Ditari i Pëllumbit për bojkotin
Botimi i sotëm është marrë me shkurtime nga kapitulli “ç’të mbjellësh do të korrësh” i librit të 10 të profesorit të socialistëve, Servet Pëllumbi, “Filozofia e aktualitetit”, shënime dhe analiza. Në këtë pjesë të librit, i cili është bazuar kryesisht në shënimet e përditshme rreth zhvillimeve politike, Pëllumbi jep edhe qëndrimin e tij rreth bojkotit të deputetëve socialistë, anët pozitive dhe negative të tij.
Servet Pëllumbi
Dy fjalë për bojkotin...
...Bojkoti që po i bëjnë Kuvendit deputetët socialistë meriton të vlerësohet, së pari, si një formë e organizuar proteste dhe mosmiratimi i praktikave të Qeverisë Berisha, që çuan në deformimin e votës dhe mosplotësimin e standardeve të zgjedhjeve të lira. Së dyti, si një mjet presioni demokratik për të hetuar rreth asaj që ndodhi me zgjedhjet e 28 qershorit 2009, me qëllimin e mirë që t’u pritet rruga praktikave manipuluese, që vazhdojnë prej vitesh dhe që zgjedhësit shqiptarë të binden për peshën e votës dhe numërimin e saj me ndershmëri. Deri këtu gjithçka është në rregull dhe e pranueshme. Por, brenda PS-së, as për këtë çështje nuk u arrit kohezioni i nevojshëm dhe filloi lakimi i bojkotit. “Mocionistët” madje e interpretuan bojkotimin e Kuvendit si një mjet në interes të kryetarit, për të mos pranuar humbjen dhe për të përligjur rizgjedhjen në krye të PS-së. Një interpretim i tillë më duket i gabuar dhe si pretekst që ndonjë ditë, bojkoti të thyhet nga disa prej “mocionistëve”. Megjithatë, ka vend për kritika edhe ndaj lidershipit të PS-së për bojkotin, sepse u hodh hapi i parë, pa menduar të dytin. E kritikueshme është edhe mënyra se si u vendos hapi i parë, pra bojkotimi. Pas një heshtjeje disi të gjatë dhe të pakuptueshme, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së të 28 korrikut 2009, u tha se rezultati i zgjedhjeve është i papranueshëm, por për bojkot të Kuvendit nuk bëhej fjalë. Më pas, në Kongresin e Jashtëzakonshëm, më 29 gusht, u diskutua për zgjedhjet, u miratuan kandidaturat për kreun e ri të PS-së, që do të votoheshin sipas parimit “një anëtar një votë”, ndërsa nga fundi, me propozim “nga salla”, u autorizua kryesia të trajtonte çështjen e bojkotit. Dhe kjo u interpretua si vendim i kongresit për bojkotimin pa afat të Kuvendit, si e “vetmja zgjidhje për PS-në për të kthyer lirinë e të tjerëve”. Përsëri çështja mbeti e hapur për interpretime e kundërshti.
Në njërën nga seancat e para të Kuvendit, deputetëve të PS-së iu njohën mandatet si gjithë të tjerëve, por ata nuk e bënë betimin dhe për pasojë, mandatet e tyre nuk janë bërë aktive, ndaj dhe nuk shoqërohen me të gjitha të drejtat që rrjedhin prej këtej. Përsëri çështja mbetet e hapur: janë apo nuk janë deputetë e përfaqësues të popullit, kur të zgjedhurit nuk pranojnë të bëjnë betimin? A mund të quhet kushtetues Kuvendi i Shqipërisë, përderisa nuk plotëson kërkesën e nenit 64 të Kushtetutës, që sanksionon se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë? A është i mjaftueshëm bojkoti, që gjithsesi, njihet si një formë pasive e luftës politike, për të realizuar atë që kërkon opozita? A mos do të ishte më mirë një gërshetim i bojkotit me shfrytëzimin e tribunës së Kuvendit nga 64 deputetët e opozitës për interesat e vendit dhe të demokracisë? Bojkotimi i zgjatur pa fund, a nuk përmban rrezikun e mbivendosjes së të drejtës politike mbi atë kushtetuese? Si mund t’i shpëtohet rrezikut të izolimit politik nga faktori ndërkombëtar, që nuk parapëlqen bojkotin, por pjesëmarrjen dhe vazhdon t’i bëjë thirrje PS-së që të heqë dorë nga bojkoti? Dhe, së fundi, nëse opozita nuk do të dijë të korrë favore politike nga bojkoti i tanishëm, a do të ketë arsye të mjaftueshme që t’i kërkohet llogari për “harrim” të sentencës filozofike: “ç’të mbjellësh, do të korrësh”?
