Kriza, bisedime mes stafeve edhe pas tryezës së të shtunës
Tryeza e të shtunës mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në prani të Presidentit Topi pritet të mos japë zgjidhjen përfundimtare të krizës së pas 28 qershorit. Ajo do të shënojë vetëm fillimin e bisedimeve, të cilat do të vazhdojnë me stafet e ngushta të kreut të Qeverisë dhe atij të opozitës, për të hartuar një dokument të përbashkët. Nga ana e tij, kreu i shtetit vijon takimet me ndërkombëtarët në prag të tryezës së të shtunës. Topi është takuar dje me Ambasadorin gjerman, ku ka biseduar ndër të tjera edhe për bisedimet me forcat politike. “Nga ana e tij, Ambasadori gjerman, Bernd Borhard, vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta që kontribuojnë edhe në rritjen e nivelit të dialogut dhe bashkëpunimit politik. Në takim u diskutua edhe për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010”. Burime pranë kreut të shtetit bëjnë të ditur për gazetën se gjatë kohës së mbetur deri në tryezën e të shtunës, Topi do të vazhdojë bisedimet me faktorin ndërkombëtar kryesisht për gjetjen e formulës për zgjidhjen e krizës. Pas tryezës së 13 shkurtit do të jenë stafet tekniko-politike të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ato të cilat do të punojnë në gjetjen e të gjitha termave të marrëveshjes që do të kënaqë të dyja palët. Kreu i shtetit bëri të ditur dy ditë më parë se pas kontakteve me kreun e maxhorancës dhe opozitës vendosi të thërrasë tryezën në shtunën në fundjavë.