Akademia e Arteve, laborator artistik
• Petrit MalajI vetëdijshëm për nevojën e ndryshimeve që duhet të bëhen në Akademinë e Arteve, i motivuar profesionalisht për të bërë të mundur së bashku rritjen e cilësisë së diplomës në Akademinë e Arteve, i ndërgjegjshëm për vështirësitë, por sidomos për mundësitë që gjeneron trupa pedagogjike e studentore e kërkuara, posaçërisht për implementimin e Kartës së Bolonjës, i bindur në forcën e talentit të studenteve, të cilët për mua përbëjnë një forcë gjeneruese të jashtëzakonshme në muzikë, arte skenike e arte pamore për jetën artistike shqiptare e më gjerë, i mbështetur në përvojën time disavjeçare në drejtimin e Fakultetit të Artit Skenik, guxoj të paraqes përpara pedagogëve, studentëve dhe stafit joakademik, por edhe publikut, këtë projekt, i cili në vija të përgjithshme shpreh ambicien dhe vullnetin tim artistik e qytetar për të drejtuar Akademinë e Arteve në vitet 2007-2011.Kandidimin për pozicionin e rektorit në Akademinë e Arteve unë e shoh si një ndjeshmëri profesionale, por edhe qytetare.Si e shikoj rektorin e një institucioni publik të arsimit të lartë?Rektori i një institucioni publik të arsimit të lartë dhe konkretisht ai i Akademisë së Arteve për mua është figura qendrore që në bashkëpunim me gjithë strukturat e tjera të institucionit përcakton objektivat, ndërton strategjitë e institucionit dhe përpunon metodën për të realizuar këtë proces. Ai është garanti kryesor dhe përgjegjësi i realizimit të këtij procesi. Ai është për mua një përfaqësues i rëndësishëm që garanton lirinë profesionale dhe cilësinë e edukimit artistik e shkencor. Unë jam për një model, i cili e sheh Rektorin e A. Arteve si një autoritet që nuk mund të marrë përsipër drejtimin e gjithë elementeve përbërës të institucionit. Në këtë rast ai vetëm do të gënjente veten dhe asgjë më tepër! Ligji i Arsimit të Lartë e përcakton qartë rolin e rektorit. Ai punon për cilësi të lartë të mësimdhënies, aktivitet krijues e shkencor. Personalisht rektorin në të gjithë format e punës se tij e shoh si një autoritet që punon për forcimin e fakulteteve. Elementi kryesor ku unë do të mbështetem është programi im që e parashtroj në vijim.Programin e shikoj të ndarë në tre shtylla kryesore:Pasurimi i curriculaveFakultetet e Akademisë së Arteve do të rishikojnë dhe përpunojnë në kuadrin e Kartës së Bolonjës, me synim rritjen e pretendimeve formuese dhe riformuese, tekstet mësimore, curriculat e lëndëve {sidomos atyre speciale}, programet e tyre, përgatitjen e leksioneve, si dhe mënyrën e kryerjes së praktikave laboratorike me krijimet cilësore të studentëve. Curriculat me pasurimin e tyre do të mundësojnë formimin cilësor bazuar jo vetëm në përvojën e shkollës, por edhe me njohuritë dhe informacionin e domosdoshëm për zhvillimet dhe rrjedhat bashkëkohore. Rritja cilësore e procesit mësimor do të jetë objektivi ynë kryesor. Rrugët për realizimin e këtij objektivi, unë besoj se duhet t’i mbështesim në:Përmirësimin e strukturës së curriculave nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm të rritjes së cilësisë së programeve, objektivave të tyre, si dhe elementeve të tjerë që fuqizojnë programet.Përmirësimi i metodave për realizimin e këtyre programeve do të mbështetet në traditën më të mirë, përvojën dhe format e reja interaktive, ku studenti do të jetë subjekti qendror.Pasurimin e curriculave do ta ndihmojë gjithashtu edhe hapja e mëtejshme e shkollës ndaj programeve dhe propozimeve, si dhe përvojave të ndryshme nga akademi simotra.Po ashtu, në dobi të rritjes së cilësisë së curriculave do të bëhen përpjekjet maksimale për rritjen e mobilitetit të pedagogëve, rritjen e kontaktit të tyre