Dita e parë e shkollës, posterat e gripit të derrit “zëvendësojnë” lulet
Mëngjesin e djeshëm, Mertiana Çengeli u zgjua herët për të shkuar në shkollë. Nuk është mësuese e aq më pak nxënëse, është doktoresha e re e shkollës “Qemal Stafa”, e cila do të ndjekë nga afër situatën shëndetësore të nxënësve të kësaj shkolle. Këtë vit, përveç 60 mijë nxënësve që hynë për herë të parë në shkolla, dhe 340 mijë të tjerëve, që iu rikthyen bankave pas pushimeve të verës, në shkolla “debutojnë” edhe mjekët, si një masë shtesë e përcaktuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e gripit të derrit.
Lulet e 6-vjeçarëve që hynin për herë të parë në shkolla apo buzëqeshjen e 5-vjeçarëve të parë, që nisin programin eksperimental të klasave shkollore, nuk ishin risia e vërtetë e shkollave gjatë ditës së djeshme. Shkolla “Qemal Stafa”, një prej më kryesoreve në kryeqytet, ndryshe nga vitet e tjera, ku në mure kishte vetëm lista të grisura notash, këtë vit ishte mbushur me broshura informative për gripin e derrit.
“Do të vëzhgojmë nga afër të gjithë nxënësit dhe rastet që do të shfaqin shenjat e gripit do t’i dërgojmë tek mjeku për t’u vizituar”, - thotë doktoreshë Mertiana Çengeli, e cila punon pranë gjimnazit “Qemal Stafa”. Sipas doktoreshë Çengelit, fëmijët në shkolla kanë më shumë mundësi të marrin virusin, po ashtu edhe ta transmetojnë atë tek të tjerët, për arsye se janë gjithmonë në kontakt me bashkëmoshatarët e tyre. Ndërkohë, ajo ka pohuar se ky virus tek moshat e vogla, siç janë nxënësit, prek më shumë rrugët e frymëmarrjes si dhe mushkëritë. Por, të rrezikuar nga prekja e A/H1N1 nuk janë vetëm nxënësit, por edhe mësuesit. “Duke filluar që nga sot, ne do të marrin maska, alkool dhe mjete të tjera të nevojshme në mënyrë që të jemi të përgatitur”, - tha doktoreshë Çengeli.
Për këtë rrezikshmëri të lartë, në të gjitha shkollat 9-vjeçare, të mesme si edhe në kopshte, do të ketë nga një mjek të specializuar dhe koordinator, të cilët do të kujdesen për rastet që mund të dyshohen me grip. Në rast se do të konstatohet ndonjë nxënës që do të shfaqë simptomat e gripit, si temperaturë, dhimbje fyti apo kollë, ai do të veçohet nga fëmijët e tjerë dhe do të dërgohet në spital për analizat.
Arsyet e këtyre masave kanë ardhur si rezultat i kontakteve që kanë pasur nxënësit me familjarë apo të afërm, të cilët kanë ardhur me pushime, por që jetojnë në vend të cilat tashmë kanë deklaruar se virusi është i pranishëm. Gjithashtu, arsye tjetër është se vetë fëmijët mund të kenë kaluar pushimet verore në vendet e prekura me gripin H1N1, ndaj nuk përjashtohet dhe mundësia e marrjes së tij. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, në një deklaratë të dhënë më 3 shtator, duke u nisur se të dhënat epidemiologjike nuk janë alarmante, ka vendosur se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë fillimin në datën e caktuar të vitit të ri shkollor. Për ta kontrolluar sa më mirë situatën, në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme janë vendosur postera sensibilizues se si mund ta parandalojnë këtë virus si dhe tregohen të gjitha simptomat që ka një person i prekur. Aty të gjithë nxënësit mund të informohen më shumë rreth këtij virusi dhe në rast se kanë ndonjë shqetësim mund të drejtohen tek mjeku i specializuar i cili gjendet në mënyrë të vazhdueshme pranë shkollave.
Në këtë kuadër, javën e ardhshme do të organizohen takime me mjeket e shkollave dhe drejtorive arsimore rajonale. Ministria e Shëndetësisë do të jetë në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me strukturat e Ministrisë së Arsimit për zbatimin në praktikë të masave të domosdoshme për parandalimin e këtij virusi.
