Ditëlindja e Rulit
"Spiuni" u kujtua dje nga ditëlindja e presidentit Topi, që mbushi 51 vjeç, për ditëlindjen e ministrit Genc Ruli. E kishte më 11 prill dhe bëhej gjysmë shekullor. Ruli e përballoi me dinjitet ditëlindjen dhe megjithëse gjirokastritët nuk kanë nam të mirë, ai ua shtroi miqve dhe të afërmve te njëri prej hoteleve luksozë afër 21 dhjetorit. Zijafet i madh. Të nesërmen "Spiuni" u takua me njërin prej të ftuarve. E kishte lënë ditëlindjen e Rulit rreth orës 04.00 të mëngjesit. Kishte ardhur edhe doktor Berisha dhe shumë të tjerë, por ai ishte i pakënaqur.
-Po pse mor burrë, nuk ta dha dorën doktori?
-Jo mo, doktori është njësh për zijafete të tilla, por nuk ka lezet kështu, me ditëlindje që festohen njëherë në vit. Nuk po mblidhemi dot dhe ngelëm duke dalë me gratë dhe kalamajtë. Dhe miku i Doktorit, që ka qenë mik i ministrave të majtë, rrëfeu se sa bukur ia kalonin me qeveritë e Metës, apo Nanos. Kish lezet mor burrë, vetëm Cac Angjeli e festonte ditëlindjen nja 30 herë në vit. "Kam ditëlindjen", thoshte dhe parulla ishte për zijafete. Shkonin gati përnatë nga Ujëvara deri te kilometri 29, tutje e tëhu, kishte lezet. Aty i mësova gjithë lokalet e Shqipërisë.
Por kur erdhi Doktori në pushtet, ata gazetarët që merrnim me vete ia treguan këto. Ai dha urdhër që ditëlindjet festohen vetëm ditën kur janë se ndjellin keq. Është njësh Doktori. Ja Cac Angjeli që festonte 30 ditëlindje në vit, ka mbetur pa post, pa parti, pa asgjë. Tani asgjë them për publik, se ai është njeri i nderuar. Kupton?