me ambientet akademike jashtë Shqipërisë, rritjen e cilësisë dhe pasurimin e CV së tyre. Do kërkojmë forma dhe rrugë alternative, ku përveç bursave të ndryshme apo aplikimeve në fondacione e universitete, ne do të përpiqemi që me përgjegjësi të rrisim të ardhurat, pjesë e të cilave të përdoren për të bërë të mundur që anëtarë të stafit akademik apo edhe studentë, të cilët plotësojnë parametrat e duhur dhe shpalosin cilësi krijuese e shkencore të nivelit të lartë, të mund t’i dërgojmë në specializime dhe pse jo edhe për të mbrojtur doktoraturën në shkolla perëndimore me përvojë në fushat tona. Në funksion të këtij procesi, unë besoj se ngritja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, do të përbëjë një hallkë të rëndësishme dhe shumë të dobishme për bashkëpunimet artistike e shkencore të pedagogëve e studentëve, grupeve e individëve. Në këtë kuadër edhe ftesat për pedagogë të huaj do të jenë pjesë e procesit që kërkon bashkëpunimi artistik e institucional.Një organizim të ri, më cilësor do të ketë dega mësimore, e cila do të luajë një rol thelbësor në reformimin e curriculave, programeve e ngarkesave mësimore. Ngritja e kësaj strukture në parametra të tjerë cilësore është domosdoshmëri, pasi do të ndjekë nga afër edhe reformën në kuadër të Kartës së Bolonjës.Akademia e Arteve si laborator i rëndësishëm i krijimit të vlerave artistikeAkademia e Arteve është një institucion që në misionin e saj ka jo vetëm edukimin metodik, por edhe krijimin e vlerave të mirëfillta artistike. Bazë e kësaj krijimtarie është laboratori krijues, përmes të cilit ne realizojmë punën mësimore-krijuese në bazë të dinamikes së transmetimit të njohurive e krijimtarisë konkrete të studentëve e pedagogëve. Një nga objektivat tona më emergjente është kthimi i Akademisë së Arteve në një qendër të rëndësishme kombëtare të prodhimit dhe promovimit të vlerave dhe mendimit artistik. A. e Arteve është vërtet institucioni më i rëndësishëm kombëtar i edukimit artistik. Ky institucion ka pasur përherë protagonizëm në formimin e profesionistëve të artit, por pa dyshim edhe mangësi në rritjen e mendimit teorik të arteve. Si do të arrijmë ne që ta kthejmë Akademinë në një laborator të rëndësishëm që krijon debate mbi artin në nivel kombëtar e ndërkombëtar? Për t’i shërbyer këtij objektivi ne duhet që laboratorët, studiot, sallat, atelietë t’i kthejmë në qendra të debateve të ndjeshme dhe të afta për t’iu përgjigjur sensibiliteteve kombëtare dhe ndërkombëtare të tendencave të reja në art dhe mendimit artistik. Menaxhimi i drejtë i institucionitAsnjë drejtues institucioni nuk është i kënaqur me buxhetin që i caktohet institucionit që ai drejton. Në rastin tonë, ligji Arsimit të Lartë ka specifikuar dhe ngritur një strukture të posaçme për administrimin financiar, Këshillin e Administrimit. Bashkëpunimi institucional midis Senatit dhe këtij Këshilli do të jetë i dobishëm, pasi ata do të kërkojnë që buxheti i alokuar të miradministrohet nëpërmjet procedurave transparente. Personalisht do të jem gjenerues i idesë që me buxhetin e akademisë të kenë mbështetje projektet artistike e shkencore të individëve apo grupeve të studenteve e pedagogëve në tre fakultetet. Ndarja e buxhetit në strukturat e akademisë do të behet nëpërmjet konkurrimit me projekte. Po ashtu në realizimin e projekteve rol të madh do të luajë edhe pjesëmarrja e faktorëve nga bota e biznesit dhe e mekanizmave të tjerë shtetërore, të cilët do të mbështesin financiarisht projektet artistike. Gjithçka do të jetë transparente dhe e mundur për t’u verifikuar prej cilitdo që do kërkojë informacion. Të ardhurat e institucionit do vijnë në rritje si pasojë e një menaxhimi