Grupi polifonik i Sarandës, koncert në Janinë
Grupi polifonik, "Zëri i Bilbilit", i qytetit të Sarandës, është ngjitur në skenën e Janinës. Të ftuar nga konservatori muzikor "Inoro", qendra kulturore dhe bashkia e këtij qyteti kanë mbajtur një koncert me krijime folklorike tradicionale. Ky koncert vjen si një bashkëpunim me konservatorin "Inoro", muzikantët e të cilit dhanë gjatë muajit tetor një koncert të përbashkët në kinoteatrin "Butrinti". Skena është mbushur me zëra dhe meloditë e kënduara në të dy gjuhët, shqip e greqisht, që janë pritur me emocion dhe duartrokitje nga të pranishmit. Grupi polifonik ka kënduar këngë të njohura si "Janina, shumë e bukur", "Llaj, llaj, çoban", "U bubu, o le-le" etj. Përveç spektatorit grek, koncerti u ndoq me shumë interes edhe nga 300 emigrantë shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Janinë dhe në rrethinat e saj, për të cilët pjesëmarrja e grupit "Zëri i bilbilit" në koncert ishte një takim i dëshiruar me vlerat e mirëfillta të folklorit tipik të jugut shqiptar.
Th.Nika
Th.Nika