Humbje sipas standardeve ndërkombëtare
Raporti i OSBE-ODIHR-it, publikuar dje pasdite, edhe pse përbën një moment të veçantë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, duke qenë më i miri që është hartuar ndonjëherë për zgjedhjet shqiptare, sërish nuk na befason për këtë arsye, por për diçka tjetër, atë të fundit të përdorimit të biografisë së keqe zgjedhore shqiptare në favor të përfitimeve politike. Pra, në rastin konkret, rënien e fortë të alibisë së Edi Ramës për bojkotin socialist ndaj Parlamentit, rënien e aksioneve politike të kësaj alibie deri në falimentim dhe detyrimin që politika shqiptare në përgjithësi dhe PS në veçanti kanë për të trajtuar tashmë zgjedhjet me syrin e ndërkombëtarëve që janë asnjanës në këtë vlerësim dhe jo me kutin e nevojave politike të çastit, siç po ndodh me Partinë Socialiste.
“Janë plotësuar të gjitha kushtet e OSBE-së për një proces të rregullt zgjedhor”, - kanë deklaruar dje zyrtarë të lartë të OSBE-së, duke lajmëruar me këtë rast një arritje të madhe shqiptare, e cila nuk mund të zvogëlohet në asnjë dimension të saj prej idhnimit e mërisë së Edi Ramës për shkak të humbjes sipas rregullave dhe standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Me publikimin e raportit e gjithë ngrehina e bojkotit socialist bie dhe bashkë me të mësohet prej të gjithëve se politika shqiptare ndikohet dhe inkurajohet prej asaj ndërkombëtare në rastin e standardeve demokratike, por nuk është politika shqiptare ajo që mund të qarkullojë në zyrat e observimit njësoj si në klubet konservatore platformat e saj bojkotuese.
Por, bashkë me rënien e alibisë së bojkotit, bie edhe motivi i rizgjedhjes së Edi Ramës si kryetar i PS-së në zgjedhjet e fundmuajit. Edi Rama e ka ndërtuar skemën e rizgjedhjes bazuar tërësisht në argumente të njëanshme në kurriz të cilësisë së zgjedhjeve. Ai ka radikalizuar nismat e tij politike i mbështetur pikërisht mbi strategjinë e manipulimit të socialistëve për manipulimin e procesit të numërimit, për të cilin raporti i ODIHR-it thotë se nuk ka asnjë të dhënë se ky proces është manipuluar apo devijuar. Duke radikalizuar ambientin politik brenda PS-së, ai mendon se do të sigurojë jo thjesht fitoren, por një numër maksimal votash dhe një pjesëmarrje maksimale të anëtarësisë së PS-së. Kjo do ta bënte edhe më legjitime në logjikën e tij rizgjedhjen në krye të PS-së. Sërish duke sakrifikuar nën arritje të të gjithë shqiptarëve, prej dje certifikuar edhe nga ndërkombëtarët, zgjedhjet e lira.
Por përveç rënies së alibisë së bojkotit e bashkë me të edhe rizgjedhjes së Edi Ramës në krye të PS-së, raporti i djeshëm i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet rrëzon edhe sabotimin e pritshëm që aksionet radikale të strategjisë së Ramës shpresonin të kishin në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE e veçanërisht aty ku fitohen më shumë pikë, liberalizmi i vizave. Të gjitha vërejtjet e përshkruara në raport nuk janë në gjendje të ngadalësojnë për asnjë dakikë procesin e liberalizimit të vizave, duke lënë sërish të përjashtuar çfarëdo kushti politik për Shqipërinë lidhur me këtë proces, pra duke lënë në fuqi “road map”-in e mëparshëm, plotësimi i të cilit merret në konsideratë këtë vjeshtë për një vendim që synon heqjen e vizave në qershorin e vitit tjetër.