Ditëlindja e 21-të përfundoi në mort
Përmbyset varka në Liqenin e Farkës, vdesin 16 veta. Polumbarët e RENEA-s nxjerrin të mbyturit, mes tyre dy fëmijë
Tiranë – Festa e ditëlindjes së 21-të të Albanit përfundoi tragjikisht pak pas mesnatës së të mërkurës. 16 veta kanë gjetur vdekjen, mes tyre edhe 2 fëmijë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur 5 kilometra në juglindje të Tiranës. Një varkë u mbyt në liqenin e Farkës. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:05, pasi familjarët dolën nga bar-restoranti “Liqeni” dhe u nisën të kalonin me varkë në anën tjetër të liqenit të Farkës. 18 personat kanë hipur në barkën që përdorej për transportin e klientëve nga njëra anë e liqenit në tjetrën, të drejtuar nga pronari i lokalit, Afrim Dibra, i cili është njëri nga 16 viktimat.
Darka e fundit
E kishin zgjedhur Farkën si vendin e argëtimit të tyre të fundit, megjithëse nuk e kishin menduar se do të largoheshin nga jeta kaq shpejt dhe në mënyrë tragjike. Në restorant ende kanë mbetur mbi tavolinë faturat e pagesës dhe asortimentet e pakonsumuara të darkuesve. Të gjitha këto janë sekuestruar nga policia dhe do të qëndrojnë aty deri në verifikimin e të gjithë asortimenteve të konsumuara nga klientët.
Albani kishte sjellë nga Berati prindërit, motrën, hallën, kushëririn, një shokun e tij bashkë me të ëmën, të fejuarën dhe të afërmit e saj me mbiemrin Osmani. Ai kishte zgjedhur për t’i argëtuar të pranishmit në bar-restorantin “Liqeni” në pronësi të 43-vjeçarit Dibra. Me dy varka, 18 klientët janë dërguar në lokal. Pas disa orëve qëndrim aty, hipën në varkë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Pronari i lokalit ka lejuar të hipin në një miniskaf të gjithë klientët e tij, që më parë ishin transportuar me dy varka. Mjeti lundrues mund të merrte maksimumi 7 persona, ndërsa në të kanë qenë 19. Motobarka e tejmbushur ka lundruar deri në mes të liqenit dhe pastaj nga mbingarkesa është përmbysur.
Thirrjet për ndihmë
Sapo varka është përmbysur, banorët e Farkës kanë dëgjuar thirrjet për shpëtim të personave që gjendeshin në mes të liqenit. Askush nuk ka shkuar drejt tyre, veç vajzës së pronarit, Eriona Dibra, e cila është gjendur disa minuta më pas në vendin ku motobarka ishte përmbysur. Vetëm tre persona kanë mundur të qëndrojnë për minuta të tëra mbi ujë: Beqir Sinani, Luena Spahiu dhe Romina Hysa. Kur vajza që shpesh transportonte klientët ka mbërritur te personat që kërkonin ndihmë, vetëm Beqiri i ka thirrur. Kur shpëtimtarja është afruar, ai ka hedhur në barkë dy vajzat që mbaheshin anash saj dhe pastaj ka hipur edhe vetë. Tre të mbijetuarit janë nxjerrë në breg dhe prej aty është telefonuar nga Eriona për atë që kishte ndodhur në sallën operative të policisë. Repartet e policisë dhe specialët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes rreth orës 01:00 të së premtes.
Operacioni i shpëtimit
Policia është njoftuar shpejt për atë që ka ndodhur në Farkë, por nuk ka mundur të bëjë asgjë më shumë se nxjerrja e 16 trupave të pajetë nga fundi i liqenit dhe të dokumentojë ngjarjen tragjike. Burimet policore thanë se salla operative është njoftuar për këtë tragjedi nga vajza e pronarit të varkës. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar drejtori i Policisë së Tiranës Muhamet Rrumbullaku, shërbimet e policisë, skuadra e zhytësve të RENEA-s, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Me gjithë fillimin e operacionit të kërkim–shpëtimit, të organizuar në praninë e zëvendësministrit Gent Strazimiri, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe skuadrave të shpëtimit të Batalionit Special të Ushtrisë, i nisur në mënyrë të menjëhershme, fatkeqësisht nuk u mundësua shpëtimi i asnjë prej personave, pasi gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Polumbarët e RENEA-s mbërritën shpejt në vendngjarje, por ata mundën t’i nxjerrin të pajetë 16 personat. Sipas dëshmive, pjesa më e madhe e viktimave janë gjetur të kapur nga hekurat anësorë të motobarkës. Mbi ujë janë gjetur dy binjakët Osmani. Operacioni ka përfunduar rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Ekspertiza: “Barka u përmbys nga mbipesha”
Pas aksidentit, ekspertët kanë mundur të përcaktojnë edhe shkakun e tragjedisë. Sipas tyre, të 19 personat që kanë hipur në një barkë të mbyllur, me një kapacitet normal për të transportuar 5 deri në 7 pasagjerë, janë bërë shkak për përmbysjen e menjëhershme të saj disa metra larg nga bregu. Kjo ka shkaktuar mbytjen brenda pak minutave të 16 personave që ndodheshin në bord. Mbingarkesa e varkës solli tragjedinë e Farkës.
Rezultojnë të mbytur:
•Pranvera Blamo, 50 vjeçe, lindur e banuese në Berat
•Erion Blamo, 20 vjeç, lindur e banues në Berat
•Pëllumb Hysaj, 53 vjeç, lindur e banues në Berat
•Majlinda Hysaj, 46 vjeçe, lindur e banuese në Berat
•Alban Hysaj, 21 vjeç, lindur e banues në Berat
•Aurela Osmani, 20 vjeçe, banuese në Tiranë.
•Halil Osmani, 62 vjeç, banues në Tiranë
•Hatixhe Osmani, 56 vjeçe, banuese në Tiranë
•Eliona Osmani, 47 vjeçe, banuese në Tiranë
•Alket Osmani, 29 vjeç, banues në Tiranë
•Saida Osmani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë
•Ejsi Osmani, 3 vjeç
.Rei Osmani, 3 vjeç, fëmijët e çiftit Alket e Saida Osmani
•Thëllëza Spahiu, 46 vjeçe, Tiranë
•Arlind Spahiu, 20 vjeç, Tiranë
•Afrim Dibra, 43 vjeç, Tiranë
Të mbijetuar
•Beqir Sinani, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan
•Luena Spahiu, 20 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë
•Romina Hysaj, 19 vjeçe, lindur e banuese në Berat
7 Mars 2008