E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiratet e Bashkuara Arabe njohën Kosovën

 

Emiratet e Bashkuara Arabe e njohën pavarësinë e Kosovës, duke u shënuar si shteti i parë arab, që e njeh Republikën e re në Ballkan dhe vendi i 51-të në botë, që pranon shpalljen e pavarësisë nga Prishtina, si akt legjitim. Lajmin për njohjen e Kosovës e ka bërë agjencia zyrtare arabe e lajmeve. “Emiratet e Bashkuara Arabe shpallin, se e njohin Kosovën si shtet të pavarur”, ka njoftuar agjencia WAM. Në deklaratën zyrtare thuhet se: “Kjo lëvizje është në një linjë me përkrahjen për të drejtën legjitime të popullit për vetëvendosje”, ka cituar AFP. Pesëdhjetë e një shtete, përfshirë shumicën e vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, e kanë njohur deri më tani Kosovën, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt. Emiratet e Bashkuara Arabe janë aleate të SHBA-ve dhe kanë një kontingjent në forcën ndërkombëtare të NATO-s të vendosur në Kosovë, që nga viti 1999. Emiratet e Bashkuara Arabe bëhen vendi i tretë që e njeh Kosovën pas Malit të Zi dhe Maqedonisë, që kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi pro nismës serbe për ta dërguar çështjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo Gjykatë tha të premten, se e ka marrë kërkesën nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që të prononcohet mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›