çështje të tilla dëgjohen në radhët e elektoratit dhe të deputetëve të PS-së, të cilët ende nuk janë organizuar dhe nuk po veprojnë si duhet as si grup parlamentar. Gërshetimi i bojkotit me mitingjet në rrethe ia rrit vlerën kësaj lloj proteste, por pretendimi është që mitingjet mund dhe duhej të ishin me një pjesëmarrje më të madhe. Dhe, patjetër, me më pak fjalime e hartime. Për pasojë, mbase shumë shpejt, korrelacioni bojkot-miting mund të këputet. Gjithsesi, shumica qeverisëse e ndien, por nuk e pranon hapur, se pa opozitën nuk mund të qeveriset, nuk mund të ketë jetë parlamentare dhe funksionim normal e demokratik të tre pushteteve. Vendi detyrimisht do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, shumica e sotme qeverisëse, në vend që të shqetësohet dhe të kërkojë rrugën e dialogut dhe të kompromisit me opozitën për zgjidhjen e krizës, që nuk është vetëm parlamentare, bën të kundërtën: zgjedh rrugën e trysnive antidemokratike dhe të zgjidhjeve antikushtetuese, rrugën e kërcënimeve ndaj opozitës, madje me “thyerje dhëmbësh, dhëmballësh e nofullash”, tipike për diktaturat.
Ndërkohë, Qeveria e dalë nga votat e manipuluara, vazhdon të spekulojë me mesazhet e faktorit ndërkombëtar. Edhe pse tetë ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë i bëjnë thirrje politikës për të gjetur zgjidhje që opozita të hyjë në Kuvend, përsëri bëhet e kundërta, me qëllim që t’ia lënë gjithë përgjegjësinë opozitës. Madje, duke dashur që asaj t’i kundërvënë edhe popullin, drejtuesit e Qeverisë deklarojnë me naivitet, se “për fajin e opozitës, po vonohet lëvizja e shqiptarëve pa viza në Evropë”. Sikur shqiptarët të kishin sot vetëm hallin e vizave dhe evropianët që monitorojnë situatën në Shqipëri të ishin ndër politikanët më naivë të planetit!
Ndërkohë, në linjën e Kuvendit, shumica qeverisëse bëri publike disa përpjekje të dëshpëruara për të marrë “iniciativa” kërcënuese për heqje kolektive të mandatave të deputetëve të PS-së dhe për t’i zëvendësuar me të tjerë, në thelb me të emëruar nga listat e koalicionit. Pa folur për ndalesën e rrogës së deputetëve. Ndëshkim i padëgjuar dhe i paparë! Sikur zgjedhja e deputetëve dhe mandatet e tyre të mos jenë vullnet i elektoratit, por një lloj emërimi nga drejtuesit e Kuvendit. Ky është një demonstrim tjetër i logjikës së diktaturave, që instalojnë frikën dhe që duan të qeverisin pa opozitë. Nuk arrijnë as të kuptojnë se kjo është rruga më e shkurtër për të prerë “degën” mbi të cilën qëndrojnë vetë, sepse po iu hoq në grup mandati 64 deputetëve të opozitës, bie vetë Kuvendi, që sipas Kushtetutës, duhet të ketë 140 deputetë (mandate të popullit). Për rrjedhojë, “korrjet” pas një “mbjelljeje” të tillë përsëri nuk mund të sjellin produkt tjetër veç krizës politike, që së shpejti pritet të marrë përmasat e një krize të përgjithshme, specifike për një vend me demokraci imituese dhe problematike.
Opozita, nga ana e vet, duket se ka nxjerrë mësime nga politika e lëshimeve, nga marrëveshjet që bëri me Berishën para zgjedhjeve dhe po ndjek rrugën e barrikadizimit në një pozicion që duket i ngurtë e jo bashkëpunues dhe e shndërron bojkotin në të vetmin mjet lufte dhe trysnie. Nuk them se nuk ka motivim për një “opozitë të fortë”, por gjithsesi kërkohet një qëndrim më autokritik, shoqëruar me analizën e gabimeve që janë bërë, me qëllim që gabimet të mos ndreqen duke bërë gabime të reja. Ja disa fakte për konkretizim.
