E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Konsujve: Integrimi në BE, prioritet kryesor

Prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian. Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në përformancë. Kështu është shprehur kryeministri Berisha gjatë takimit me 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Sipas kryeministrit është koha që të përshpejtohet zhvillimi i Shqipërisë dhe të shfrytëzohen të gjitha potencialet e saj.
 

“Shqipëria po adopton një politikë të jashtme paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi dhe po punon në rajon për integrimin rajonal, si një proces kyç për të kaluar vështirësitë e së kaluarës. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe po bën më të mirën për të përmbushur të gjitha detyrimet” ka theksuar më tej Berisha.

Ai ka theksuar gjithashtu se qeveria është përpjekur të krijojë klimën më të mirë për bizneset dhe investitorët ndërsa ka shtuar se Shqipëria nuk e njohu recesionin ekonomik.

“Sigurisht u përballëm me pasojat e krizës ekonomike globale dhe europiane, por në vend nuk u zhvillua asnjë recension ekonomik. Liritë ekonomike në botë vitin e kaluar u ngadalësuan, ndërsa në Shqipëri u rritën me 16 për qind. Ne vendosëm një nga sistemet më barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë - taksa e sheshtë prej 10 për qind, kontributet e sigurimeve shoqërore prej 15 për qind, hoqëm shumë tarifa dhe studimet serioze tregojnë se qeveria shqiptare i përket grupit të 10 vendeve me ndërhyrjen më të vogël të qeverisë në drejtim të biznesit, çka është shumë e mire” ka theksuar Berisha.
 

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është një vend që ka shumë potenciale energjetike ndërsa shtoi se vendi ynë ka mundësi të madhe për t`u shndërruar krejtësisht në një vend të energjisë së gjelbër dhe për t`u bërë një superfuqi e vogël e energjisë së gjelbër në rajon.
 

“Shqipëria është një Norvegji e vogël në bregdetin e Adriatikut. Ne duhet të ndërtojmë më shumë se 443 hidrocentrale. Kemi nënshkruar 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve, 72 prej tyre janë nën ndërtim, ose janë përfunduar, ose ka filluar puna. Të tjerë po presin investitorë. Prandaj do ta vlerësoja shumë çdo lloj inkurajimi që do të mund t`i jepni bizneseve për t`u bashkuar me Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe të energjisë së rinovueshme” i është drejtuar kryeministri Konsujve të Nderit.
 

Ai gjithashtu u shprehu mirënjohjen konsujve për përfaqësimin dhe punën e shkëlqyer që kanë bërë për të promovuar Shqipërinë.
“Le të punojmë sëbashku për të arritur qëllimet tona, le të ngulmojmë sëbashku për të arritur atë çfarë mendojmë se është më e mira për këtë vend” ka përfunduar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›