E Diel, 1 Nëntor 2026

Enveri, sovjetikëve: Liri Gega po flet, por dokumente s’i gjetëm



Ferdinand Dervishi

Të bindur si qeni para të zotit. Sërish krerët komunistë shqiptarë, sipas dokumenteve autentike të arkivave sovjetike, sillen para të dërguarve të Nikita Hrushovit sikur të ishin para eprorëve, duke u munduar të lënë përshtypje sa më të mirë, duke u përpjekur të përcjellin se gjithçka funksionon në mënyrë perfekte dhe shpesh duke mashtruar, për të mos prishur këtë imazh të krijuar. Dokumenti i mëposhtëm ka përmbajtjen e bisedës së ambasadorit sovjetik në Tiranë, L. Krillov me Enver Hoxhën, të realizuar më 21 gusht 1956. është koha kur vetë sovjetikët i kanë rregulluar marrëdhëniet me jugosllavët e Titos, por krerët komunistë shqiptarë janë ende shumë larg një imazhi të ngjashëm, madje ende të acaruar për shkak të ndërhyrjes, sipas tyre, të jugosllavëve në Konferencën e Partisë së Tiranës, mbajtur pak muaj më parë, në prill 1956. Kështu që në fillim të bisedës, Enver Hoxha i përmend të dërguarit të Hrushovit disa “incidente” fare të freskëta me jugosllavët dhe menjëherë më pas, si për të bërë një balancë inatçore, i rrëfen se si Liri Gega, e arrestuar për lidhje me jugosllavët, kishte nisur të fliste dhe të tregonte për veprimtarinë e saj armiqësore. Një fakt që nuk njihet, pasi në dokumentet e hetuesisë së Liri Gegës nuk ka asnjë radhë të shkruar të ngjashme me ato që Enver Hoxha ia rrëfen ambasadorit sovjetik, sipas të cilave “Liri Gega e arrestuar, tashmë është duke dhënë shpjegime të imta për veprimtarinë e saj dhe veçanërisht, drejtpërdrejt rrëfen se këshilltari i misionit jugosllav në Tiranë, Svetozar Vuçiç, rregullisht ka qenë në apartamentin e saj, duke marrë informacione për ecurinë e Konferencës së Partisë së Tiranës...”.
Ka të ngjarë që këto të kenë qenë akuza apo dyshime të Sigurimit të Shtetit për Liri Gegën, të cilat Enveri i shet si të vërteta para eprorit të vet, duket me qëllim që të justifikojë arrestimin e Gegës, mbase i frikësuar se ndoshta ky lloj ndëshkimi ‘ala Stalinist” nuk do i pëlqente Hrushovit, por edhe me qëllim që të argumentojë se sa armiqësore ka qenë politika jugosllave me Shqipërinë. Në fund të bisedës ambasadori sovjetik “sipas këshillave të qendrës” i jep Enver Hoxhës të dhëna për një takim të drejtuesit të organizatës amerikane “Për çlirimin e Epirit” me përfaqësues të Qeverisë greke. Informacioni thoshte se ky person i kishte kërkuar qeverisë mbështetje për krijimin e grupeve të mëdha diversioniste në jug të Shqipërisë, të cilat do të udhëhiqeshin nga gjenerali Zerva. Por Enveri e kalon gjithçka pa e prishur gjakun, duke thënë se Zerva është “një i njohur i vjetër” dhe se grekët nuk mund të vënë në jetë të tilla përpjekje. Më poshtë përkthimi i saktë i dokumentit origjinal.

