E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndarja e teksteve, procesi i korruptuar

14/09/2009  DAR: Mësuesit të shmangin kurset private

DURRES- Stafi drejtues i arsimit në Durrës ka vendosur të përqendrojë vëmendje kryesore në drejtim të luftës kundër korrupsionit në shkolla dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies. Drejtoresha Ermira Bllani ka theksuar se do t’u shkojë deri në fund të gjitha sfidave të përcaktuara. “Nuk mund të flitet për cilësi në shkolla nëse nuk do të përballemi me betejën kundër korrupsionit që nga tregtimi i librit, kurset private, shitja e librave dhe materialeve jashtë katalogut, presioni ndaj nxënësve për qëllime përfitimi abuziv etj”. Drejtoria arsimore dhe dega e tatimeve dhe taksave kanë ngritur dy grupe inspektimi të përbashkëta për të parë nga afër procesin e shpërndarjes së tekstit mësimor. “Janë sekuestruar dhjetëra libra që tregtoheshin jashtë katalogut dhe që u jepeshin nxënësve e prindërve si detyrim”, - ka thënë Bllani. Nga ky aksion është sekuestruar një sasi librash në vlerën 1 milion lekë si dhe javë vendosur 4 gjoba për distributorët e librit. Bëhet fjalë për libra, harta, fletore pune etj. që nuk janë në paketën dhe listën e përpiluar nga Ministria e Arsimit, materiale që nuk mund t’u shiten me detyrim nxënësve. Edhe tekstet shkollore të arsimit të mesëm të lëndëve natyrore që janë përkthime thuhet se do të vijnë shumë shpejt dhe i gjithë procesi do të mbyllet para fundit të muajit shtator. Por drejtoresha Bllani ka pohuar se këtë vit do të përballet edhe me atë kontingjent të arsimtarëve që ushtrojnë presion me anë të notës, duke i detyruar nxënësit të frekuentojnë kurset e ngritura private. “Na duhet që prindërit dhe nxënësit të vrasin frikën, të bashkëpunojnë me ne duke plotësuar anketat me objektivitet, gjë që do të na ndihmojë të ndëshkojmë korrupsionin”, - ka thënë Bllani. Vitin e kaluar 13 mësues janë paralajmëruar për largim nga puna, pasi në anketimet me nxënës është mësuar se ata kanë hapur kurse private.

Xh. Gradica

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›