E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Prifti: “Ftoj Edi Ramën në një gjyq publik”



Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka ftuar kreun e PS-së, Edi Rama të përballet me të në një proces gjyqësor, për të deklaruar të dy së bashku pasuritë.
“Do t’i bëj një kërkesë Ramës që ta bëjmë gjyqin hapur me mediat prezente, ku t’i tregojmë të gjithë shqiptarëve kush është ai. Nuk ka njeri që beson se Rama është i pastrehë, kur në fakt ka qindra prona të shpërndara në emra shokësh dhe miqsh në të gjithë vendin”, - deklaroi Prifti. Ministri Prifti këmbënguli sërish në deklaratën e tij se kreu i socialistëve është përdorues droge. “Në vitin 2002 dhe në 2005 e kam parë me pluhur të bardhë në tavolinën e tij të punës në bashki. Këtë gjë, ia kam thënë edhe liderëve në PS gjatë asaj kohe”, - tha Prifti. Pasurimi i ministrit Prifti me 1.8 milion euro brenda një viti, prej disa ditësh ka qenë në krye të akuzave që opozita i ka bërë qeverisë për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.

Gaçe: Tellallët e Berishës të japin llogari për korrupsionin e ministrave të qeverisë”

Deputeti socialist, Artan Gaçe i ka bërë thirrje maxhorancës që fillimisht të japin shpjegime për aferat korruptive të qeverisë dhe më pas të merren me opozitën.
“Sot (dje) pamë tellallin e radhës të Sali Berishës, Tritan Shehun që interesohej për tregjet e Tiranës. Por, përpara se të merret me tregjet e Tiranës, ky zotëri duhet të shpjegojë se ç’po ndodh me tregjet e familjes së Sali Berishës”, - u shpreh Gaçe, duke shtuar se “si e shpjegon Tritan Shehu pasurimin e ministrit të Ekonomisë me plot 1,8 milion euro në vitin e krizës ekonomike? Si e shpjegon Tritan Shehu lidhjen e Dritan Priftit me Petrit Vasilin në shitblerjet e aksioneve të kompanive farmaceutike, ku një ministër është shitës aksionesh dhe tjetri blerës? Sulmin e Shehut, deputeti socialist e ka konsideruar si vetëmbrojtje, pasi edhe ai si të gjithë qeveritarët mund të jetë i përfshirë në ndonjë aferë korruptive. “A mos vallë dhe vetë Tritan Shehu është i përfshirë në afera korruptive në shëndetësi dhe tani që po bie erë e fortë korrupsion, ka vendosur të hidhet në sulm?”, - u shpreh deputeti Gaçe.

Shehu: “Bashkia e Tiranës të investojë për tregjet e kryeqytetit”

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka lënë në një gjendje skandaloze tregjet e kryeqytetit. Shehu është ndalur në Njësinë bashkiake Nr: 3 për të ilustruar problemin që ai parashtron. “Jemi në Njësinë bashkiake Nr: 3, për të rikonstatuar paaftësinë e plotë të bashkisë në drejtim të mbështetjes së jetës së qytetarëve dhe aktiviteteve ekonomike. Këta që tregtojnë këtu, paguajnë rregullisht taksat lokale, tarifën e ambienteve të këtushme dhe rezultati është sikur të jesh në një treg të një qyteti mesjetar”, - u shpreh Shehu. Ai tha se taksat janë shumë të larta, por shërbimi që marrin është zero. “Ky është shqetësimi që e kanë të gjithë tregtarët dhe qytetarët e kësaj zone. Është krejtësisht e papërgjegjshme dhe cinike të mos realizosh asnjë investim për të përmirësuar këtë gjendje skandaloze”, - tha deputeti demokrat, duke shtuar se e njëjta gjendje ekziston edhe në tregun tjetër, afër spitalit të Neurologjisë. “Ku shkojnë ato taksa të larta? Përse nuk vihet dorë për të rregulluar një gjendje të tillë? Përse këto të ardhura nuk përdoren për destinacionin e tyre normal? Njësia bashkiake Nr: 3 është krejtësisht jashtë funksioneve të saj, duke u centralizuar çdo gjë te Bashkia Qendrore, e cila nuk është e aftë apo nuk dëshiron të ndërhyjë”, - u shpreh Shehu. Deputeti demokrat shprehu shqetësimin se këtu kemi të bëjmë me një keqpërdorim të të ardhurave nga taksat e larta lokale dhe me një politikë krejt centraliste ndaj njësive bashkiake nga Bashkia qendrore.

17 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›