Berisha: Gati dekreti për shpërblimin e pensionistëve
• Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e grupit të PD-së, se vendimi për dhënien e 5 mijë lekë të reja shpërblim për pensionistët do të kalojë në Kuvend nëpërmjet dekretit që ai të hyjë në fuqi menjëherë.“Këtë vendim qeveria do ta sjellë si dekret tek ju dhe shpresojmë që të miratohet sa më shpejt. Do të operohet me dekret për faktin se ai duhet të hyjë menjëherë në fuqi, para votimit, në mënyrë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume”, u shpreh dje Kryeministri në mbledhjen e grupit të PD-së. Duke iu referuar këtij vendimi, Berisha tha se kostoja e këtij shpërblimi për pensionistët do të jetë rreth 30 milionë dollarë. “Ministri i Financave ka punuar me një përkushtim shumë të madh, për të cilin, unë dua ta falënderoj. Kjo shumë shkon rreth 30 milionë dollarë. Por, pavarësisht kësaj, ky vendim ka në vëmendje dy gjëra: e para, festat e fundvitit nuk mund të bëheshin pa një shpërblim për ta. E dyta, në këtë mënyrë iu dha përgjigjja më e merituar inflacionit. Kjo gjë mbi-indekson pensionet dhe me këtë shpërblim tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit. Ky është një lehtësim shumë i madh për ne”, tha Berisha.Pensionet, shpërblimet pas 20 dhjetorit Duke nisur nga data 20 dhjetor pensionistët së bashku me pensionin e tyre do të mund të marrin edhe 5 mijë lekëshin, shpërblimin e Vitit të Ri. Ndarja e shpërblimit do të vazhdojë deri në ditën e fundit të vitit. Por burime pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore shprehen, se për ata pensionistë të cilët nuk do arrijnë ta marrin shpërblimin para festave të fundvitit, atëherë 5 mijë lekëshin do ta marrin në janar të 2008-ës, kur të kenë datën e marrjes së pensionit. Sipas të dhënave paraprake, efekti financiar vetëm për shpërblimin e pensionistëve arrin në rreth 30 milionë dollarë. Pas miratimit të vendimit, do të nisë hartimi i listave të emrave dhe përgatitjes së urdhërpagesave që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Për festat e fundvitit nuk do të ketë kategorizime për pensionistët, pasi shpërblimin prej 5 mijë lekësh do ta marrin të gjithë, si pensionistët në fshat, ashtu edhe ata në qytete. Ky është viti i dytë radhazi që pensionistët marrin shpërblim për festat e fundvitit. Në 2006-ën masa e shpërblimit ishte 5 mijë, sa këtë vit.