Egjipti ofron bursa për studentët shqiptarë
Ministria e Arsimit të Lartë e Republikës Arabe të Egjiptit në kuadër të marrëveshjeve që ka me Ministrinë shqiptare të Arsimit dhe Shkencës ofron për shtetasit shqiptarë 6 të drejta studimi për studime universitare dhe 4 të drejta studimi për studime pasuniversitare në Universitetin e Kajros, bursa për vitin akademik 2008-2009.
Programet e studimit janë: Ekonomi-biznes; Ekonomi politike; Gjuhë angleze; Gjuhë frënge dhe Shkenca politike.
Sipas burimeve të mësipërme, të interesuarit duhet të dorëzojnë pranë sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, deri në datën 26 nëntor 2008, dokumentacionin, dosjen me dokumente, përfshirë dëftesën e pjekurisë të shkollës së mesme; certifikatën e lindjes me fotografi; raportin mjekësor; fotokopjen e pasaportës; katër copë fotografi dhe ndërsa mësimet zhvillohen në gjuhën angleze, aplikantët duhet të kenë njohuri shumë të mira të kësaj gjuhe.
Sipas marrëveshjes, pala egjiptiane përballon shpenzimet për tarifën e shkollimit dhe jep një shumë prej afro 80 dollarësh në muaj për akomodimin e studentëve. Bursat për studime pasuniversitare jepen kryesisht për ata studentë shqiptarë që kanë kryer studimet universitare në Egjipt.