E Shtunë, 31 Tetor 2026

Musine Kokalari, e rrëfyer përmes kumtesash

Figura e Musine Kokalarit si femër, shkrimtare dhe veprimtare e lëvizjes për emancipimin e shoqërisë shqiptare, i ka mbledhur studiuesit të flasin për të. Një konferencë shkencore e mbajtur në universitetin e Gjirokastrës, "Eqrem Çabej", kishte marrë përsipër të hidhte dritë në profilin e saj njerëzor, në vlerat e krijimtarisë artistike dhe kontributin në jetën shoqërore dhe politike. Një trajtim asnjëherë shterues. Ndonëse e botuar herë pas here, një pjesë e historisë së saj mbetet ende dorëshkrimeve, që sot ruhen nga familjarët e saj. Gëzim Sala, rektori i universitetit, në fjalën e tij e ka cilësuar shkrimtare disidente dhe një figurë emblematike, që edhe 26 vjet pas vdekjes së saj tragjike, mbetet ende e pazbuluar tërësisht në kontributin e saj nga institucionet shtetërore dhe shoqëria shqiptare. "Musine Kokalari jetoi dhe punoi në dy periudha krejtësisht të pavolitshme për gjendjen e saj të trefishtë: femër, shkrimtare dhe veprimtare politike. Përkatësia e saj gjinore në gjirin e një shoqërie tërësisht maskiliste, patriarkale dhe e prapambetur, ka caktuar që në nisje vendin e saj në pjesën e përvuajtur të njerëzve, në mesin e atyre që ishin dhe do të mbeteshin për mjaft kohë pjesa më e shpërfillur e shoqërisë, pa të drejta njerëzore e qytetare", niste kumtesën e tij Virion Graçi, pedagog i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Gjirokastrës. Studiuesit u janë referuar disa prej skicave të saj letrare si "Burri, shoku i qenit", "Paç fatin e të ligavet", "Mos qofshin vjehrrat e zeza" etj., si një sugjerim për të zbuluar dimension e saj artistik. Para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore që kishte mbërthyer edhe Shqipërinë, ajo ka shkruar një letërsi dhe ka lënë pas një krijimtari të pasur dhe krejt origjinale. Edhe gjatë diktaturës 50-vjeçare, ndonëse e burgosur, nuk rreshti së shkruari krijimtari letrare dhe studime në fushën e etnokulturës. Ndërsa pikënisjet e Musinesë në daljen e saj si protagoniste në jetën aktive ishin të mbara, të drejta dhe premtuese dhe për këtë arsye ajo gjykoi si më të përshtatshme lëvizjen dhe Partinë Social-Demokrate. Pikëpamjet e saj të moderuara liberalo-politike, humanizimi, aspiratat e saj të sinqerta dhe të qarta për drejtësi, u ndëshkuan keqaz nga diktatura komuniste. Në krijimtarinë e Musine Kokalarit studiuesit e jetës dhe krijimtarisë së saj gjejnë të pasqyruar jo vetëm normat zakonore, traditat apo kontrastet e shumta që karakterizojnë jetën familjare e sociale të rajonit jugor, por edhe njihet nga afër me historinë psikologjike dhe shpirtërore të njeriut bashkëkohës dhe nevojën e ndryshimeve të tij. Për kontributin e madh në studimin dhe vlerësimin e kulturës popullore, folklorit dhe traditave zakonore, prof.dr. Agron Xhangolli e cilësoi Kokalarin si studiuesen e parë shqiptare në fushën e etnokulturës. Ndërsa Gëzim Redhi, studiuesi i normave zakonore të prozës së Musine Kokalarit, thekson se ajo sjell një informacion të pasur e të larmishëm etnografik dhe kulturor. "Në fund të çdo rrëfimi apo cikli, shpesh kemi edhe një fjalor shpjegues që mendoj se më tepër se sa për nevojën e komunikimit gjuhësor, është tregues i pasionit këmbëngulës dhe i kërkimit të thellë deri në stërhollime lidhur me problemet e normave zakonore dhe riteve në aspekte të ndryshme të jetës së popullit", u shpreh Redhi. Ndërsa pedagoget Republika Çulli, Merita Gjokutaj dhe Spiridhulla Poçi evidentuan pjesë të profilit dhe individualizmit krijues të Musine Kokalarit, duke trajtuar edhe momente të përshkrimit të realitetit të dhimbshëm të jetës së vajzave shqiptare nëpërmjet një rrëfimi gati autobiografik, ku paraqiten disa stade të jetës së saj, si ëndrra, gëzime, hidhërime, lot etj. Studiuesit shkuan edhe më tej, duke e cilësuar Musine Kokalarin si një nga pionierët e lëvizjes së feminizimit në Shqipëri. Duke e vlerësuar Musine Kokalarin si një rast unikal i një disidenteje të guximshme dhe të vendosur në radhët e grave në gjithë Europën, gjatë vizitës së tij një muaj më parë në qytetin e Gjirokastrës, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, zoti Withers, u shpreh se "më ka ardhur jashtëzakonisht keq kur kam mësuar se ajo është dënuar, burgosur, internuar dhe persekutuar nga regjimi komunist për shkak të mendimit politik dhe krijimtarisë të saj ndryshe nga klishetë e imponuara nga regjimi i asaj kohe të vështirë". Në oborrin dhe mjediset e jashtme të shtëpisë, zoti Withers hodhi idenë që jo vetëm restaurimi do të ishte një shenjë respekti, por kjo shtëpi mund të kthehej në një muze për disidencën dhe rezistencën antikomuniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›