Berisha
Arsimi, përparësi edhe në mandatin e dytë të qeverisë
Të paktën 173 nxënës që ndjekin arsimin profesional në Kavajë, kanë nisur dje vitin e ri shkollor në mjedise tërësisht të reja. Godina 4-katëshe, me të gjitha kushtet bashkëkohore të mësimdhënies, u ndërtua me një investim prej 83 milionë lekësh të qeverisë. Shkolla e mesme profesionale “26 Marsi” në qytetin e Kavajës u përurua dje, në ditën e parë të vitit të ri shkollor 2009-2010, në një ceremoni ku ishte i pranishëm Kryeministri Sali Berisha, ministri i Arsimit në detyrë, Fatos Beja, kryetari i bashkisë, Refik Rukia, mësues, nxënës etj. Nga Kavaja, Kryeministri Berisha ka uruar të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar për një vit të mbarë shkollor, ndërsa vuri në dukje se shkolla dhe shkollimi kanë rëndësi vendimtare për të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit. “Qeveria, - theksoi z. Berisha, - i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë rëndësi reformave në arsim dhe do të bëjë çdo përpjekje që të rinjtë të shkollohen në kushte sa më të mira”. Kryeministri kujtoi se gjatë mandatit të parë qeverisës, në të gjithë vendin u ndërtuan dhe u rindërtuan mbi 1100 shkolla, ndërsa revolucioni i vërtetë i sipas tij ishte futja e internetit në të gjitha shkollat. Kreu i qeverisë renditi si arritje gjatë mandatit të parë qeverisë 2005-2009 edhe dyfishimin e rrogave të arsimtarëve si dhe mbi dyfishimin e studentëve në universitete. “Detyra më të mëdha do të realizohen gjatë mandatit të dytë qeverisës”, - premtoi Berisha, duke veçuar mësimin dixhital nëpër shkolla, shndërrimin e institucioneve arsimore në qendra të përhapjes së informacionit në komunitet dhe rritjen me 10 për qind të numrit të nxënësve në shkollat e mesme profesionale.
Topi
Shkolla, e ardhmja evropiane e kombit
Presidenti Bamir Topi uroi dje të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2009-2010, ndërsa vlerësoi se "shkolla është vendi ku përgatitet e ardhmja evropiane e kombit tonë". Në ditën e parë të vitit shkollor 2009-2010, kreu i shtetit ishte i pranishëm në shkollën 9-vjeçare "Servete Maçi", në kryeqytet, aty ku ai ka kaluar 8 vitet e jetës shkollore. "Nuk mund ta fsheh se një emocion shumë të fortë, sepse në këtë shkollë, në këtë oborr, kam kaluar 8 vitet e jetës time shkollore. Njeriu në jetë merr shumë certifikata, por e paharruar mbetet dëftesa e klasës së parë, ku dy emra janë memorizuar për të mos u harruar, mësuesja e parë dhe drejtori i shkollës", - tha Presidenti Topi. Ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm të shkollës, që sipas tij, "të mëson se si bashkëjetohet dhe se si kultivohet diskutimi dhe debati". "Shkolla është vendi ku ndonëse shkohet me emocione e shqetësime, vetëm nëpërmjet saj fëmijët tanë do të bëhen të ditur, do të shkojnë nëpër profesione të ndryshme dhe do të bëjnë të mundur që Shqipëria në vitet që vijnë të jetë më e përparuar dhe pjesë e familjes evropiane", - tha Presidenti Topi. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Presidenti Topi përcolli një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, SHBA dhe kudo në Evropë. "U uroj atyre një vit të mbarë dhe uroj që ta mbajnë gjallë gjuhën shqipe, të kultivojnë literaturën që vjen nga Shqipëria dhe të mësojnë se rruga e arsimit shqiptar nuk ka qenë e lehtë", - tha kreu i shtetit.
Topalli
“Influenca e mësuesve ka rrezen më të gjatë të ndikimit”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përcolli urimet e saj në ditën e parë të fillimit të vitit të ri të shkollor duke vlerësuar se "influenca e mësuesve ka rrezen më të gjatë të ndikimit në edukimin e brezit të ri". Kryetarja e Kuvendit ndau dje gëzimin dhe emocionet e fillimit të vitit të ri arsimor me nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Misto Mame", në Tiranë. Duke përshëndetur nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, ajo e cilësoi këtë ditë si më të rëndësishmen në jetën e një të riu. Për kryetaren e Kuvendit mësuesit meritojnë vetëm mirënjohje për misionin e tyre fisnik në edukimin e brezave të rinj. "Mësuesi, - tha ajo, - ka rrezen më të gjatë të ndikimit dhe influencës në jetën e një njeriu, ndikim i cili asnjëri prej nesh nuk e di kur mbaron". Në këtë ditë të parë të shkollës kryetarja e Kuvendit u premtoi nxënësve se "do të bëjmë të pamundurën që brenda një kohe të shkurtër secili nga nxënësit, çdo djalë e vajzë, të ketë kompjuterin e vet personal", - tha znj. Topalli. "Nuk ka shans më të madh sesa të jetosh në këtë periudhë në epokën e Google, internetit. Për një komb të vogël, për një vend që ka një histori të vështirë, për të rikuperuar kohën e humbur nuk ka gjë më të rëndësishme që secili prej jush të ketë një laptop të vetin", - tha kryetarja e Kuvendit. Në ditën e parë të vitit të ri arsimor 2009-2010 autoritetet më të larta të vendit: Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha përmes vizitave në institucionet arsimore u uruan nxënësve suksese në vitin e ri shkollor.