E Diel, 1 Nëntor 2026

UT nis procedurat për legalizim të diplomave

Rektorati i Universitetit të Tiranës thekson se procedura për njohjen e diplomave të lëshuara nga fakultetet që varen nga ky rektorat zgjasin deri në 12 ditë për diplomat shqiptare dhe 30 ditë për diplomat e universiteteve të huaja. 

TIRANE- Universiteti i Tiranës ka shpallur të gjitha procedurat për njohjen e diplomave për të sapodiplomuarit në kryeqytet, por edhe ata jashtë vendit. Rektorati ka nxjerrë një udhëzim që shpjegon të gjitha hapat që do të ndiqen për të legjitimuar 4 vitet e studimeve në arsimin e lartë. Legalizimi i dokumenteve për të dyja diplomat kryhet pranë UT-së, ndërsa kriteret e pranimit janë të ndryshme. Procedurat zgjasin nga 12 ditë për të diplomuarit në Tiranë dhe kushtojnë 400 lekë, ndërsa për ata që kanë përfunduar studimet jashtë vendit ato zgjasin plot 1 muaj, ndërsa tarifa e legalizimit kushton 30 euro.

Ekuivalentimi i diplomave sipas udhëzimit të Universitetit të Tiranës, do të bëhet vetëm për disa fakultete. Në listë përfshihen fakultetet që janë nën varësi të këtij rektorati, si Fakulteti Ekonomik, Juridik, Histori-Filologji, Gjuhë e Huaja, Shkenca Sociale, Mjekësi, Infermieri dhe Shkencat e Natyrës. Ndërkaq, në listën e dokumentacioneve të kërkuara për legalizim në dosje duhet të jenë: diploma e lëshuar nga fakulteti, lista e notave, programi mësimor, vërtetimi për mbrojtjen e gjuhës së huaj, si dhe diplomat e specializimeve së bashku me listën e notave, të cilat dorëzohen në Drejtorinë e Komunikimit në UT. Para depozitimit të dosjes duhet të kryhet një pagesë prej 400 lekësh të reja pranë Bankës 'Credins', në numrin e llogarisë të Universitetit të Tiranës (589007), për të vijuar procedurat

Të njëjtave procedura duhet t'u nënshtrohen edhe studentët e diplomuar jashtë vendit, ndërsa disa prej kritereve ndryshojnë. Sipas udhëzimit, për legalizimin diplomës së pari ata duhet të depozitojnë në llogari të universitetit një pagesë prej 30 eurosh. Dokumentacioni i parashikuar për legalizim duhet të përbëhet nga diploma, lista e notave, programi mësimor, si dhe vërtetimet për gjuhën e huaj nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, diplomat shtesë për specializime, shoqëruar me listën e notave. Procedurat për studentët e diplomuar jashtë vendit parashikojnë që dosja të jetë e shoqëruar me vërtetimin e diplomës nga institucioni që e ka lëshuar atë, për të vërtetuar origjinalitetin.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›