E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditari i një kinoregjisori

"Ditët kalonin pa u ndjerë... shokët ishin të gjithë shumë të mirë. Mes gjashtë kineastëve të ardhshëm, mbretëronte afërsia, sinqeriteti, dashuria... Është koha kur te dera e dhomës ku punoja filloi të shfaqesh gjithnjë e më shpesh Endri, i cili, pasi shihte që isha e vetme, afrohej dhe ulej pranë meje... Me Endrin më dukej se bisedoja më me dëshirë. Kështu vazhdoi derisa një mbrëmje vetvetiu biseda jonë erdhi e u bë konkrete. Atë mbrëmje folëm gjatë, herë direkt e herë indirekt, derisa na u mbaruan argumentet dhe fjalët. Pikërisht atëherë kur nuk kishim se çfarë t‘i thoshim më njëri-tjetrit dhe po bëheshim gati të ndaheshim, Endri nxori nga xhepi i brendshëm i kostumit një fotografi ku kishte dalë duke qeshur dhe pasi shkroi në anë të saj disa fjalë ma zgjati duke më parë në sy. Isha përballë faktit të kryer, ia mora, edhe pse nuk isha e bindur nëse duhej ta merrja apo jo atë fotografi. Pastaj ula sytë dhe lexova... "Ia dhuroj shoqkës sime më të dashur, Xhanushkës"... Nuk do të kalonte shumë kohë nga ajo çka ndodhi atë mbrëmje të datës 10 prill 1951 dhe "rastësisht" u gjendëm përsëri vetëm duke shëtitur te një nga urat mbi lumin Moskva, fare pranë Sheshit të Kuq... Befas ndjeva duart e Endrit që më përqafuan. E mbaj mend mirë që atë çast, jo vetëm nuk u largova, por mbështeta kokën te gjoksi i tij dhe ashtu e përhumbur i thashë: "Ti Endri më pëlqen shumë, por kam frikë se nuk të njoh"...

