Pranga "tmerrit" të grave, vidhte çantat dhe zhdukej pa gjurmë
TIRANË- Operacioni i koduar "Mirdita" çon në qeli një 35-vjeçar të dyshuar si hajdut çantash. Efektivat e komisariatit të policisë nr.3, arrestuan dy ditë më parë 35-vjeçarin Emiljano Merdhoçi, banues në Mirditë, i dënuar më parë për vjedhje. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se mirditori është autori i 16 vjedhje çantash, të kryera në kryeqytet gjatë këtij viti. Sipas policisë, të gjitha vjedhjet janë të dokumentuara dhe mbajnë firmën e 35-vjeçarit "shënjestrat' e të cilit ishin femrat. Policia po vazhdon hetimet për të identifikuar të tjerë persona si bashkëpunëtorë të mundshëm të të arrestuarit. "E ndiqte për disa metra dhe më pas i vërsulej duke i tërhequr me forcë çantën. Sapo rrëmbente çantën, ai zhdukej sa hap e mbyll sytë. Qytetarja nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër, vetëm të kërkonte ndihmën e policisë duke kryer kallëzim ndaj një personi të panjohur". Janë më shumë se 16 femra të cilat kanë shkuar për të njëjtën arsye në komisariatet e policisë së Tiranës për të denoncuar vjedhjet me dhunë të çantave të tyre. Të gjitha vjedhjet janë kryer gjatë këtij viti, në tre vende të ndryshme. Policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin. Oficerët e policisë së komisariatit nr.3, dyshonin se vjedhjet ishin kryer nga një person i vetëm nisur nga fakti ishte përdorur i njëjti mekanizëm dhe vjedhjet kryheshin vetëm në tre rrugë në kryeqytet kryesisht në rrugën e "Durrësit". Kështu agjentët e policisë në rrugë operative mundën të siguronin identitetin e të dyshuarit të dhënat fizike të të cilit përputheshin me ato që kishin deklaruar të dëmtuarat. Fill pasi oficerët e policisë siguruan identitetin e të dyshuarit kryesor të vjedhjeve të çantave, i cili po tmerronte femrat në rrugë janë vënë në lëvizje për kapjen e tij. Efektivat blu kanë qëndruar për disa ditë në ndjekje të 35-vjeçarit, ndërsa dy ditë më parë kanë ndërmarrë një operacion, kodi i të cilit u vendos në bazë të qytetit ku banonte i dyshuari. "Mirdita" u organizua me qëllim kapjen e Emiljano Merdhoçit, i cili qëndronte në Tiranë ku dhe vidhte çantat e grave, duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash si dhe telefona celularë, të cilët më pas i shiste. Gjithashtu nga çantat e vjedhura dyshohet se 35-vjeçari ka mundur të gjejë karta debiti dhe kodin e sigurisë,duke bërë dhe zbrazjen e numrave të llogarisë së personave. Dy ditë më parë policia mundi të ndalonte mirditorin Emiljano Merdhocit në ngarkim të cilit janë dokumentuar 16 vjedhje çantash të kryera prej tij.
VJEDHJET
Më datë 15.12.2007, në Rrugën e Dibrës, ka vjedhur çantën e nje shtetaseje, ku kishte 400 Euro, 1 telefon celular dhe sende të tjera personale
Më datë 18.01.2008, në Rrugën e Durrësit, ka vjedhur çantën e nje shtetaseje, ku kishte 300 000 lekë, 1 telefon celular, 1 aparat fotografik dhe sende të tjera personale
Me datë 19.01.2008, në rrugën "Maliq Muça", ka vjedhur çantën e nje shteteseje, ku kishte 40 000 lekë, 1 telefon celular dhe sende të tjera personale
Me datë 22.01.2008, në Rrugën e Durrësit, ka vjedhur çantën e nje shtetaseje, ku kishte 2000 lekë, dhe sende të tjera personale
Me datë 25.01.2008, në rrugën "Sulejman Pasha", ka vjedhur çantën e nje shtetaseje, ku kishte 10 000 lekë, 1 telefon celular dhe sende të tjera personale
Me datë 27.01.2008, në rrugën "Mihal Duri", ka vjedhur çantën e një shtetaseje, ku kishte 3000 lekë, 1 telefon celular dhe sende të tjera personale
Me datë 29.01.2008, në rrugën "Mihal Duri", ka vjedhur çantën e nje shtetaseje, ku kishte 85 000 lekë, 2 telefona celularë dhe sende të tjera personale
Me datë 11.02.2008, në Rrugën e Durrësit, ka vjedhur çantën e nje shtetaseje, ku kishte 2000 euro, 1 telefon celular dhe sende të tjera personale
- Me datë 08.02.2008, në Rrugën e Durrësit, ka vjedhur çantën e nje shtetaseje , ku kishte 10 000 lekë, 1 telefon celular dhe sende të tjera personale