E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në festën e Kongresit të Lushnjës

 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Ngjarja historike e Kongresit të Lushnjës, e cila daton 89-vjetorin e saj, shënon incidente në sallën e teatrit “Vaçe Zela”. Të pranishmit janë zhgënjyer në përkujtimin e kësaj feste, ku u vu re edhe mungesa e përfaqësuesve të shtetit. Në axhendën e festimeve, që në nisje të vakëta, ishte parashikuar një dokumentar kushtuar kësaj dite historike. Por të pranishmit në sallë janë shtangur nga pamjet që iu “servirën”. Gjithçka ndodhi pas kumtesës së mbajtur nga përgjegjësi i muzeut, Shaqir Greca. Përfaqësues të familjeve atdhetare, në praninë edhe të zëvendësministrit të Kulturës, Ekrem Spahiu, përfaqësues vendorë, si dhe nxënës shkollash, prisnin që të paraqitej dokumentari për nder të kësaj dite, e cila zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Por ata janë befasuar. Shiritat filmike nisën të shfaqnin në ekranin e madh të skenës pamje të një ceremonie dasme. Dokumentari ndodhej i regjistruar në të njëjtën video, i cili u ndërpre sërish nga ceremonia e dasmës. Situata konfuze u pasua fillimisht me ndonjë të qeshur të nxënësve, por më pas, reagimet në sallë ishin tepër të ashpra, duke e cilësuar këtë ndodhi si një turp të madh. “Në një kohë kur ne prisnim shfaqjen e një dokumentari kushtuar evenimentit historik të Kongresit të Lushnjës, përpara na dolën njerëz që kërcenin e këndonin në një dasmë”, u shpreh tepër i zhgënjyer njëri nga familjarët e patriotëve atdhetarë. Edhe pjesëtarët e tjerë të pakët në sallë e cilësuan këtë incident qesharak e të turpshëm. Sipas tyre, shkak për këtë ngjarje është bërë mosorganizimi si duhet i ceremonisë festive nga krerët e institucionit. Incidenti shkaktoi nervozizëm tek të pranishmit, të cilët nuk qenë në gjendje të shpjegonin këtë gafë të organizatorëve të festës. Në fakt, kjo ceremoni festive ishte  bojkotuar edhe nga përfaqësuesit e shtetit. Me përjashtim të zëvendësministrit të Kulturës, Spahiu, i cili erdhi edhe me vonesë, askush tjetër nuk kishte ardhur për të nderuar përvjetorin e këtij kongresi. Madje, në sallë u vu re edhe mungesa e vetë deputetëve lushnjarë. I vetmi që përshëndeti të pranishmit në sallë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme, si dhe përfaqësues të familjeve atdhetare, ishte përgjegjësi i muzeut të rrethit Lushnjë, Shaqir Greca. Ai bëri një përshkrim të shkurtër të kësaj ngjarjeje historike kombëtare, që u mbajt në Lushnjë. Më pas, Greca ftoi të pranishmit që të vizitojnë shtëpinë muze e të njihen me historinë që ka nderuar qytetin e Myzeqesë. Por pas fjalës së tij, të pranishmit u zhgënjyen në pritje të dokumentarit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›