Tarifat e studimeve të avancuara nga 36000-70000 lekë në vit

Kështu, saktësohet fakti se për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, do të jenë:
Në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë 40000 lekë. Po kaq do të jetë pagesa vjetore edhe për degën e Matematikës. Për të gjitha programet e tjera në këtë fakultet pagesa bëhet 56000 lekë në vit.
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja tarifat janë fikse për degët e këtyre programeve të studimit, plot 48000 lekë. Në Fakultetin Histori-Filologji, dega Arkeologji, klasifikohet te më të shtrenjtat. Frekuentimi i një viti të saj kushton 72000 lekë, po kaq edhe Trashëgimia Kulturore. Ndërsa për të gjitha programet e tjera tarifa e shkollimit që duhet të paguhet pranë këtij fakulteti është 48000 lekë.
Në Fakultetin e Shkencave Sociale një student duhet të paguajë 60000 lekë për një vit studimi, në programin e ciklit të dytë (DND). Për sa u përket pagesave në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit programi i studimeve të ciklit të dytë për një student kushton 56000 lekë. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike kjo pagesë është disi më e ulët, 48000 lekë. Në atë të Inxhinierisë Mekanike pagesa vjetore që duhet të shlyhet nga një student është 40000 lekë dhe po kaq edhe në Fakultetin e Gjeologji-Miniera.
Kjo tarifë rritet për studimet e ciklit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit me plot 60000 lekë në vit, duke e bërë atë të dytin për nga shtrenjtësia në listën e tarifave të frekuentimit të këtyre programeve të studimeve të avancuara.
Në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, pagesat janë më të ulëta.
Ato arrijnë në 36000 lekë në vit për çdo student, që pretendon të thellojë njohuritë e tij universitare në studimet e ciklit të dytë.
Niveli i këtyre tarifave ndiqet më pas nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, me një pagesë prej 40000 lekë. Plot 36000 lekë në vit është edhe pagesa e një studenti për Fakultetin e Shkencave Pyjore. Ndërsa në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit kjo pagesë rritet me 48000 lekë në vit.