E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë zie në Rusi, në nder të 112 personave që vdiqën në disko

Rusia ndodhet në zi, në shenjë nderimi për 112 viktimat që humbën jetën si pasojë e rënies së zjarrit në një klub nate. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së premtes në qytetin Perm. Në këtë ditë zie, të shpallur nga autoritetet vendase, disa programe televizive janë mbyllur përkohësisht dhe nuk do të transmetohen, flamujt janë në gjysmë shtizë dhe në të gjithë vendin do të zhvillohën shërbime memoriale për viktimat. Nga ky aksident tragjik u plagosën më shumë se 140 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën. Ndërkaq në qytetin rus Perm, në fundjavë u zhvilluan ceremonitë e varrimit të disa prej 112 viktimave të zjarrit që ra të premten në një diskotekë. Besohet se ishte ndezja e një fishekzjarri shkaku i rënies së zjarrit në lokal dhe që provokoi edhe tragjedinë. Shumë prej viktimave humbën jetën nga retë e dendura të tymit dhe flakët ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Rreth 230 persona ishin pranishëm në ambientet e lokalit në momentin që ra zjarri . Pas ngjarjes, Presidenti Dmitry Medvedev e shpalli të hënën ditë zie kombëtare. Për këtë ngjarje janë ndaluar pronari dhe menaxheri i lokalit. Qyteti rus Perm, ndodhet rreth 1400 km në lindje të kryeqytetit rus, Moskë. Presidenti rus Dmitry Medvedev ka thënë se personat përgjegjës për këtë tragjedi, duhet të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›