E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita/Presidenti Nishani dekreton Adriatik Llallën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm

04-12-2012 / Gazeta 55

Adriatik Llalla, kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, dekretohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e Presidencës, e cila publikon dhe dekretin për emërimin e pasardhësit të Ina Ramës, i cili hyn në fuqi menjëherë.
“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737 , datë 12. 02. 2001 “Per organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Dekretoj: Zoti Adriatik Llalla, emërohet Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Në një realicioni shoqërues, presidenti Nishani ka sqaruar edhe vendimin etij për emërimin e Adriatik Llallës në krye të institucionit më të lartë të akuzës. Sipas tij, zgjedhja e Llallës është bërë duke vlerësuar eksperiencën e tij në strukturat e prokurorisë dhe përzgjedhjen e tij në mënyrë konsensuale nga Kuvendi për të drejtuar ILDKP-në. “Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e Prokurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme. Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur.  Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik” thuhet në relacionin e presidentit Nishani.
Ndërkaq kandidati për Kryeprokuror të Përgjithshëm, Adriatik Llalla e vlerëson pozicionin e ri si sfidë dhe përgjegjësi njëherësh. Në një prononcim për mediat Llalla shprehet se do të vijojë në krye të ILDKP-së deri në momentin që dekreti i sotëm i presidentit Bujar Nishani të votohet. Llalla bën me dije se ka marrë telefonata urimi edhe nga opozita. “Pa diskutim që kam pasur telefonata urimi, familja, dashamirës edhe nga opozita, nga të gjithë. Nuk është ende momenti për të diskutuar, janë disa procese të tjera që duhen kaluar”, deklaroi Llalla.
Kush është Adriatik Llalla/Adriatik Llalla është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 09. 10. 2008 nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dekret datë 14. 07. 2008.
Adriatik Llalla ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Drejtësisë, Titulli Jurist.
Në muajin Janar të vitit 1998 ka filluar karrierën profesionale si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje.
Më pas u emërua Prokuror në këtë Prokurori detyrë në të cilën punoi nga viti 1999‐2002.
Nga viti 2002‐2003 ka punuar si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Në vitin 2003 është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005.
Nga viti 2005‐2008 ka punuar si Zëvendësdrejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në vitin 2006  zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007‐2008 ka qenë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë.
Më datë 4 Maj të vitit 2010 zgjidhet Kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Europës Jug‐Lindore dhe disa vende të tjera të Europës.
Në vitin 2011 ka përfunduar Masterin për “Të Drejtë Penale”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Adriatik Llalla ka njohuri shumë të mira në gjuhën angleze.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›