E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita/Zgjedhjet për kryetarin e LSI-së, pjesëmarrje rekord e anëtarësisë

21-10-2012 / Gazeta 55

Anëtarësia e LSI-së në të gjithë vendin, votoi dje sipas parimit “një anëtarë një votë”, për zgjedhjen e kryetarit të partisë, mes dy kandidaturave, themeluesit Ilir Meta i cili kërkon një tjetër mandat dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Luan Rama i cili synon t’i japë LSI-së, një frymë të re dhe ridimensionim të strukturave të saj politike. Votimi nisi në orën 08:00 në 159 qendra votimi dhe u mbyll rreth orës 18:00. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI, Ylli Manjani deklaroi se pjesëmarrja në votime ka qenë e jashtëzakonshme.
Sipas tij, rreth 86 për qind e anëtarësisë së regjistruar në listat e zgjedhësve ka votuar në të gjithë Shqipërinë, ose e thënë në shifra nga 36 725 anëtarë, kanë votuar 31 422.
“Ka qenë një pjesëmarrje e jashtëzakonshme në zgjedhjet për forumet drejtuese të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Një pjesëmarrje e anëtarësisë, së partisë sonë e kënaqshme sepse mesa duket, qartësisht anëtarësia ka vendosur të ushtrojë në mënyrë qytetare, civile masivisht të drejtën politike, detyrimin politik për të zgjedhur forumet e reja drejtuese. Nga 36 725 anëtarë të regjistruar në listat e votimit, kam kënaqësinë të konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë disponon të dhëna të sakta se kanë votuar 31 422 anëtarë, sot në të gjitha qendrat e hapura të votimit. Pra, është një shifër e konsiderueshme, një shifër e lartë, që tregon pjesëmarrje, angazhim të lartë politik dhe përgjegjësi të lartë politike të anëtarësisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo shumë, siç mund të bëhet me një llogari fare të thjeshtë është afërsisht 86 për qind e anëtarësisë së regjistruar në listat e zgjedhësve”, tha ai.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI, Ylli Manjani veçoi se pjesëmarrja më e lartë e votuesve ka qenë në Qarkun e Beratit, me 98 për qind të anëtarësisë, ndërsa më pas vijnë Qarku i Kukësit me 94 për qind ai i Tiranës me 93 për qind.
Gjithashtu, Manjani vuri në dukje se, në disa qarqe të vendit, pas mbylljes së procesit të votimit, nisi numërimi i votave.
“Në një pjesë të mirë të qarqeve ka filluar procesi i numërimit. Mund t’ju përmend që në Tiranë kanë filluar të hapen kutitë e para të votimit. Sigurisht që është tepër herët për t’ju dhënë një rezultat apo qoftë edhe një sens por në vijim do të komunikojmë me ju për t’ju dhënë edhe të dhëna operative por në fakt ne jemi të interesuar për të komunikuar me ju me të dhëna zyrtare”.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme pritet të dalë edhe rezultati përfundimtar i zgjedhjeve partiake për kreun e LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›