Nishani: Përshëndesim vendimin objektiv të Hagës
Presidenti kërkon hetim të pavarur për Prokuroren Carla Del Ponte
Presidenti, Bujar Nishani ka kërkuar hetim të pavarur për Karla Del Ponte. Duke përshëndetur edhe një herë vendimin objektiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shkarkoi ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij nga të gjitha akuzat, pas një procesi të drejtë dhe transparent, kreu i shtetit është ndalur tek deklaratat e fundit, sipas të cilave akuza e ngritur nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash.
“Zoti Haradinaj u përball dy herë me akuzat e ngritura nga ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Carla del Ponte. Por ajo që po përbën lajmin më shokues këto ditë janë deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të kësaj Gjykate, se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash. Madje ajo nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompiuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja. Në këtë situatë, Presidenti i Republikës kërkon që institucionet ndërkombëtare përkatëse të kryejnë një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj në hetimin ndaj zotit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidentit Nishani.
Kreu i shtetit vlerëson se dalja në pah e së vërtetës në lidhje me këtë çështje i shërben drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe besueshmërisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.