Nis në këtë mënyrë, në Moskën e largët, dashuria mes një çifti kineastësh. Me ardhjen në Shqipëri, ajo, Xhanfise Keko, do të kthehej në një prej regjisoreve më të dashura të filmave për fëmijë. Ai, Endri Keko, ndër të parët regjisorë që hodhën gurët e artit kinematografik në Shqipëri. Kanë kaluar plot 20 vjet nga vdekja e tij. Endri ishte i pari i familjes Keko, anëtarët e së cilës kanë lënë gjurmë në fushat ku kontribuuan. Ishte Endri, Xhanfisja, Dori... Tani është Iliri, të cilit duket se i ka mbetur "barra" e kujtimeve të tyre. Pas botimit të librit me kujtime të Xhanfise Kekos "Ditët e jetës sime", pritet të dalë në dritë edhe ditari i regjisorit Endri Keko, titulluar "Ditari i një kinoregjisori". Do të duhet të kalojë ca kohë, të zgjidhen pengesat e përhershme burokratike, para se t‘ua shpërndajë miqve të familjes, ashtu siç bëri edhe me Xhanfisen. Rrëfime personale e profesionale, të dhëna interesante sa i përket rrugës së krijimit të kinematografisë shqiptare, detaje të përditshme... Janë faqe të tëra që shfletohen. Për Ilirin duhet të jetë një njohje e dytë me të atin. Prej disa kohësh e "vërtit" nëpër duar ditarin, për të cilin mund të tregojë shumë. Ishte e ngjeshur jeta e këtij artisti. Gjithnjë i angazhuar, përherë i frymëzuar për të bërë më të mirën. Gjatë gjithë karrierës artistike, numëron 68 filma dokumentarë, 35 filma kronikalë, 38 kinoditarë... të gjitha mbajnë firmën Endri Keko. Pasi del partizan në vitin 1942, Endri Keko emërohet oficer. Pasioni për artin e shtyn që në vitin 1947 të fillojë punë si referent në Komitetin e Arteve dhe Kulturës. Në vitin 1950, së bashku me një grup studentësh të tjerë nga Shqipëria, niset për studime në Bashkimin Sovjetik për t‘u kthyer pas dy vitesh. Menjëherë fillon punë si regjisor në kinostudion "Shqipëria e Re". Po atë vit, realizon edhe kinoreportazhin e parë "Takim i përzemërt" e pas tri vitesh realizon edhe filmin e parë dokumentar "Letër nga fshati". Do të duheshin shumë vite derisa të realizonte filmin e tij të parë dhe të vetëm artistik "Krevati i perandorit". Viti 1979 shënohet edhe si viti kur ai për herë të fundit realizon një film dokumentar. "Ditë të harruara" është çaku i tij i fundit. Por kontributi i Kekos në fushën e kinematografisë shqiptare është vlerësuar me tetë dekorata e tituj, me 16 çmime e kupa festivali. Dashamirës e entuziast, i përkushtuar në punën e tij, Endri Keko ishte i pari që krijoi kronikën kinematografike dhe filmin dokumentaro-artistik. Për të si regjisor, një rëndësi të veçantë kishin skenarët. Në një artikull të vitit 1989, shkruar në maj, një muaj pas vdekjes së regjisorit, shkrimtari Dritëro Agolli kujton miqësinë dhe takimet e përhershme në kafe "Tirana", atje ku sot është Muzeu Historik Kombëtar. "Pas skenarit, ai kërkonte një tekst të gjallë, me fjalë plot kolorit, që të prekte dëgjuesin, që të mos e linte indiferent atë, që t‘i nxirrte në reliev faktet dhe mendimet e filmit", shkruan miku i tij, shkrimtari Dritëro Agolli. Endri Keko, i lindur më 31 mars, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jetoi në këtë vend deri rreth moshës gjashtëvjeçare. Më pas, së bashku me familjen, kthehet në Shqipëri. Kontributi më i madh i regjisorit Endri Keko është në fushën e dokumentarit. Ai është regjisori i parë në këtë gjini. Realizimet e tij sillnin ngaherë ngjarje dhe fakte të vërteta të jetës. Ishte parashikues, realist, në të njëjtën kohë edhe romantik që dinte të ëndërronte, që e donte dhe e çmonte të bukurën. Keko, në të njëjtën kohë ka lëvruar edhe kinoreportazhin, filmin muzikor, historik, biografik... gati të gjitha gjinitë e filmit dokumentar. Në filmat e tij gjenden të regjistruara ngjarjet më të rëndësishme shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në vendin tonë gjatë kohës kur ai punoi. Kontrastet e forta janë një tjetër karakteristikë e filmave të Endrit. Ato forcojnë emocionet, japin dramacitetin e nevojshëm, qartësojnë mendimin. Ndoshta prej përvojës a dashurisë, ai dinte të ngjallte në krijimet e tij realen, për të përcjellë emocionin tek publiku. Endri njeri, por në veçanti ai regjisor, vjen nga kujtimet e miqve dhe kolegëve, me të cilët ndau orët e gjata të punës. Për shkrimtarin Kiço Blushi, regjisorin Endri Keko në krijimtarinë e tij më të mirë e dallon gjuha e gjallë dhe krahasuese, shprehëse dhe poetike, kuadri i pastër dhe komunikimi me spektatorin. Ndërsa për skenaristen Angjelina Xhara, një nga sekretet e suksesit të filmave të regjisorit Endri Keko është komunikimi i ngrohtë me njerëzit që i xhironte dhe me njerëzit me të cilët xhironte. Regjisori Viktor Gjika, i cili ka ndërruar jetë para pak muajsh, ka thënë për Endri Kekon se "ka ditur të pasqyrojë drejt në kinematografinë tonë dokumentare momentet e kthesave të mëdha në psikologjinë dhe mentalitetin e njerëzve të lidhur ngushtë me kushtet historiko-shoqërore, ndaj me të drejtë thuhet: Filmat e regjisorit Endri Keko kanë vulën e kohës". Xhanfise Keko i qëndroi pranë në këtë rrugëtim. Jo vetëm si bashkëshorte, por edhe kineaste. Në kujtimet e saj shkruan: "Ishte 8 prill 1989 kur humba njeriun më të afërt e më të dashur të jetës sime. Kam qenë me fat që njoha, dashurova, jetova e bashkëpunova me një njeri dhe artist si Endri"...

Vitet kalojnë e sa më shumë largohen, aq më shumë të pushton malli për tërë ata me të cilët je rritur, për ata me të cilët ke ecur rrugëve të atdheut e bashkërisht ke vënë nga një gur në themelet e tij. Kujtoj vitet e punës sime në kinematografi për më se tri dekada dhe përpara më dalin njerëzit e nderuar të viteve të luftës e punës, fshatarët, ndërtuesit, minatorët, agronomët, gjeologët, mësuesit, ushtarakët, inxhinierët, mjekët, shoferët, shkencëtarët, shkrimtarët e artistët, të cilët në filmat tanë kronikalë e dokumentarë, kanë përbërë të bukurën e së bukurës.

