duke përforcuar mendimin se asgjë “s’paskam ndryshuar nga vetja”.

“Por një gjë që më pëlqen është kjo që dua gjithmonë të gërvish në ekran me alternativa të reja, dhe formate të reja dhe sigurisht informacione të reja, nëse kjo është çmenduri, i çmendur është dhe publiku që më ndjek mbrapa”, hokatar i pandreqshëm regjisori.

Është një projekt afat shkurtër për 12 javë por që synon të instalohet për një kohë shumë të gjatë. Siglën e ka “vjedhur” nga profesori i tij Pëllumb Kulla, si shenjë mirënjohje për këtë krijimtari të mrekullueshme për fëmijë.

Por “Krip mjaltëza” megjithëse është gjetja e humoristit Kulla, për Bombajn është një goditje në shenjë për të sjellë hyjninë e humorit të fëmijëve. Në eksperimentin e tyre në ekran, regjisori kërkon të ndezë ca adrenalinën e ndjesive shqiptare, për t’i bërë më entuziastë, dhe optimistë...”sigurisht që futa tek fëmijët këtë lloj mekanizimi, ku kanë humorin dhe aventurën që vërtetë përbëjnë hyjninë e të ardhmes. Kështu që ata janë fëmijë që ëndërroj t’i shndërroj në adoleshencë”.

Tani për tani projekti nuk është gjë tjetër përveçse një lloj xhungle artistike, që i ka të gjitha llojet e eksplorimeve. Fëmijët aty tentojnë të bëjnë filma të fshehur, tentojnë të instalojnë një telenovelë të ardhshme, kanë edhe biseda të lira jashtë aktrimit dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse këmbejnë ëndrrat e tyre me njëri-tjetrin.

Pas Kanadasë, shkollës së të rinjve, zemra iu rikthehet në spektaklet televizive, tani për fëmijë. Pse?

Nuk është vetëm rikthim në TVSH, por në një farë mënyre dhe një ofertë që është bërë nga bord i projekteve. Mbi të gjitha ishte një buxhet, që më nxiti shumë për projektin tim, për fëmijët. Kështu që, për mua mund të isha në çdo televizion, por meqë TVSH e menaxhoi, e kapi shumë mirë këtë projekt, sigurisht përfundova shumë shpejt aty. Është një projekt afat shkurtër për 12 javë, me synimin për t’u instaluar për një kohë shumë të gjatë. Ky televizion meqë ka një shtrirje shumë të gjerë gjeografike, mund të jetë dhe një nga institucionet që mund ta suportojë shumë mirë këtë projekt, për dy ose tre vjet. Kështu që, ata janë fëmijët të cilët ëndërroj t’i shndërroj në adoleshentë.

Çfarë përmbajtje ka projekti?

Tani për tani projekti nuk është gjë tjetër përveçse një lloj xhungle artistike, që i ka të gjitha llojet e eksplorimeve d.m.th fëmijët aty tentojnë të bëjnë filma të fshehur, tentojnë të instalojnë një telenovelë të ardhshme, kanë edhe biseda të lira jashtë aktrimit, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse këmbejnë ëndrrat e tyre me njëri-tjetrin. Ky emision ka dhe shumë informacion kulturor, ku materialet letrare deri më 95% janë të përkthyera dhe të adoptuara nga materielet e shkollave private, rreth projekteve amerikane dhe kanadeze.

Qëndron akoma në fuqi ajo çmenduria e viteve ’90, në fantazi artistike, në përpjekjet për të qenë ndryshe, a për të rënë në sy?

Nuk e di, se cila është peshorja që mat çmendurinë e një artisti. Nëse aventura e një njeriu të vetëm, që e shëndrron veten nga një regjisor, skenarist, aktor edhe në producent quhet çmenduri sigurisht që s’paskam ndryshuar nga vetja ime. Por, një gjë që më pëlqen është kjo; dua gjithmonë të gërvish në ekran me alternativa, formate dhe informacione të reja. Nëse kjo është çmenduri, i çmendur është dhe publiku që më ndjek mbrapa.

