E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Vlerësojmë tryezën, kontributi ynë në përputhje me shtetin ligjor

 Një ditë pas thirrjes së tryezës së dialogut nga kreu i shtetit, Partia Demokratike vlerëson iniciativën e tij. Nënkryetari i selisë blu, njëherësh edhe kryetar i grupit parlamentar të demokratëve, Astrit Patozi, përshëndeti në një konferencë për shtyp organizimin e kësaj tryeze, teksa shtoi se maxhoranca është e gatshme të japë kontributin e saj në përputhje me rezolutën e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. “Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës të tryezës së dialogut politik mes maxhorancës dhe opozitës. Si një ndër protagonistet e kësaj tryezë, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe raportin e OSBE-ODIHR-t për zgjedhjet e fundit në Shqipëri”, tha Patozi në një dalje para mediave. Teksa garantoi respektimin e dokumenteve të nxjerra nga faktori ndërkombëtar, kreu i grupit parlamentar të PD-së, tha se shumica në pushtet do të vazhdojë dialogun me opozitën dhe faktorët e tjerë në vend. “Gjithmonë në funksion të këtij qëllimi vullnetmirë, ne i qëndrojmë plotësisht respektimit dhe mbështetjes së plotë të dokumenteve të mësipërme. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo maxhorancë ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik të vendit. Dhe në dritën e qartë të këtij përcaktimi, ne e shikojmë edhe tryezën e ftuar nga Presidenti i Republikës”, u shpreh më tej nënkryetari i PD-së. Qëndrimi i kreu të grupit demokrat vjen pas deklaratave të zëdhënëses së selisë blu, Erla Mëhilli, sipas të cilës kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po akuzon kryeministrin Berisha se po mban peng tryezën e bisedimeve. “Edvin Kristaq Rama nga njëra anë jep ultimatume dhe kërcënon për protesta, nga ana tjetër shpif dhe trillon se Berisha po kushtëzon tryezën. Jam sot këtu për të deklaruar në emër të Partisë Demokratike, për të ripohuar edhe një herë atë që ka deklaruar Kryeministri i vendit dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, se maxhoranca aktuale mbështet pikë për pikë Rezolutën e Këshillit të Evropës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet”, tha dy ditë më parë zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›