Ku nuk kam shkuar e ku nuk kam takuar njerëz që s‘më janë ndarë nga mendja për vite të tëra.

Cilin të përmend e cilin të la pa përmendur?

Këta njerëz me shpirt të madh, me shembullin e tyre, më kanë mësuar ta shoh jetën në sy, më kanë nxitur të jem kurdoherë në lëvizje, më kanë ushqyer me ndjenjën e respektit ndaj punës dhe dashurisë për profesionin, më kanë vënë në mendime për të futur në filmat e mi shpirtin e madh e të pastër të tyre, dashurinë për lirinë dhe përparimin, të luftës dhe përpjekjeve për një jetë më të mirë… Janë dhjetëra e dhjetëra ata që ke quajtur shokë e miq, që i ke dashur e të kanë dashur që, me aq ndershmëri, ke ndarë gëzimet e hidhërimet. Ndaj sot, u drejtohem me respekt e mirënjohje për të gjitha ato gëzime e kënaqësi që më kanë sjellë në jetë e krijimtari.

Endri Keko

1989

(Nga pasthënia e librit me kujtime "Ditari i një kinoregjisori")

Pjesë ditari

Deri në moshën 14 vjeç nuk kisha parë kinema me sy. Në Dardhën time të dëgjuar dhe të bukur në fshatin e maleve të larta, pishave, lëndinave, luleve e bilbilave, vinin në ditët e nxehta të verës shumë makina, por asnjëherë nuk i pashë ata të sillnin ndonjë film... Kinemaja ime dhe e shokëve të mi të atyre viteve ishte e quajtura "karagjuzë", pjellë e fantazisë së popullit, e dëshirës së tij për të argëtuar fëmijët, qoftë edhe me mjetet dhe mënyrat më primitive.

Zakonisht pranë murit të një oborri ndërtohej një kasolle e vogël katërkëndëshe. Dy pjesët e anëve mbylleshin me batanije ose rrogoza, kurse pjesa e përparme me një çarçaf të bardhë. Sa ngrysej brenda në kasolle, hynin dy veta, të cilët ishin dhe ndër më të talentuarit si imitues. Njëri lëvizte figurat e përgatitura prej kartoni mbi çarçaf që ishin të mbërthyera nëpër shkopinj të vegjël. Tjetri gjatë shfaqjes mbante qirinj të ndezur për të ndriçuar figurat në errësirën e natës. Përpara perdes, në shesh, uleshin spektatorët e vegjël dhe bashkë me ta edhe ndonjë i madh, të cilët ishin të detyruar që në vend të biletës për në shfaqjen "kinematografike" të sillnin me vete nga një qiri...

Kjo ishte kinemaja e fshatit tim në ato vite kur kishte fshatra që nuk e kishin fare as atë dhe ku unë mora të parin përfytyrim mbi filmin, kinemanë. A mund të më shkonte ndërmend mua që nga një regjisor "karagjuze" të bëhesha regjisor filmi".

Si një nderim modest për jetën e madhe të Endrit

Të flasësh për aktivitetin artistik të regjisorit Endri Keko, është e pamundur të mos flasësh për rrugën e kinematografisë tonë, në veçanti atë dokumentare, një nga krijuesit e parë e më kryesorë të së cilës ka qenë ai. Entuziast për çdo gur të hedhur në themelet e atdheut, ai ka krijuar filma realistë dhe që përshkohen tejembanë nga dashuria për vendin dhe njerëzit, filma ku realizmi jo rrallë gërshetohet me poezinë e peizazhit e të ndjenjave njerëzore, të poezisë së punës e të jetës së përditshme, me dramacitetin dhe epizmin, duke krijuar kontraste të forta emocionale. Filmat e regjisorit Endri Keko janë një dokument i gjallë i historisë sonë, ndaj dhe atyre u janë kthyer e do t‘u rikthehen kurdoherë artistët e ekranit dhe historianët e filmit.

Kristaq Dhamo,

regjisor

9 prill 1989

(Nga fjala në përcjelljen e regjisorit Endri Keko)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›