“Marrja e Statusit të vendit kandidat, mirëqenie për qytetarët shqiptarë”
Për ambasadoren gjermane në Tiranë, Holtkemper, plotësimi i kritereve të mbetura plotësisht i mundur
Marrja e statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria përkthehet në mirëqenie për qytetarët. Këtë e ka deklaruar në një prononcim për mediat, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper.
Diplomatja gjermane deklaroi se klasa politike duhet të angazhohet për të përmbushur rekomandimet përpara mbledhjes së dhjetorit të KiE-së, pasi kjo i shërben përmirësimit të jetës së shqiptarëve.
“Për sa i përket rekomandimeve të Komisionit Europian për marrjen e statusit kandidat, janë tre kushte kryesore që kanë të bëjnë me rregulloren e Parlamentit, miratimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë dhe administratën publike. Gjermania ka një pozicion të diferencuar, pasi është Parlamenti që voton për qëndrimin që duhet të marrë qeveria federale. Ajo që mund të them unë për klasën politike shqiptare është: Të punoni për të përmbushur kushtet. Të gjitha këto kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe referomat që kanë të bëjnë me këtë përmirësim”, deklaroi Holtkemper.
Marrja e statusit do të thotë edhe më shumë përfitime financiare për vendin tonë nga fondet e BE-së. Ambasadorja deklaron se Shqipëria do vijojë të thithë fonde të IPA-s.
“Rekomandimi i dhënë për vendin kandidat është mjaft i rëndësishëm dhe marrja e statusit do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Po këtë rëndësi do të ketë edhe hapja e negociatave që do të vijnë menjëherë pas marrjes së statusit. Në çdo hap që bën Shqipëria i afrohet BE-së. Për sa i përket financimeve të projekteve në të ardhmen mendoj se prioritetet do të jenë të njëjta. Ne në BE, në kuadrin e planifikimit të mëtejshëm të mjeteve financiare të fondeve të IPA-s, jemi duke negociuar pikërisht rreth buxhetit të një faze të ardhshme, buxhet i cili ende nuk është përmbyllur, ndaj edhe të dhëna konkrete rreth përqendrimeve të këtyre fondeve ende nuk mund të jap”, u shpreh ambasadorja.
Qeveria gjermane nëpërmjet bankës KfV dhe projektit GIZ ka financuar shumë projekte në energjetikë, ujësjellës-kanalizime dhe bujqësi, të cilat janë fonde të IPA-s deleguar bankës gjermane. Projektet aktuale të KfV-së në Shqipëri kapin shifrën e 20 milionë eurove.