Vujanoviç: Njohja e Kosovës, sipas Kushtetutës malazeze
Presidenti i Mali të Zi, Filip Vujanoviç iu është kundërpërgjigjur protestave të dhunshme të forcave pro serbe në Malin e Zi të një nate më parë, me riforcimin e vendimit për njohjen e Kosovës. Vujanoviç ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij është në pajtim me Kushtetutën. “Vendimi i qeverisë të enjten ishte kushtetues”, tha ai duke sqaruar se ka ndjekur udhën e 49 shteteve para Malit të Zi. Kreu malazez theksoi, se: “Mali i Zi ka pritur pothuajse tetë muaj për t’u shprehur për Kosovën, duke e bërë këtë pasi u shprehën 48 shtete, 22 në BE dhe në NATO dhe 30 në Këshillin e Evropës”. “Jemi të vetëdijshëm se nuk mund të bëjmë politikë shtetërore në dëm të qytetarëve dhe në dëm të Mali të Zi si shtet në formacionet integruese”, tha kreu malazez. Mijëra njerëz kanë protestuar në Podgoricë kundër vendimit të qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Protesta ishte e organizuar nga pjesa serbe e opozitës, madje autoritetet malazeze kanë akuzuar Beogradin zyrtar për organizmin e tyre, duke kritikuar Serbinë se po sillet njëlloj sikur Mali i Zi të ishte ende pjesë e saj. Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç akuzoi Serbinë, se synon ende të ndikojë në vendin e tij. “Beogradi harron se tani ne jemi vend sovran që i merr vendimet sipas interesave të veta”, tha Gjukanoviç. Pas protestave partitë në pushtet dhe ato opozitare në Mal të Zi kanë akuzuar njëra-tjetrën për dhunën mes demonstruesve. Rreth 10 mijë protestues kërkuan nga qeveria malazeze, që të tërheqë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Protestuesit thërrisnin “Kosova është Serbi!” për të dënuar vendimin e qeverisë javën e kaluar. Policia e ka ndaluar mbajtjen e protestës së opozitës pasi 34 persona u plagosën, kur protestuesit u bënë të dhunshëm dhe policisë iu desh të përdorte gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata. Në mesin e të plagosurve ishin 23 policë dhe 11 protestues. Policia ka njoftuar për arrestimin e 28 demonstruesve. Opozita malazeze po protestonte kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Podgorica zyrtare. Partia Socialdemokrate e Milo Gjukanoviçit ka akuzuar opozitën duke thënë se: “Përgjegjësitë për vandalizmin duhet të bien mbi organizatorët, që nuk dinë se si t’i artikulojnë qëndrimet me mjete demokratike”. Ndërsa lideri i opozitës malazeze, Predrag Popoviç tha për agjencinë AFP, se përleshjet janë nxitur nga disa të rinj, që kanë provokuar policinë, posaçërisht atë sekrete. “Ne do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të arritur atë që po kërkojmë”, tha Popoviç.