E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e inaugurimit të terminalit të Petroliferës, ndotet deti në VlorëNga Bledar LumaniHedhja e disa tonëve naftë ka shkaktuar një katastrofë të vërtet

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dita e inaugurimit të terminalit të Petroliferës, ndotet deti në VlorëNga Bledar Lumani

Hedhja e disa tonëve naftë ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë mjedisore në plazhin e pyllit të Sodës në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të ditës të djeshme, ndërkohë që policia bëri të ditur arrestimin e tre personave, të cilët akuzohen si përgjegjësit për ndotjen me naftë të plazhit të qytetit bregdetar. Ndotja ka ndodhur pikërisht ditën e inaugurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve nga Petrolifera, një projekt shumë i rrezikshëm për ndotjen e detit në Vlorë, ku merrte pjesë edhe kryeministri Berisha. Ky i fundit është përpjekur që ta zbusë ngjarjen, duke deklaruar se historia e ndotjes së detit është e stisur nga opozita, njësoj si humbja e orës së presidentit amerikan, George Bush. Një ngjarje e tillë ndodhi edhe pak ditë më parë, kur Liqeni Artificial në kryeqytet u ndot nga persona të paidentifikuar. Por, ndërkohë që kryeministri Berisha ndotjet dhe shkatërrimet e shumta që po i ndodhin mjedisit në vendin tonë i konsideron si të stisura nga opozita, duhet t’u japë llogari atyre që e kanë votuar se përse ka lejuar ndërtimin e fabrikave të çimentove dhe gëlqeres ngado në Shqipëri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.

Katastrofa

Në ditën kur në qytetin e Vlorës është inauguruar terminali i depozitimit të karburanteve nga Petrolifera, një projekt aq shumë i kundërshtuar nga ana e qytetarëve të Vlorës, ndoshta edhe si shenjë e rrezikshmërisë së këtij projekti, një pjesë e detit të Vlorës është gdhirë e ndotur. Disa persona kanë hedhur në plazhin e pyllit të Sodës disa tonë naftë, çka ka bërë që plazhi në këtë zonë të ndotet plotësisht, duke u bërë shkas kështu për një katastrofë të vërtetë mjedisore. “Në mëngjes, rreth orës 08.00, policia e qarkut Vlorë ka marrë njoftim se te hidrovori, te pylli i Sodës, është derdhur një sasi e konsiderueshme mbetjesh nafte. Si pasojë e derdhjes në mënyrë të paligjshme të kësaj nafte, është ndotur Kanali i Motorit (poshtë hidrovorit), si dhe ndotja ka marrë përhapje në det”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp Policia e Shtetit. Denoncimi për ndotjen është bërë nga banorët e qytetit pranë Plazhit të Vjetër, të cilët kanë ndjerë erën shumë të rëndë që vinte nga deti. Ata i janë drejtuar policisë, pasi kanë konstatuar në ujërat e detit gjurmë nafte. Menjëherë pas kësaj, oficerët e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Pas hetimeve, rezultoi që nafta është hedhur në mënyrë të qëllimshme në det nga ana e firmës “Arkand Xhunior sh. p. k.”, me administrator Genis Mëhilli. Kjo e fundit, sipas policisë, ka marrë mbetje nafte nga anija “Guildo” dhe i ka shkarkuar në mënyrë të paligjshme në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Pas kësaj, forcat e policisë kryen arrestimin e administratorit të firmës, si dhe dy shoferë autobotesh, ndërsa bllokoi 4 autobote, të cilat kanë kryer derdhjen e hidrokarbureve (naftë e vaj) të anijes “Guildo”. “Sapo është vënë në dijeni, policia e Vlorës ka marrë masat, duke bërë të mundur të identifikohen e shoqërohen autorët e kësaj ngjarjeje. Nga hetimet paraprake mësohet se këtë ndotje e ka shkaktuar firma “Arkand Xhunior sh. p. k.”, me administrator shtetasin Genis Bardhyl Mëhilli, vjeç 39, banues në Vlorë, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë. Gjithashtu, janë shoqëruar shoferët e autoboteve, Florian Çeçi dhe Mikel Gjini”, - bëri të ditur Policia e Shtetit. Sipas kësaj të fundit, nga hetimet paraprake mendohet se të dyshuarit kanë derdhur mbetje nafte në mënyrë të qëllimshme për të shkaktuar një dëm mjedisor. Tashmë ata do të procedohen penalisht për “Ndotje të ujërave”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim.

