Korçë, tregtimi i bagëtive në mënyre informale
KORÇË- është pushtuar qyteti nga bagëtitë e imëta, të cilat 'shëtisin' pa pyetur për ligjin. Ka pesë ditë që bagëtitë e imëta tregtohen në mënyrë informale në çdo rrugë e shesh të qytetit. Kjo anomali ka ardhur si pasojë e kremtimit të festës së Pashkës ortodokse që përkon në 27 prill, sepse fluksi i njerëzve që duan të blejnë është i madh. Burime zyrtare pranë Bashkisë bëjnë të ditur se tregu ku duhet të tregtohen bagëtitë e imëta është disa kilometra larg qytetit të Korçës. Por kjo nuk zbatohet nga pronarët të cilët po i tregtojnë bagëtitë ku të mundin.
Sipas Inspektoriatit Veterinar të Bashkisë Korçë tregtimi në këtë mënyrë paraqet probleme për përhapje sëmundjesh, pasi bagëtitë janë të pakontrolluara. Pronarët që tregtojnë bagëti duhet që në radhë të parë t'i çojnë kafshët në thertore për t'i certifikuar, por një gje tillë nuk është bërë sepse është shmangur prej tyre.
Ndërkohë që nga Inspektoriati mësohet se janë vënë gjoba për këtë gjendje të krijuar, por edhe ky institucion ka ngritur 'flamurin e bardhë', sepse ndihet i pafuqishëm ndaj këtij fenomeni, pasi kjo tregti në kushte informale vazhdon. Jo vetëm tregtimi është kthyer në problem, në këto ditë edhe therja e kafshëve është bërë në rrugë. Pritet që kjo gjendje të përfundojë pas kremtimit të pashkëve.