të drejtë të resurseve që ofron infrastruktura jonë, por gjithmonë duke mos abuzuar me hapësirat por duke i shfrytëzuar ato maksimalisht për procesin metodik e artistik.StudentëtCilësia në A. e Arteve rritet duke rivënë në plan të parë marrëdhëniet pedagog-student. Në marrëdhëniet me studentët në A. e Arteve ka një traditë liberale që duhet përkrahur, por unë mendoj se kjo traditë rritet më shumë kur paralelisht me rritjen e personalitetit të studentit të kemi rritjen profesionale të pedagogut. Të mos bëjmë sikur nuk e dimë se ka probleme në këto marrëdhënie. Kërkesa e vetë trupës pedagogjike duhet të vijë në rritje, pasi është komuniteti studentor që e kërkon. Të përkrahim studentët më të talentuar, ata që vërtet punojnë dhe me vlerat e tyre të padiskutueshme tregojnë më së miri nivelin e shkollës sonë. Ne do t’i dëgjojmë ata më shumë e po ashtu do t’ju krijojmë mundësi informacioni e shpalosjeje të talentit të tyre. Do shmangim përdorimin e studentëve në projekte thjesht për interesa komercialiste e private, në të cilat nuk shprehet cilësi. Vitet e fundit ky fenomen ka qenë shqetësues. Studentët do të jenë epiqendra e gjithçkaje në Akademinë e Arteve. Unë i siguroj se ne do të bëjmë gjithçka për rritjen e mëtejshme të nivelit të mësimdhënies, kushteve të ambienteve e laboratorëve, si dhe për një diplomë të një niveli të lartë cilësor. Personalisht do jem përkrahës i nismave të tyre jo vetëm mësimore e artistike, por edhe argëtuese. Po ashtu, në bashkëpunim me studentët ne do të bëjmë përpjekjet maksimale që studentët tanë të përfitojnë të gjitha avantazhet dhe lehtësirat që iu jep karta e studentit. InfrastrukturaTë gjithë biem dakord që në gjendjen aktuale A. e Arteve ka nevoja të mëdha. Ajo vërtet është një qendër e krijimit dhe laboratorit artistik, por kushtet që ofron kërkojnë, jo vetëm një përkushtim për ta mirëmbajtur e administruar në mënyrë korrekte, por edhe investime të cilat do të rrisin parametrat e domosdoshëm për laboratorë e ambiente bashkëkohore.Unë ndiej keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhen klasat apo ambientet e ndryshme, ku nuk mund të pretendohet të bëhet mësim në parametrat e duhur. Mendoj dhe besoj njëkohësisht, se ajo ç’ka kërkohet në përmirësimin e këtyre kushteve është vullneti e përgjegjësia. Patjetër që kërkohet mbështetje financiare. E për këtë mundësitë ekzistojnë duke punuar me projekte konkrete e duke mos pritur vetëm investime shtetërore. Donacionet e ndryshme, si dhe një menaxhim i saktë e transparent i buxhetit, rritja e të ardhurave, do të bëjnë të mundur përmirësimin rrënjësor të gjendjes në tre Fakultetet.Një nga projektet e mia ambicioze në drejtim të infrastrukturës është ruajtja e A. së Arteve nga degradimi i mëtejshëm, që i janë bërë për dekada me radhë godinës kryesore në identitetin e saj. Ristrukturimi i ambienteve të brendshme, si një domosdoshmëri për rritjen e cilësisë së mësimdhënies është ndër prioritetet e mia. Ai parashikon studio, klasa e atelie me kushte pune komode e pajisje laboratorike të kohës. Do të jenë Fakultetet e Muzikës, Artit Figurativ e Artit Skenik që do t’i ndiejnë realisht këto ndryshime.Ristrukturimi i ambienteve të jashtme në Akademi e përreth saj është një moment tjetër që do të shpreh përgjegjësinë dhe vullnetin tim të padiskutueshëm. Mendoj, se ky moment do të ndihmojë shumë në krijimin e një atmosfere krijuese për trupën pedagogjike e studentore. Unë mund t’ju them se nuk do të vihet më me stresin, se nuk kemi ku të parkojmë makinën e si rezultat edhe duke mos qenë korrektë me atë që kemi kryesore, procesin krijues e metodik. Për këtë që në vitin e parë të drejtimit do të bëjmë të mundur një parkim