Veriu, NATO bën thirrje për vetëpërmbajtje
NATO shprehet e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për përmbajtje dhe bashkëpunim të plotë me faktorin ndërkombëtar me qëllim që të sigurohet liria e lëvizjes.
“Jemi të shqetësuar me zhvillimin e ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës dhe i ndjekim me vëmendje”, deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Oana Lonxhesku.
Në komunikatë u bëhet thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të vendosin bashkëpunim me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
“Qëllimi i KFOR-it është që të kontribuojë për mirëmbajtje të mjedisit të siguruar dhe të sigurt, liri të lëvizjes dhe sigurisë së Kosovës, në pajtueshmëri me rezolutën 1244″, deklaroi Lonxhesku.
Ajo theksoi se KFOR-i e kryen detyrën e tij në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
“NATO-ja i mbështet plotësisht komandantët e KFOR-it në plotësim të këtij mandati”, theksoi ajo.
Komandanti i KFOR-it paraprakisht bëri të ditur se ushtarët, të gjetur në një situatë hapjes së zjarrit, këtij akti kriminal i janë përgjigjur me mjete pa pasoja fatale”, siç janë plumbat prej gome, gazi lotsjellës dhe topat me ujë.
Dhjetëra serbë të Kosovës dhe 25 ushtarë të KFOR-it janë lënduar në përleshjet që shpërthyen dje në barrikadat në afërsi të fshatrave Jagnjenicë dhe Zubin Potok.