Hoxha: Liri Gega po flet
Nga raportet e Krillovit L.I.
SEKRET
Ekz: Nr. 3
31 gusht 1956
N: 347
Procesverbali i bisedës me Sekretarin e Për të KQ të PPSH-së Enver Hoxha.
21 gusht 1956.
Sot i bëra një vizitë sh. Enver Hoxha dhe i dhashë atij pakon me letrën personale të sh. Hrushov, teksti i së cilës i ishte dhënë më parë me telegraf dhe i marrë në kohën e duhur nga sh. Enver Hoxha.
Në bisedë sh. Enver Hoxha më tregoi se kishte marrë një telegram nga misioni shqiptar në Beograd, ku thuhej se gazeta “Borba” ka publikuar një shënim për vizitën në Manastirin e Ohrit dhe në një numër vendesh të banuara, që gjenden në territorin jugosllav, të një grupi diplomatësh të akredituar në Tiranë, atij bullgar, rumun, polak, çekosllovak, hungarez, të ftuar nga i dërguari jugosllav në Tiranë, Milatoviç. Enver Hoxha, duke theksuar mes të tjerave se në këtë grup mungoja unë dhe i dërguari kinez, tha se sigurisht që jugosllavët kanë për t’i dhënë këtij udhëtimi theks politik, sepse për faktin që Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së priti të dërguarin jugosllav Milatoviç, gazetat jugosllave nuk shkruan asnjë fjalë. Enver Hoxha tha se Liri Gega e arrestuar, tashmë është duke dhënë shpjegime të imta për veprimtarinë e saj dhe veçanërisht, drejtpërdrejt rrëfen se këshilltari i misionit jugosllav në Tiranë, Svetozar Vuçiç, rregullisht ka qenë në apartamentin e saj, duke marrë informacione për ecurinë e Konferencës së Partisë së Tiranës dhe se i ka rekomanduar asaj së bashku me të shoqin, të shkojnë në Jugosllavi, ku u ka premtuar se do i ndihmojë materialisht. Në lidhje me këtë, Enver Hoxha më tregoi gjithashtu, se pak kohë më parë në takimin e të dërguarve italian, francez e jugosllav, ky i fundit i ka deklaruar të dërguarit italian që ai nuk ka pse të nxitohet për mbylljen e marrëveshjes së paqes me Shqipërinë, përderisa në shtator në Shqipëri mund të ndodhin ndryshime serioze. Enver Hoxha tha se tashmë atyre u duhet me patjetër që të ngrenë vigjilencën, edhe pse nuk ka shkak për alarm. Ngjarje të tilla, si ajo që ndodhi në Poznan (protesta e punëtorëve të Poznanit e qershorit 1956 kundër qeverisjes komuniste për kushte më të mira jetese, që u shtyp me tanke, ku si rezultat i dhunës humbën jetën nga 57 deri në 78 njerëz, përfshirë një fëmijë 13 vjeç red.) nuk mund të ndodhin në Shqipëri, por që të rrisim vigjilencën, tashmë është shumë e nevojshme. Në lidhje me këtë, Enver Hoxha bëri një numër vërejtjesh kritike për punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai tha se atje ka shumë vetëkënaqësi, familjaritet, sidomos gjatë arrestimit të Liri Gegës, u mësua se ajo kishte fshehur nëpër kushërinj një numër dokumentesh personalë, por të bëheshin gjurmime përkatëse dhe të gjendeshin këto dokumente, shokët nuk arritën në kohë. Dalin edhe fakte të tilla, si për shembull, në Berat, ku drejtuesi i MPB (Ministrisë së Punëve të Brendshme red.) për të kapur peshq aplikoi shpërthimin si rezultat i të cilit u plagos për vdekje zëvendësi i tij. Por e gjitha kjo ka kaluar pa ndëshkim. Kur në krye të organeve të sigurisë ishte Mehmet Shehu, ngjarje të tilla atje nuk ishin vënë re, kishte një disiplinë të rreptë dhe punonjësit i ndjenin përgjegjësinë e tyre para partisë dhe shtetit, por tashmë puna është shpërbërë paksa.
Prandaj është e nevojshme të shtrëngohet puna e organeve të MPB, që ato t’i zgjidhin drejt detyrat e tyre.
Pastaj unë, sipas këshillave të qendrës, i rrëfeva Enver Hoxhës se në Greqi është mbajtur takimi i drejtuesit të organizatës amerikane “Për çlirimin e Epirit” Kosta Dimosit me përfaqësues të Qeverisë greke. Kosta Dimos këmbënguli në themelimin e grupeve të mëdha diversioniste nën udhëheqjen e gjeneralit të njohur Zerva dhe lëvizjen e tyre në jug të Shqipërisë. Por përfaqësuesit e Qeverisë greke nuk i shkuan pas kësaj ideje, duke thënë se tashmë gjendja e brendshme politike dhe situata me ishullin e Qipros nuk ua lejon atyre ta bëjnë këtë. Enver Hoxha tha se këta janë të njohur të vjetër, me gjeneral Zervën neve na është dashur edhe më parë të takohemi dhe madje të luftojmë. Dhe përpjekjet e tyre për t’i shkaktuar dëme Shqipërisë nuk mund të vihen në jetë.
Me këtë biseda jonë u mbyll.
Ambasadori i BS në Shqipëri
L. Krillov (firma)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›