E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli i futbollit afrikan, që jeton në një geto

"Shihni, shihni ç‘më kanë bërë", nxehet papritur 61-vjeçari Ndaye Mulamba. Me një forcë më shumë shpirtërore sesa fizike, ngre lart pantallonat dhe tregon pulpën e këmbës. Është një gjymtyrë e deformuar, me disa njolla të zeza, që edhe pse kanë kaluar 14 vjet, duken ende të freskëta. "Për një futbollist është gjithçka. Ka marrë fund. Kjo do të thotë të jesh i vdekur mbi dhé", thotë Ndaye, duke tundur kokën. Xhandarët që i hynë në shtëpi një mbrëmje të vitit 1994, menduan se e kishin vrarë.

Ndaye Mulamba po flinte së bashku me gruan, kur ndjeu që diçka e ftohtë i preku trupin. Kur u zgjua, vuri re se shtëpia ishte rrethuar nga ushtarët e qeverisë. Ata i kërkonin paratë e çdo send tjetër me vlerë. "Na jep medaljen", i thoshin, duke e sulmuar me tytën e kallashnikovit. "Nuk e kam. Është në ministri", u ishte përgjigjur ai i frikësuar. Më pas ushtarët e goditën fort në këmbë, e tërhoqën zvarrë, e mbyllën në bagazhin e një makine dhe e hodhën nga një urë, mbi shinat e trenit, në periferi të Kinshasas.

Ndaye Mulamba dukej i vdekur, por në të vërtetë kampionit të "Leopardëve", kombëtares mitike të Zahiresë së Sese Mobutusë, vetëm sa i kishte rënë të fikët. Tani, i ulur në një kolltuk të zi meshini, në dhomën që ndan me gruan e re dhe dy fëmijët në një lagje periferike të qytetit, "ledhaton" medaljen e fituar nga Kupa e Afrikës 1974-‘75. Një rekord i paarritur: 9 gola, një prej të cilëve në finalen kundër Egjiptit në Tunizi, që i çoi "Leopardët" e Zahiresë, skuadra e parë afrikane, në Botëror.

Mulamba sjell ndërmend disa kujtime: "Bëra një fluturim prej 10 metrash dhe gjatë atij ankthi pata fatin të shënoja një gol të jashtëzakonshëm". Kampioni shpëtoi pa u shtypur nga treni. Për fat të mirë, u gjet nga disa fëmijë të vegjël, që më pas e dërguan në spital. Pas tre operacioneve të vështira, këmba u përmirësua paksa, por gjendja e tij shpirtërore ishte e shkatërruar. Kështu, të afërmit e këshilluan që të largohej nga qyteti, sepse ishte njeri i famshëm dhe si pasojë kishte shumë armiq. Është një yll i futbollit, ose më saktë, ishte një yll i futbollit. Në pak minuta, jeta e tij u transformua në një ferr.

Sot, askush nuk di gjë për të. Kongo e quan të vdekur. Ndaye është i vdekur si për miqtë, ashtu edhe për fansat, të cilët shpesh organizojnë mesha në nder të tij. Mulamba u largua në drejtim të jugut. Për tre vjet fjeti rrugëve, së bashku me një prift evangjelist. Duke qenë se nuk kishte ç‘të hante, ushqehej me plehra dhe u bë i alkoolizuar. Më pas u takua me Anën, gruan me fytyrë të bukur, që tani i përgatit çajin në kuzhinë. Ajo ishte menaxhere në një organizatë vendase që kujdesej për refugjatët. Ana e ndihmoi ta rimerrte veten dhe më pas u martuan. Ajo i riktheu jetën dhe identitetin. "Në Evropë njerëzit të harrojnë, ndërsa në Afrikë të varrosin".

Historia e Ndaye Mulambas nuk ka një fund të gëzuar, madje ka vite që atij i mungon gëzimi. Është shembulli konkret i atyre njerëzve endacakë që popullojnë çdo ditë Afrikën Jugore e me të cilët duhet të merret Jakob Zuma, Presidenti i ri i vendit. Në Afrikën e Jugore jetojnë 4 milionë "endacakë", por në fakt mendohet të jenë 6 milionë. Kanë ardhur me shumë mundim në këtë vend, pranojnë dhe bëjnë çdo lloj pune nën pagë.

Mulamba prek këmbën e deformuar. "Kur është kohë me shi, kam shumë dhimbje", thotë i mërzitur. Mbi katër faqet e murit janë të hedhura të gjitha kujtimet, fotografitë e kupave, trofeve, çmimeve të dhëna. Është edhe fotografia e dhënies së medaljes, ku Ndaye ka dalë së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai është cilësuar si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Joseph Blatter, Presidenti i FIFA-s, i kishte kërkuar një kostum të tijin. "Ministri donte t‘ia çonte Presidentit Mobutu, por unë nuk pranova. Lajmi kishte përfunduar nëpër gazeta. Dy vite më parë, një gazetar zbuloi se isha gjallë dhe të nesërmen lajmi u përhap në të gjithë vendin. Deri më sot, asnjë nuk më ka telefonuar nga Kinsasha. Për ta do të ishte më mirë sikur të kisha vdekur. Gjithsesi, qeveria afrikano-jugore më ka thënë që të rri i qetë, sepse gjërat do të shkojnë mirë. Në fakt, duhet t‘ia di për nder Anës, e cila më shpëtoi. Po të mos ishte ajo, sot do të isha vërtet i vdekur", thotë Ndaye. Më pas tregon një biletë të cilën e ruan si sytë e ballit. "Është për një ndeshje që do të luhet vitin tjetër gjatë Botërorit në Kep Taun. Më në fund, golashënuesi i vjetër do të rikthehet në stadium".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›