për 40-50 automjete, duke organizuar në mënyrë korrekte këtë shërbim të domosdoshëm për të gjithë ne.Po ashtu, për tre fakultetet në koordinim me kërkesat e dekanateve do bëhen përpjekje për krijimin e hapësirave të reja për mësim. Ne do të arrijmë, që ambientet ekzistuese t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Gjithashtu, një projekt që do të gjejë zbatim në të tre fakultetet është edhe krijimi i një hapësire moderne për takimet e pedagogëve apo këshillave të fakulteteve. Në këtë rast dëshiroj të theksoj, se do të ndjek shembullin e Fakultetit të Artit Figurativ, ku trupa pedagogjike me sipërmarrjen e saj, ka arritur të ketë tashmë një ambient të tillë model. Ndërsa, Senati i Akademisë, do të ketë ambientin e tij të punës në kushte optimale, të pajisur me foni e aparatura moderne. Të gjitha këto, do kërkojnë padyshim mbështetjen e kolegëve, studentëve, por sidomos të organizmave që do e drejtojnë A. e Arteve, siç janë Senati dhe Këshilli i Administrimit. Për të gjitha së bashku do vendosim afate dhe nuk do të mungojë përkushtimi për t’i realizuar ato në kohë.Biblioteka e A. së ArteveSi një ndër sektorët ndihmës më të rëndësishëm në procesin tonë metodik e shkencor, biblioteka do ketë përkrahjen time maksimale, me qëllim kthimin e saj në një qendër të rëndësishme të mendimit teorik të kualifikuar. Kjo edhe për faktin, se aty është i angazhuar një personel, i cili në vite ka treguar dëshirë, vullnet e përgjegjësi. Koha që ne po jetojmë përkufizohet edhe, si “shekulli dhe shoqëria e informacionit” dhe padyshim burimet elektronike janë e ardhmja e bibliotekave tona universitare. Mendohet se, pas 10-20 vitesh, më shumë se 99% e të gjithë informacioneve do të jetë elektronike.Ndërgjegjësimi, sensibilizimi dhe familjarizimi i strukturave drejtuese në akademi do të bëjë të mundur mbështetjen e nismave të tilla, të domosdoshme dhe futjen në projekt buxhetin e bibliotekës së A. së Arteve të fondit valutë për pagesën e anëtarësimit dhe abonimin e burimeve elektronike.ADMINISTRATAAdministrata e A. së Arteve është një strukturë në shërbim të miradministrimit dhe krijimit të kushteve maksimale për një proces metodik krijues rezultativ. Ajo në parim, e ka funksionin e saj. Unë mendoj, se si strukturë ndihmëse dhe me shumë rëndësi edhe ajo duhet të ketë pjesën e saj në procesin e reformimit të A. së Arteve. Ky reformim do të konsistojë në vënien në efiçencë të plotë të përvojës së këtyre punonjësve në dobi të procesit krijues. Jo vetëm kaq. Këtyre strukturave u mungojnë Rregulloret e brendshme, të cilat do të detajojnë çdo shërbim që ofron një specialist i administratës, duke ngritur padyshim cilësinë e shërbimit të tyre gjithnjë në funksion të procesit metodik e krijues. Bashkëpunimi me MASH dhe organizmat e tjerë shtetërore do ketë një rol të rëndësishëm në këtë sipërmarrje aspak të lehtë e shumë të përgjegjshme. Bashkëpunimi do të njohë hapësira të reja edhe me institucione të rëndësishme të artit në vendin tonë si TOB, Teatri Kombëtar, Galeria Kombëtare e Artit, Ministria e Kulturës, RTSH e televizione të tjerë. Partneriteti me to do të jetë në funksion të procesit metodik, por edhe në bashkëpunime konkrete, nëpërmjet të cilave studentë e pedagogë do të jenë protagonistë të shpalosjes së vlerave më të mira të shkollës sonë.Gjithçka paraqita më lart, fare mirë mund të monitorohet nga strukturat kryesore të akademisë, si dhe nga gjithë faktorët e tjerë, studentët e pedagogët. Jam i hapur për bashkëpunim me gjithë personelin akademik, studentët dhe personelin joakademik. Eshtë bindja dhe vullneti im, që bashkëpunimin ta kthej në mjetin kryesor të punës sime, për të bërë të mundur ndryshimin.