Mediu: Më hetoni, nuk i njoh vetes imunitet
I gatshëm për hetim, duke mos i njohur vetes asnjë lloj imuniteti me kërkesën për zbardhje të plotë e me transparencë të tragjedisë së Gërdecit. Këtë qëndrim shprehu dje ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, fill pas vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes “Gërdeci”. Përmes një deklarate për shtyp dhe vetëm pak çaste pas dekretimit nga Presidenti Topi si ministër i Mjedisit, z. Mediu u shpreh i gatshëm për hetim, duke mos i njohur vetes asnjë lloj imuniteti për këtë çështje. Në deklaratën e tij, ish-kreu i Mbrojtjes shqiptare bëri të ditur se ka qenë dhe është i bindur se vendimi më i drejtë është hetimi dhe gjykimi i kësaj çështjeje deri në fund. Mediu shtoi se me kërkesën e tij, përfaqësuesit ligjorë, pavarësisht nga kushtet e reja procedurale, kërkuan vazhdimin e gjykimit. “Nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti për hetimin e kësaj çështjeje. Përfaqësuesit e mi ligjorë, pavarësisht nga kushtet e reja procedurale, kërkuan vazhdimin e gjykimit me anë të një memoje", - thuhet në deklaratën për media të z. Mediu. I rizgjedhur deputet e njëherazi i dekretuar nga Presidenti si ministër i Mjedisit, me propozim të Berishës, Mediu theksoi se pozicioni i tij i ri nuk i jep asnjë imunitet shtesë dhe kërkon hetimin dhe gjykimin e çështjes deri në fund. Ish-ministri i Mbrojtjes përsëriti se ai ka kërkuar zbardhje dhe transparencë të plotë për tragjedinë e Gërdecit, duke e lidhur këtë me dorëheqjen që dha nga detyra e ministrit. Çështja gjyqësore në ngarkim të Fatmir Mediut ndaj akuzës për shpërdorim detyre në lidhje me shpërthimin në Gërdec, ku humbën jetën 26 shtetas, u pushua mesditën e djeshme nga Gjykata e Lartë në Tiranë.