Adaptim me fëmijët, për t’ju futur në gjak, dellin e aktorit. Si të duket vetja duke u marrë me fëmijët?

Kam përshtypjen se të gjithë artistët, të cilët janë shumë të dedikuar mbas veprave të tyre ose mbas karrierës, sigurisht një pasuri shumë e madhe shpirtërore është dhe fëmijëria, ose kujtesa e tyre. Asnjëherë në jetën time as sot, as dikur dhe as nuk besoj në të ardhmen, do të mund të kem ndonjëherë problem në marrëdhënie me fëmijët. Më duket një punë shumë e rehatshme me to.

Ata janë shumë të përkushtuar dhe shumë të çiltër. Dhe në moshën fëminore, të gjithë fëmijët, në të gjithë botën janë njësoj. Pastaj kur rriten pashaporta bën punën e saj.

“Krip mjaltëza”, një test hyjnor i humorit, e kujt ishte idea?

Të them të drejtën është një atribut, një lloj mirënjohje gjetjes së mrekullueshme që ka bërë humoristi Pëllumb Kulla, të cilën “Krip mjaltëzën” e quan hyjnia e humorit. Kështu që duke ditur se shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për entuziasëm për optimiziëm sigurisht që futa tek fëmijët këtë lloj mekanizmi, ku kanë humorin dhe aventurën, që vërtetë përbëjnë hyjni të së ardhmes.

Një bashkëpunim ky me Kullën?

Që kur kam qenë student i tij, Pëllumbi më dëgjonte, më merrte ndonjëherë diçka të vogël, shkurt është një vjedhje miqësore që i bëjmë njëri-tjetrit, në mirëkuptim. Para pak ditësh fola me Pëllumbin duke e lajmëruar se ia kisha vjedhur fjalën dhe ai m’u përgjigj se; “e kam çvirgjëruar në letërsi kurse ti vazhdoje në ekran”.

Para se të hynit në këtë projekt televiziv keni përgatitur të rinjë, si kontigjent për televizionet a kinemanë. A është ky program, aplikim i tabanit të kësaj përvoje?

Ajo që kam shtruar si dysheme është një gjë tjetër; kuptova se këtu në Shqipëri mundësia për të bërë vepra është shumë e vogël. Është si një rubinet në mes të shkretëtirës, ku rrjedh jo curril uji, po pika një herë në gjashtë orë. Kështu që atëhere e kuptova se të pres rradhën për të mbushur kovën time, mendova se më mirë të gjej vetë ndonjë curril tjetër uji. Ndaj kjo shkollë, dhe ky aktivitet nuk është gjë tjetër veçse një instalim që i bëj oazit personal.

Harrohesh një hop, dhe prap nuk i ndahesh televizionit, çfarë të bën kaq këmbëngulës në këtë lidhje?

Perderisa të gjitha investimet financiare derdhen shumë më lehtë në televizion, se sa në kinema, sigurisht që artistët do t’i mblidhen televizionit. Kështu që, në një farë mënyre nuk po mundohem të shtrydh klientët e mi, që janë prindërit e fëmijëve, por në bashkëpunim me interesat e sponsorëve dhe shumë institucioneve të tjera po realizojnë veprën tonë. Televizioni t’i krijon këto lloj mundësirash tani, sidomos kur në këtë periudhë bumi i TV-ve është shumë më i madh se sa i kinemave. Ndërkohë nuk jam partizan i kësaj, do të ëndërroja që kinemaja të ishte e para.

Kjo do të thotë se do t’i riktheheni edhe kinemasë, keni projekte?

Kam dy projekte dhe këta fëmijë s’janë gjë tjetër veçse janë kontigjenti i ardhshëm i filmave për fëmijë. Por unë po e filloj me televizionin. Ndërkohë kam dhe një projekt: “Fat me 3 milion kushërinj” që ka protagonist fëmijët, por u drejtohet dhe të rriturëve. Madje do të thoja që ky projekt që po bëj tani “Kripë mjaltëza” nuk është për fëmijë por dhe të rriturve. Sipas statistikave që kemi bërë me specialistë synojmë 80 përqind të publikut . Kam dëgjuar se teleshikuesit po rriten shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›