Ditë të këqija për Serbinë

Takimi i të Painkuadruarve që do të mbahet muajin tjetër në Beograd, mbanë gjallë shpresat serbe se mund të ndalet apo ngadalësohet vala e pranimit të pavarësisë së Kosovës.
Politologu Predrag Simic mendon se takimi i radhës në Beograd, i Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruarve, mund të jetë “shans i mirë” që të ndalohet pranimi afrikan i Kosovës, sepse Prishtina është në ofensivë ndërsa Serbia po merr “goditje pas goditjeje”.
“Pas embargos së mallrave, Prishtina nuk ka probleme, sepse shtetet e rajonit e kanë shfrytëzuar rastin dhe e kanë nisur tregtinë në Kosovë. Kjo do të thotë se Prishtina është në avancim e Beogradi i befasuar”, ka thënë ai për “Danas”.
Kur është fjala te njohjet e fundit nga Afrika, Simic thotë se “shtetet afrikane janë të rëndësishme për Serbinë, sepse janë një gur në peshoren e OKB-së”.
“Sa më shumë shtete afrikane e pranojnë pavarësinë e Kosovës, aq më keq për Serbinë”.
Më 23-25 korrik, nga Konferenca Islamike në Arabinë Saudite është kërkuar pranimi i pavarësisë së Kosovës. Mbi 500 autoritete islame kanë pasur për qëllim që të realizohen kontaktet mes shteteve që kanë pranuar Kosovën dhe që të lobohet tek ato që këtë nuk e kanë bërë këtë. Simic thotë se Araba Saudite është e orientuar kah SHBA-të, ndërsa Serbia ka raporte të mira me Iranin, që është rivali më i madh i shteteve arabe.
Dusan Simeonovic, ish ambasador serb në Libi dhe Egjipt, ka thënë se shtetet afrikane që e kanë pranuar Kosovën këtë e kanë bërë nga ndikimi i SHBA-ve. “Megjithatë, Serbia ka lidhje të forta ekonomike dhe historike me shtetet arabe dhe disa afrikane të cilat për shkak të problemeve të brendshme dhe problemeve me pakicat etnike nuk duan ta pranojnë Kosovën”, ka thënë ai, për të shtuar se “është mirë që Serbia do të jetë nikoqire e të Painkuadruarve, sepse ky është shans për të përforcuar pozitat e Beogradit”.