Gërdeci, kërkohet dëshmia e “Zotit të luftës”
TIRANE
Prokuroria shqiptare i kërkon Zvicrës pyetjen e personazhit misterioz Henry Tomei, për llogari të hetimeve lidhur me tragjedinë e Gërdecit dhe tregtinë e armëve Shqipëri-Afganistan.Përmes një letërporosie zyrtare, të nisur në adresë të prokurorisë zvicerane, prokurorët shqiptarë kërkojnë fillimisht konfirmimin për personin në fjalë dhe më pas pyetjen e tij si dëshmitar. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, krahas me dëshminë e Henry Tomeit, prokurorët presin të njihen edhe me dëshmitë e Efraim Diverolit, si blerës i municioneve shqiptare me kompaninë AEY dhe Patrick Henry, amerikanit tjetër që bashkë me Mihal Delijorgjin kishte nënshkruar kontratë për çmontimin e municioneve në Gërdec. Megjithatë kërkesa e prokurorisë shqiptare për pyetjen e Henry Tomeit, duket se ka një specifikë ndryshe nga të tjerët, pasi personi në fjalë ende nuk është gjetur. Biznesmeni zviceran, i cili ndodhet në “listën e zezë” të SHBA si trafikant armësh, i njohur edhe me emrin “Zoti i luftës” gjendet në një numër të madh dokumentesh të shfletuara nga prokuroria shqiptare dhe kontratash për shitje armësh e municionesh të nënshkruara mes tij dhe ndërmarrjes shqiptare MEICO. Mes këtyre transaksioneve është gjetur edhe kontrata e shitjes së fishekëve të armës tip “Kallashnikov”, që kompania amerikane AEY e Efraim Diverolit bleu nga Shqipëria përmes firmës “Evdin tld”, e cila figuron në pronësi të Henry Tomeit dhe me qendër në Qipro. Pas hyrjes në lojë të kompanisë “Evdin lid”, çmimi i fishekëve shqiptarë që shiteshin për t’u dërguar në Afganistan u dyfishua. Pikërisht me këtë rritje fiktive të çmimit, hetuesit besojnë se ka pasur veprime abuzive nga Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO që shiste municionet, Henry Tomeit si ndërmjetës dhe kompanisë blerëse AEY në pronësi të Efraim Diverolit. Kompania “Evdin ltd” e Henry Tomeit kishte autorizim nga kompania blerëse “AEY”. Ndërmarrja “MEICO” i ka ofruar kompanisë së Henry Tomeit materialet ushtarake të kërkuara, duke i prezantuar edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të municioneve. Dokumenti është firmosur më 18 prill 2007 dhe aktiviteti është mbyllur me vlerësime nga të gjitha palët pjesëmarrëse, me përjashtim të prokurorisë federale të SHBA, e cila tha se ishin shkelur ligjet që ndalonin tregtinë e materialeve ushtarake kineze. Nga transaksioni me municionet shqiptare llogaritet që kompania e regjistruar në emër të Henry Tomeit të ketë fituar të paktën 8 milionë dollarë. tr.so
Zbulimi pas shpërthimit në Gërdec
Transaksionet e ndërmarrjes MEICO me kompaninë amerikane AEY te Diverolit dhe “Evdin ltd” të Henry Tomeit u zbuluan pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec. Aty besohet se janë paketuar në arka kartoni mijëra fishekë, të cilëve u hiqeshin mbishkrimet kineze e më pas kalonin në duart e Henry Tomeit, për t’u dorëzuar në adresë të kompanisë amerikane AEY.