E Hënë, 2 Nëntor 2026

Graham Grin

12/03/2005  Trille filmike nga letërsia

Novela e Grinit hapet me fjalinë: "Tregimi s`ka fillim apo fund, njeriu zgjedh në mënyrë arbitrare atë moment të përvojës nga do të shikojë, pas ose përpara "Momentin e takimit me Henri Majlls në park, në një natë vere me shi, e zgjedh narratori, Moris Bendriks (shkrimtare në vetë novelën) si pikën 0 të sistemit koordinativ të rrëfimit të tij: rrëfimit mbi urrejtjen e dashurinë, siç e thekson vetë. Në momentin kur rrëfimi niset prej pikës 0 kah çdo ngjarje / emocion i së tashmes qëndron në lidhje kontrapunktale me të kaluarën : na hapën kujtimet e Morisit në lidhje me aferën (dashurinë) me Sarën (cilën e njoftoi vetë se donte të dijë, sesi mendon gruaja e një funksionari shtetëror siç ishte Henri Majlls, modeli i personazhit kryesor në novelën që e shkruante ).Të gjithë ato kujtime janë të ngjyrosura me ndjenja të forta dhimbjeje, dashurie dhe urrejtjeje. Afera e tyre, ironikisht, zhvillohet dhe i përjeton momentet më të bukura gjatë bombardimit të Londrës (Lufta e II Botërore). Aq më tepër, sinjali i sirenave të alarmit për çiftin ishte sinjali i qetësimit shpirtëror, që hapej në horizont. "Mos ishte një paqe e rreme, si dhe një luftë e rreme?"- përkujtohet Bendriksi në një moment në novelë.Vetë fakti që nuk ekziston narracion klasik nga aspekti i strukturës kohore, i mundësoi Graham Grinit (por edhe Nill Xhordanit në adaptimin e filmit), që të përdorë teknika narrative të ndryshme të na japë informatat kruciale mbi ngjarjen apo personazhet. Këto informata ne gjithmonë i marrim nga një kënd i ngushtë i percepcionit dhe varësisht nga këndi i kujt prezantohen interpretimet e ngjarjeve, detajet e reja na shpalosën duke na fokusuar herë në një element, herë në tjetrin dhe kështu i japin çdo veprimi / emocioni multidimensionalitetin e vetë. Fabula e novelës mbështetet në premtimin e Sarës Zotit ("atij që nuk i besonte fare") ta kthejë në jetë Bendriksin, të cilin një natë, gjatë bombardimit e zë dera dhe xhamat e mëdhenj dhe i cili nuk jepte shenja jete… Bendriksin, i cili nuk kujtohet se ishte një kohë të gjatë i zënë dhe se nuk jepte shenja jete… Ai i cili vdiq u kthye në jetë dhe Bendriksi, i cili e gjen Sarën në pozitë të lutjes, i cili mllefoset se ajo lutet derisa ai po qëndronte atje pa ndihmë…Ajo nga habia çohet, e përqafon dhe ikë. Cili ishte premtimi i Sarës, le të mbesë sekret për lexuesit e ardhshëm të veprës, por ky moment i jep veprës peshën e vet, nga i cili burojnë tensionet e ndryshme obsesive dashurie, meditimet religjioze dhe kuazi-religjioze: momenti i cili e shtyen Bendriksin të pohojë më vonë në vepër "Të urrej o Zot, sikurse të ekzistoje" . Shumë nga novelat e GrahamGrinit janë filmuar: kujtojmë "Njeriu i tretë" i Orson Velsit, si dhe "Amerikani i qetë" me Majkll Kejn-in si aktor kryesor, që u promovua një vit më parë dhe ishte pretendent për Oskar. Kështu "Fundi i aferë” u vu në film nga Nill Xhordan, i njohur me filmin `Boksieri" me Daniel-Dej Luis. Regjisori Nill Xhordan bën kombinacionin e shumë episodeve të novelës në një skenë, duke dashur në mënyrë të rrufeshme t’ia transponojë të gjitha elementet e rëndësishme të ngjarjes, shikuesit. Në minutat e para të filmit kuptojmë se Sara e Bendriksi u dashuruan (pasi këmbyen disa fjali ). Nill Xhordan i bën qasje minimalistike në kuptim që fragmenton momentet që në novelë përbëjnë pasuri të madhe stilistiko-semantike në skena të zhveshura nga pasionet dhe emocionet që Grin u jep me refleksionet e veta .Filmi mund të justifikohet nëse niset nga premisa se të gjithë që e shikojnë e kanë lexuar novelën!Kështu theksin pa nevojë ia kushton skenave të seksit (që marrin periudha të gjata kohore në film) duke u nisur, supozoj, nga fakti se trupi nudo i Xhulian Mur-it (Sarës) do të zëvendësojë profilizimin më të nuancuara të personazheve, që mungon në film. Adaptimi është bërë duke huazuar disa pasazhe nga libri dhe duke i rivendosur në kontekste të reja, zakonisht të ngushta skenore.A është fundi i aferës ("afera" për narratorin është pasion i epsheve, që ka fillim dhe përfundim) edhe fundi i vetë dashurisë? A mund të ekzistojë dashuria edhe kur njeri ndërron jetë? Kur shndërrohet dashuria në urrejtje? Këto janë disa nga pyetjet që mundojnë personazhet në vepër, si dhe pyetjet në lidhje me religjionin, spiritualitetin e tjera.Novelën e Grinit ia rekomandoj gjithë dashamirësve të librit, kurse filmin nuk kanë nevojë ta shikojnë, se është shumë i zbehtë në krahasim me novelën

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›