E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogëtarët e KQZ-së

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i trishtuar për miratimin e paketës së re kushtetuese. Trishtimi nuk mbyllet brenda zyrave në pjesën e prapme të Pallatit të Kongreseve, por derdhet lokaleve luksoze ku anëtarët e tij, fytyrëvrenjtur e pranojnë se "ujët e gamiles" po soset. Me ndryshimet më të fundit në Kushtetutë, por edhe me Kodin e ri zgjedhor, KQZ-ja e famshme që ka bërë çfarë ka dashur partia në pushtet për zgjedhjet nga ato parlamentare, deri te ato për një kryetar komune, do të shkrihet. Do të bëhet pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe do të riaktivizohet vetë kur ka sfida elektorale. Pra, një herë në katër vjet do të punojë vetëm 2 muaj, në rast zgjedhjesh parlamentare, apo vendore.

"Spiuni" ndenji dje me njërin prej anëtarëve të KQZ-së. U ankua i shkreti se nuk ka lindur me fat në këtë botë. Ia dha perëndia të kishte një pune si fole pëllumbash. Nga shtatë u bënë nëntë anëtarë, po nuk prishte punë kallaballëku, sepse në punë nuk kishte vetëm kollodokë si puna e tij, pa edhe vajza të bukura.

Po sa bëheni gjithsej, mor aman se ju jeni kaluar, punoni disa javë në katër vjet dhe paratë i merrni fët e fët dhe merrni goxha lekë- e ngacmoi "Spiuni".

-Bëhemi marshallah 60 vetë

-60 vetë!!!!

Po aq sa nuk na zënë as klubet te stadiumi dhe shpërndahemi ndër qoshka të ngrohta. Ne edhe mund ta pimë kafenë me xhetona falas te automati, por ai ekspresi dhe një shoqëri e këndshme janë një punë tjetër.

-Po mirë, kur keni bërë një punë për herë të fundit?

-Punë the! U shqyem farë në shkurt 2007-të.

-Para 14 muajsh, o!??. Tani vonë them.

-Punë kemi bërë shumë. Ja, ishin ato zgjedhjet e parakohshme vendore në Paskuqan.

–Po ato ishin para tre muajsh?!!- u habit "Spiuni"

-Epo, nuk kemi pasur raste, sepse shyqyr zotit nuk ka ndërruar jetë asnjë kryebashkiak apo kryekomunar tjetër, tha anëtari i KQZ-së, i bezdisur nga biseda dhe iku me makinën me targa "Z".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›