Ditëlindja e Dritëro Agollit, në Durrës me familjen
ANILA MEMA
Një ditëlindje në qetësi, mes buqeta lulesh e telefonatash. I është larguar për pak ditë kryeqytetit, shtëpisë së tij, Tiranës plot zhurmë e miqve, por urimet nuk i kanë munguar. Telefonatat kanë nisur që herët në mëngjes e nuk kanë sosur as dje në mbrëmje. Telefoni nuk ka reshtur së rëni. Miqtë nga vende të ndryshme të Shqipërisë e jashtë trojeve shqiptare, nuk kanë harruar ta urojnë këto ditë shkrimtarin e njohur shqiptar, Dritëro Agolli. Mbushi plot 77 vjeç. Vite që për të kanë qenë sa të trazuara, aq edhe të larmishme e plot gëzim. Por kjo është jeta! Ndaj dhe 13 tetorin, ka vendosur ta kalojë në Durrës bashkë me familjen, bashkëshorten Sadijen, si dhe fëmijët, ndryshe nga vite më parë, kur festa të tilla në shtëpinë e tyre, mezi priteshin, të festoheshin plot “bujë”. Bashkë me bashkëshorten, Sadijen, kanë plot 44 vite që çdo ditëlindje e festojnë bashkë dhe dallimi është i dukshëm për të. “Dritëroi nuk ka qenë mirë me frymëmarrjen, ndaj dhe ne vendosëm ta kalonim jashtë Tiranës këtë ditëlindje, pikërisht në Durrës ku gjejmë pak qetësi. U mblodhëm së bashku me fëmijët tanë, gocën me dhëndrin dhe çunin me nusen, ndërsa nipërit ishin në shkollë. Kaluam shumë mirë”, tregon Sadija, e cila rrëfen se një ditë më pas shtëpia e tyre është mbushur plot me lule. Mes tyre dhe një buqetë e dërguar nga kryebashkiaku i Tiranës njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me një kartolinë urimi.
* * *
“Sot lulet dhe fjalët e mira janë për ne, tregon Sadija, ndonëse dhuratat nuk kanë munguar”. Mes shumë të tilla, familja ka zgjedhur që për 77-vjetor t’i dhurojë një orë, ndonëse të tilla i janë bërë koleksion në shtëpi shkrimtarit të shquar. “Çdo vit ka qenë i veçantë për ne, çdo ditëlindje, çdo festim. Ka qenë ndryshe, pasi nuk mungonin njerëzit, nuk mungonin urimet, dhuratat... Më parë mezi prisnim festa të tilla, që mblidheshin plot miq duke festuar e duke ngritur dolli. Ndërsa tani është ndryshe, mjafton nga një gotë verë dhe pak rehati”, shton ajo dhe duket se këto ditë e kanë gjetur atë çfarë kërkojnë, bashkë me të kollën munduese të shkrimtarit. “Dritëroi ka pasur një jetë të trazuar, aspak të qetë, por e ka kaluar, sepse ishte i fortë, tashmë nuk arrin ta përballojë dot. E dashuria nuk mungon”, shton Sadija. Por kjo ditëlindje e shkrimtarit ka qenë e veçantë edhe për një fakt. Shënohet po aq edhe 50-vjetori i botimit të parë të tij, veprës “Në rrugë dola”.
* * *
Këto kohë për shkrimtarin janë më shumë meditim e më pak krijim. Kështu tregon dhe Sadija, e cila me të qeshur tregon momentet kur ulet dhe shkruan me të. “Dritëroi kur fillon mediton, bëhet nervoz, pasi unë kur shkruaj, shkruaj ngadalë, ndonëse mendimet e tij rrjedhin lirshëm dhe shpejt, ndaj edhe bëhet nervoz, herë pas herë. E ka më mirë kur shkruan vetë”, shton ajo. Ndërkaq në proces shkrimi ka kujtimet e tij, një vepër që e ka premtuar ta realizojë prej kohësh. Ka menduar të radhisë kujtime nga shoqëria me të cilën është rritur. “Më interesantja dhe më e vështira do jetë ajo që ka të bëjë, le ta themi me fillimin e karrierës time që nga gazetar e deri te kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, por edhe më tutje si deputet i të dyja kohërave. Kam qenë deputetët atëherë në kohën e socializmit, por dhe tani kohën e demokracisë. Kjo ishte periudha më interesante dhe më e vështirë”, ka thënë vetë shkrimtari pak kohë më parë, duke shtuar se vepra do të shkruhet në varësi të periudhave të vetë gjendjes shëndetësore. Ndonëse sipas Sadijes, këto kohë shkrimi i tyre vjen me faza të ndryshme. E premtimi i shkrimtarit, në deklaratën e tij për këtë vepër ka qenë: “Besoj para se të vdes do ta realizoj”.