Reagimi i Berishës

I ndodhur në inaugurimin e terminalit të depozitimit të karburanteve nga Petrolifera, kryeministri, Sali Berisha, faktin e ndotjes së një pjese të mirë të detit në Vlorë e ka cilësuar si një lajm të stisur nga ana e opozitës, ashtu si dhe lajmi për humbjen e orës së presidentit amerikan, George Bush, gjatë vizitës së tij në vendin tonë. “Para se te vija këtu, mora vesh se krijuan sërish historinë e orës së presidentit Bush. Pak më tej kanë hedhur ca naftë për të prishur syrin e keq, por ne do t’ua lëmë atyre këto truke dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë vepra si kjo. Le t’u lëmë atyre histori të tilla të turpshme, le t’ia lëmë ato atyre që i stisin. Ndërsa ne i ofrojmë qytetit të Vlorës portin energjitik më modern të Mesdheut dhe një port të standardeve më të larta, të sigurisë dhe të pastërtisë më të madhe”, - deklaroi kryeministri Berisha në lidhje me ndotjen e plazhit të pyllit të Sodës. Ceremonia e inaugurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve nga Petrolifera është zhvilluar pikërisht në zonën e ndotur në pyllin e Sodës, por që për kryeministrin tonë, edhe pse ndotja ka qenë e dukshme, e tillë që mund të quhet një katastrofë mjedisore, ka qenë diçka e parëndësishme. Edhe pse projekti i Petroliferës është kundërshtuar me forcë nga ana e qytetarëve të Vlorës, por edhe shoqëria civile dhe ambientalistë, duke parë rrezikshmërinë e tij për ndotjen e detit, Berisha e ka cilësuar atë si një projekt që do ta shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi energjitike.

“Vlora pa portin e saj energjitik është vetëm një qytet i kohërave të shkuara, ndërsa Vlora me portin e saj energjitik përmbush të gjitha detyrimet e mëdha që ka, jo vetëm ndaj qarkut të saj apo jugut të Shqipërisë, por edhe ndaj gjithë Shqipërisë dhe Ballkanit. Sot, qyteti bëhet me terminalin më të ri dhe më modern të Mesdheut, me një port të standardeve më të lata. Në strategjinë e qeverisë time për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjitike rajonale, ky është një diamant i vërtetë”, - tha Berisha.

Shkatërrimi i mjedisit

Vetëm pak kohë më parë qeveria e kryeministrit Berisha dhe licencën për ngritjen e disa fabrikave të çimentos në Fushë-Krujë dhe Krujë. Këto dy projekte do të realizohen nga kompania greke “Antea Cement” dhe nga kompania spanjolle “Cementos Aguila”. Për ndërtimin e këtyre fabrikave pritet që të priten qindra hektarë pyje, të ketë një çlirim të pluhurave të fabrikave, të papara ndonjëherë, çka pritet të sjellë një ndotje të pamasë të ambientit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve të kësaj zone. Sipas specialistëve, në Shqipëri po ndërtohen 5 deri 10 herë më shumë kapacitete të prodhimit të çimentos se sa ka nevojë vendi, teksa sipas standardeve mjedisore nga një fabrikë çimentoje te tjetra distanca duhet të jetë qindra kilometra. Si pasojë e ndërtimit të këtyre fabrikave, do të ketë ndikime negative në cilësinë e ajrit si rezultat i procesit të prodhimit të çimentos, si dhe nga pluhuri apo si rezultat i çlirimeve të gazeve atmosferike nga procesi i prodhimit. Qeveria aktuale gjatë këtyre katër viteve është përpjekur dhe po përpiqet që ta kthejë Shqipërinë në një vend ku po ndërtohen fabrika çimentosh, gëlqereje, përpunim nafte etj., çka ka pasur dhe mund të ketë një impakt në ndotjen dhe shkatërrimin e ndjeshëm të mjedisit në vend. Dhe kjo, kur Shqipëria të ardhurat kryesore i ka nga turizmi, që në vend të stimulohej nga ana e qeverisë së Berishës, me projektet e fundit ka marrë një goditje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›