E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhen dy familje, Osmanët në gëzimin e fundit

Për dy djemtë emigrantë shtyhet ceremonia mortore. Ngushëllime për viktimat nga e gjithë politika
Familja Osmani ka humbur thuajse gjithçka. Plot tetë arkivole dolën nga shtëpia që ndodhet në Rrugën e Elbasanit e u përcollën me gjithë respektin për në varrezat publike. Kjo familje me origjinë nga Kolonja ka përjetuar si askush tjetër gjëmën në kryeqytet. Askush nuk gjen dot fjalë t’i ngushëllojë.
Fejesa
Ndërsa familjarët prisnin gëzimin më të madh, fejesën e vajzës me Albanin, ata tanimë e kanë kuptuar se ajo nuk do të celebrohet kurrë. Fund tragjik për dashurinë e të rinjve, që nata i zhyti përjetësisht në ujin e ftohtë të liqenit të Farkës. Kishte pak kohë që Albani dhe Aurela dashuroheshin, ndaj dhe familjet kishin marrë dijeni dhe ata kishin shkuar të festonin ditëlindjen e dhëndrit të tyre. Madje, përveç familjes, ata kanë thirrur edhe një të afërm të tyre, Alketin, me gruan e fëmijët. Osmanët ishin plot tetë veta dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të mbijetojë në këtë tragjedi.
Ceremonia
Kortezhi i tetë viktimave të familjes Osmani në tragjedinë e Farkës është nisur drejt Varrezave të Sharrës. I njoftuar në orën 10:00 ai është zhvilluar me vonesë për shkak se pritej të mbërrinin nga Italia dy djemtë e mbetur të familjes Osmani. Ata, sapo kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit, janë marrë nga familjarët dhe kanë mundur ta kapin kortezhin pak pa mbërritur në Sharrë. Familja Osmani, e cila është më e prekura nga fatkeqësia, i ka hapur dyert që në mëngjes për të pritur ngushëllimet. Lotët nuk kanë të reshtur. Të gjithë janë mpirë nga dhimbja, e cila nuk ka se si të mos krijojë gjendjen më të vështirë shpirtërore. Disa prej familjarëve kanë humbur ndjenjat, madje kanë marrë edhe ndihmë mjekësore. Familja ka humbur plot tetë persona dhe për ta nuk ka asnjë fjalë ngushëlluese. Autoambulancat vazhdojnë të përcjellin drejt spitalit. Për të ngushëlluar familjen erdhën dhe autoritetet shtetërore, presidenti, kryeministri. Asnjë prej tyre nuk ka pasur se çfarë të thotë, pasi tragjedia është tejet e rëndë. Ata vetëm u kanë thënë familjarëve të bëhen të fortë për ta përballuar dhimbjen dhe se me ta e ndante dhimbjen i gjithë kombi shqiptar.
Përcjellja
Tejet e dhimbshme ceremonia mortore e përcjelljes në banesën e fundit e viktimave të familjes Osmani. Shumë të afërm, të njohur, mes tyre dhe deputetë, janë të pranishëm në këtë ceremoni mortore. Tashmë ka nisur kortezhi për përcjelljen në banesën e fundit të viktimave. Tetë viktimat e kësaj familjeje, të cilët vdiqën gjatë tragjedisë së Farkës, janë vendosur në Varrezat e Sharrës. Gjatë ceremonisë së përcjelljes së tyre kanë qenë të pranishëm kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, deputeti Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj, Musa Ulqini dhe Gramoz Ruçi. Gjithashtu, në ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të tjerë të PS-së.

Pronari i lokalit: “Do të shtoj numrin e varkave për transport”

Intervistë e marrë 3 vite më parë

Afrim Dibra kishte rreth katër vite që shfrytëzonte liqenin e Farkës, dikur një rezervuar shtetëror. Ai e kishte kthyer në biznes transportin nga njëra anë e liqenit në tjetrën. Arsyeja ishte bar-restorant “Liqeni”, që Dibra e kishte hapur së bashku me familjen pas një emigracioni të gjatë në Gjermani. E vetmja mënyrë për të mbërritur në lokal ishin dy motobarkat, të cilat Afrim Dibra i vinte në dispozicion të klientëve. Në kohën kur sapo kishte nisur biznesin, ai ka dhënë edhe një intervistë ekskluzive për Vizion Plus, gjatë së cilës shpjegonte dhe mënyrën e funksionimit të këtij biznesi.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›