Pas zgjedhjeve vendore (2007), por sidomos gjatë vitit të fundit para zgjedhjeve parlamentare (2009), PS-ja, për hir të bashkëpunimit dhe paraqitjes demokratike e la disi mënjanë përgjegjësinë e Qeverisë për tragjedinë e Gërdecit, me qëllim që të jepej konsensus i pakushtëzuar për anëtarësimin në NATO, ndërkohë që këto ishin dy çështje të ndara në substancë. Kështu, PS-ja pranoi të bëheshin shpejt e shpejt një varg ndryshimesh kushtetuese, pa pyetur specialistët dhe pa i parë shumë interesat e veta më afatgjata. Ndërkaq, pranoi edhe ndryshimin e kodit zgjedhor, pa i rënë hilesë pse Berisha ra aq shpejt dakord me opozitën. Pas zgjedhjeve, plasi flluska e luftës së Berishës për standarde demokratike të zgjedhjeve dhe për trukimin e opozitës.
Pasoja më e afërt ishte kalimi i opozitës nga euforia e një fitoreje të pritshme në hutimin dhe dëshpërimin e humbjes, prandaj dhe u kujtua vonë për atë që kishte ndodhur në të vërtetë. Gjithë “ushtria” e komisionerëve dhe e vëzhguesve nuk tregoi ndonjë kujdes të veçantë ndaj shkeljeve, evidentimit dhe denoncimit të tyre, por nënshkroi, nga poshtë e deri lart në KQZ, gjithçka që iu servir në tryezë dhe nën tryezë. Opozita filloi t’i përngjante më tepër një të zhgënjyeri e të hutuari, që ia marrin kafshatën nga goja dhe nuk di ç’të bëjë me atë që ka përballë, i cili nuk njeh apo, më saktë, nuk do që të zbatojë rregullat e lojës demokratike dhe marrëdhëniet e partneritetit me opozitën. Në këtë rast, bojkotimi i Kuvendit duket, së pari, si një shkundje e vetë PS-së dhe sidomos e lidershipit të saj. Pa përjashtuar një theks të fortë inati ‘ala shqiptarçe’. Së dyti, bojkoti duket si një shans për të gjithë, pra edhe për maxhorancën, me qëllim që të ndërpritet gradualiteti i së keqes, deformimi i rëndë i votës së elektoratit, praktika e trysnisë për votën e deri dhe për bukën e gojës e që, më në fund, të vetëdijesohemi për nevojën e një katarsisi jetik për fatin dhe shëndetin e demokracisë në Shqipëri. Së treti, që edhe faktori ndërkombëtar, përballë një bojkoti të vendosur e të zgjatur të opozitës - që i janë bashkuar edhe forca politike të djathta, dikur aleate të PD-së - të arrijë të kuptojë se zgjedhjet në Shqipëri, që shkelin rëndë kriteret e njohura të Kopenhagës, nuk mund të kalohen me arsyetime të llojit “zgjedhjet nuk plotësuan standardet, por ishin më të mira se të mëparshmet”. Këto janë disa nga vlerat e bojkotit të tanishëm, për të cilat mund dhe duhet të debatohet. Kuptohet, pa e parë këtë lloj bojkoti si të vetmin shteg dhe pa mohuar kufizimet që ai sjell kur fetishizohet dhe humbet çdo fleksibilitet, siç po ndodh për fajin e të dyja palëve. Gjithsesi, ai duhet parë si specifik për kushtet e tanishme të demokracisë shqiptare, që nuk i gjendet ndonjë ekuivalencë në ndonjë vend tjetër të demokracisë së re. E aq më pak në ndonjë vend të zhvilluar demokratik të Evropës.
Nga një kënd tjetër vështrimi, edhe maxhoranca aktuale, që është tepër problematike, duhet të shohë me realizëm arsyet, por sidomos pasojat e një qeverisjeje pa opozitë dhe të një bojkoti që nuk është thjesht dhe vetëm i 64 deputetëve, të cilët u “vetësakrifikuakan për kryetarin”, por e atij që quhet shkurt “popull opozitar”, që nuk është i ndarë me mure nga “populli qeverisës”.
Vijon nesër..
Në 10 vite, 10 libra me analiza politike
Profesori i socialistëve, siç jemi mësuar ta thërrasim, Servet Pëllumbi, vazhdon të botojë. Këto ditë ai ka nxjerrë librin e dhjetë të tij që nga viti 2000, i cili është shkruar në formë bisedash me lexuesin. “Filozofia e aktualitetit” i jep mundësi lexuesit të kuptojë se bëhet fjalë për një këndvështrim unik filozofik dhe për një shqetësim qytetar të autorit. “Dritëhijet e tranzicionit”, “Të mendosh ndryshe”, “Gjurmime sociologjike”, “Sprova në sociologjinë politike”, “Edhe politika do moral”, “Pluralizmi politik. Përvojë dhe sfida”, “Bashkëbisedim për politikën”, “Demokracia dhe zëri i moralit” dhe “Globalistika. Refleksione filozofike për një epokë”, janë botimet e Pëllumbit në 10 vitet e fundit.