E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Çabejt, Topi: Vepra e tij mbetet aktuale

Tiranë- Mjeshtër i madh i gjuhës që la pas një vepër që mbetet aktuale. Kështu është shprehur presidenti i Republikës, Bamir Topi në fjalën e tij në Konferencën Shkencore në nderim të 100-vjetorit (1908-2008), të Prof. Eqerem Cabej.

Presidenti duke bashkuar dy ngjarjet madhore në fushën e gjuhësisë, sikurse është 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, si dhe 100-vjetori i Prof. Eqerem Cabej, vlerësoi kontributin, që lidh zhvillimin e ecurisë së gjuhës shqipe, si tregues i kulturës së popullit shqiptar, pa të cilën një komb nuk mund të ekzistojë.

“Vepra e tij mbetet aktuale, kur forca regresive bëjnë përpjekje për të shtrembëruar historinë e kombit shqiptar, duke minimizuar përpjekjet e popullit tonë për liri e drejtësi shoqërore, për mbrojtje të trojeve të veta, të kulturës dhe të gjuhës së tij të krijuar prej shekujsh. Mbetet aktuale në ditët e sotme kur nëpër libra, revista e gazeta po qarkullojnë shkrime gjithëfarësh për origjinën e gjuhës shqipe, që mbështeten në teza joshkencore, dhe nuk marrin parasysh themelet e gjuhësisë krahasimtare, të vendosura para më tepër se një shekull e gjysmë zhvillimi të pandërprerë, dhe të mbrojtura me argumente serioze shkencore nga ky dijetar”- tha Topi në fjalën e tij.

Ai ka theksuar se Çabej është aktual sot, kur standardi i shqipes ka nevojë të zhvillohet më tej, të pasurohet e të zhdërvjellësohet, duke u afruar gjithnjë e më tepër me gjuhën e gjallë, prej së cilës është krijuar dhe të ndjekë rrymat e sotme integruese, duke mos e humbur identitetin e vet, që e ka ruajtur shekuj me radhë.

Konferenca zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, ku marrin pjesë akademikë të albanologjisë shqiptare ngaShqipëria, Kosova, Maqedonia, etj dhe është organizuar nën kujdesin e presidentit të Republikës, Bamir Topi. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, vlerësoi kontributin e prof. Çabejt.

Konferenca do të vijojë punimet përgjatë gjithë ditës së sotme, ku do të referohen kumtesa nga albanologët dhe akademikët shqiptarë. 

Eqrem Çabej, një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare, lindi më 6 gusht të vitit 1908 në Gjirokastër. Shkollën fillore e kreu në vitin 1921 në vendlindje dhe vazhdoi studimet e larta për Filologji në Austri, fillimisht në Klagenfurt (1923-1926), Grac (1927) dhe Vjenë (1930), ndërsa më pas, u specializuar në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Me rëndësi të madhe janë dhe studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Prof. Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të "Fjalori i gjuhës shqipe", botuar në Tiranë më 1980.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›