PS, protestë në Athinë para OSBE
Marko Caka/ Athinë
Partia Socialiste zhvendos protestat në Athinë, pranë vendit ku do të mbahet mbledhja e ministrave të Jashtëm të OSBE-së. Pas protestës tre ditore në Tiranë dhe ultimatumit për kryeministrin Berisha, forca më e madhe e opozitës është zhvendosur në vendin fqinj, ku dega e Greqisë ka planifikuar të zhvillojë tubimin e sotëm në momentin kur do takohen krerët e diplomacive të Evropës. Prej disa ditësh deputetët e PS-së, Arben Ahmetaj, Taulant Balla dhe Stefan Çipa janë emëruar nga kryesia për të organizuar këtë miting, i cili do të mbahet rreth orës 17.30. Mbledhja e emigrantëve shqiptarë pritet të bëhet rreth 400-500 metra larg vendit ku do të mblidhen ministrat e jashtëm për shkak të masave të forta të sigurisë që ka marrë policia greke.
Meta
Ndërkohë dje në Athinë mbërriti edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta i cili do të marrë pjesë në takimin e sotëm që do të kryesohet nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgo Papandreu, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së OSBE-së. Gjatë mbrëmjes Meta bëri një vizitë në një ekspozitë fotografike me foto nga ngjarjet e viteve 1990 dhe 1991 në Tiranë. I pyetur nga gazeta “Panorama” mbi protestën që do të mbajë gjatë ditës së sotme Partia Socialiste, zv.kryeministri e quajti atë qesharake dhe jo serioze. Sipas tij PS-ja ishte bashkëhartuese e Kodit Zgjedhor dhe bashkëadministruese e procesit të 28 qershorit, së bashku me Partinë Demokratike. “Është qesharake dhe joserioze sepse kutitë në Shqipëri janë hapur, janë numëruar, janë firmosur nga ata që bëjnë thirrje për protesta të tilla dhe absolutisht nëse kjo është e vërtetë s’është gjë tjetër veçse përpjekje për të dëmtuar në mënyrë të pandershme imazhin e vendit, kur dihet shumë mirë se partia socialiste ka qenë bashkëdrejtuese dhe bashkëadministruese me të drejta të barabarta me partinë demokratike në gjithë këtë proces zgjedhor”, u shpreh Meta. Më tej kreu i diplomacisë shqiptare kujtoi raportin e misionit të OSBE/ODIHR-it i cili vlerësonte procesin zgjedhor, por edhe vendimin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për ti dhënë të drejtën Komisionit të përgatisë Opinionin për aplikimin e Shqipërisë. “OSBE ka bërë të qartë në raportin e saj për zgjedhjet, Ministrat e Jashtëm të bashkimit evropian e shqyrtuan dhe e kaluan kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin pikërisht pasi doli raporti i ODIHR-it. Nuk është hera e parë që shoh vepra të tilla të papjekura dhe të pandershme pasi është koha që të punojmë për integrimin evropian të Shqipërisë për të rritur imazhin e vendit kudo, për të forcuar institucionet, kjo është më e rëndësishme se çdo veprim politik”, theksoi më tej kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë gjatë ditës së nesërme përfundon edhe ultimatumi i vënë nga Partia Socialiste për kryeministrin Berisha gjatë mitingut tre ditor pak ditë më parë në Tiranë. Opozita kërkoi hapjen e kutive të votimit ose zgjedhje të parakohshme si alternativën e vetme për të zgjidhur krizën politike. Tre ditë më vonë, në pesë dhjetor përfundon një tjetër ultimatum për Berishën, ai i vendosur nga drejtuesit e majtë të bashkive të vendit, të cilët pretendojnë se disa vendime të qeverisë bien ndesh me autonominë lokale. Nga ana tjetër qeveria ka paralajmëruar një takim festiv në 8 dhjetor për ditën e lëvizjes studentore, e cila duket se do të shërbejë edhe për matjen e mbështetjes së qeverisë në elektoral, pas mitingut tre ditor të PS-së.