E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ul siparin Festivali i Dancit Modern

Edicioni i katërt i "Festivalit ndërkombëtar të dancit modern dhe kontemporan" i mbajtur në Durrës, uli siparin mbrëmjen e së mërkurës. Shfaqja e koreografit kanadez, Paul Ibey, me studentët e Akademisë së Arteve në Tiranë, ishte e fundit e ngjitur në skenë. Jeta njerëzore në të gjitha shfaqjet e saj, me ngurrimet e dilemat, gjenden të ngërthyera në shfaqjen e fundit të artistëve të rinj, të cilët për afro 30 minuta zgjuan te spektatorët e shumtë në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" kënaqësinë e elementëve koreografikë pak të njohur, ku tradita shqiptare e muzikës dhe kërcimit folklorik "vishej" me petkun modern të lëvizjes si mundësi universale e komunikimit. Letargjia kolektive, zgjimi, individi, njerëz që hyjnë e dalin pa lënë gjurmë në jetët tona, argëtimi, adhurimi i individit, konformiteti, përpëlitjet në kërkim të kuptimit të jetës dhe e përshpirtshmja ishin disa prej momenteve të përcjella te publiku me gjuhën e trupit dhe shpirtit. Në përfundim të edicionit të katërt të këtij festivali që ka hyrë në kalendarin e veprimtarive më të mira të qytetit bregdetar, presidenti i festivalit, Gjergj Prevazi, përshëndeti pjesëmarrësit e nëntë kompanive teatrore të ardhura nga vende të ndryshme të botës. "Festivali nga viti në vit ka zgjeruar hartën e pjesëmarrësve dhe në këtë edicion ka sjellë një larmi spektaklesh e shkollash të ndryshme të kërcimit modern dhe bashkëkohor", u shpreh Prevazi. Shfaqjet e tij nuk lënë gjurmë vetëm te studentët dhe specialistët e kësaj fushe, por mbi të gjitha "mbeten" në mendjen e shikuesve që ndjekin diçka të ndryshme nga tradita klasike e kërcimit". Gjatë shtatë ditëve të festivalit, që u shoqërua me workshop-e dhe diskutime krijuese të përditshme, në skenën e teatrit të Durrësit kanë performuar trupa nga Izraeli, Italia, Sllovenia, Greqia, Britania e Madhe, Kanadaja, Hungaria dhe Shqipëria. Pas spektaklit të mrekullueshëm të trupës izraelite "Kolben kompany", e cila performoi me sukses edhe në skenën e "Black box teater" në Akademinë e Arteve në kryeqytet, kërcimtarët e kompanive të tjera janë prezantuar me shfaqje, të cilat kanë pasur jo vetëm kohëzgjatje të ndryshme, por edhe befasi të çdo lloji. Trupa shqiptare me spektaklin "Lukja", të përgatitur nga pedagogu dhe koreografi Gjergj Prevazi, ka qenë më afër gjinisë së re moderne të gërshetuar me traditën e baletit dhe ka trajtuar një nga temat e njohura të prozës së Migjenit. Specialistët vlerësuan edhe trupat italiane e greke, që shpërfaqën në skenë idetë e koreografëve. Koreografi dhe balerini kanadez Pol Ibey në 40 minutat e "Coelacanth" ka treguar një ngjarje të vërtetë, e cila ka shërbyer vetëm si spunto për një analizë universale të rrugëtimit njerëzor. Shfaqja e baletit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" nën interpretimin e artistëve të TOB dhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Tiranës përshëndeti artistët e këtij edicioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›