E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditët e ftohta, kujdes problemet me kolitin

 

AIDA MALAJ

Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes dhe i ftohti, ndikon në shfaqjen e problemeve te personat që vuajnë nga koliti spastik. Arsyeja? I ftohti njihet si një nga shkaktarët e kolikave, atë barkut, pasi krijojnë spazma në aparatin tretës. Në të njëjtën kohë dihet që dieta, ndikon në aparatin tretës. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja gastro-hepatologe, Albana Duni, shpjegon si mund të parandalohen këto shqetësime dhe tërheq vëmendjen të tregoheni të kujdesshëm gjatë ditëve të ftohta, gjatë të cilave ndryshon regjimi ushqimor:
Doktoreshë, pse gjatë këtyre ditëve të ftohta shfaqen probleme tek të sëmurët me kolit spastik?
Lagështia dhe temperaturat e ulëta të këtyre ditëve ndikojnë në riakutizimin e të sëmurëve kronikë me kolit spastik. I ftohti është një nga shkaktarët e kolikave abdominale, sepse shfaqen spazmat në aparatin tretës me pasojë probleme për kolitin spastik. Gjatë ditëve të ftohta janë gati të zakonshme “ftohjet”, që ndikojnë dhe në acarimin e simptomave të kolitit spastik.
Po përsa i përket mënyrës së ushqyerjes që ju përmendët si një nga shkaktarët e rishfaqjes së sëmundjes?
Dihet që gjatë stinës së dimrit, ndryshon mënyra e ushqyerjes. Njerëzit tentojnë të konsumojnë ushqime të skuqura, me erëza, ushqime të nxehta, fast-foode, që janë të pasura me yndyrna dhe  me kalori. Të gjitha këto ushqime ndikojnë në gjithë aparatin tretës, duke sjellë probleme dhe për kolitin. Përveç kësaj, këto ditë që kanë qenë festat, njerëzit tentojnë të konsumojnë sa më shumë ushqime apo dhe alkool, gjë që ndikon në motorikën e zorrës, duke shfaqur shqetësime.
A ka ndonjë mënyrë se si mund të parandalohen këto probleme?
Mënyra më e mirë për të parandaluar këto probleme është të mënjanohen faktorët acarues. Kështu duhet kujdes ndaj të ftohtit, duke treguar kujdes në veshje, duhet të shmangni kalimin e menjëhershëm nga një ambient i ngrohtë në të ftohtë, dhe e anasjella. Këshillë tjetër që jepet në këto raste është kujdesi ndaj ushqimeve që përdoren. Nuk duhet abuzuar, duke prishur dukshëm regjimin ushqimor të përditshëm. Mundohuni të respektoni vaktet, duke ngrënë rregullisht mëngjes dhe të eliminohen disa produkte ushqimore që rrisin gazrat në zorrë, si lëngjet e gazuara, ushqimet e skuqura dhe pikante. Të bëhen disa ushtrime fizike për zonën e barkut, sepse kjo ndihmon në nxitjen e motorikës së zorrës. Eliminoni kaloritë ekstra në gatimet tuaja, domethënë duhet të reduktoni sasinë e yndyrnave dhe të konsumoni porcione të vogla ushqimesh. Pini sa më shumë ujë, duke pakësuar kështu nevojën për të përdorur pije të ëmbla, me konservante dhe me gaz. Mbani një aktivitet fizik të caktuar dhe reduktoni stresin. Një ndihmë tjetër do të ishte eliminimi i cigares për ata persona që e përdorin dhe kanë probleme me kolitin. Trajtimi tradicional përfshin rritjen e sasive të fibrave dhe përdorimi i antispazmodikëve për të zvogëluar krampet abdominale.

Shenjat

 dhimbje barku
 kapsllëk ose diarre
 fryrje e barkut
 gurgullima të zorrëve
 rëndimi në stomak
 ndjenjën e tretjes së ngadalësuar
 ndjenjën e rremë të defekimit
 të përziera apo të vjella

Shkaktarët

 stresi fizik dhe psikik
 regjimi ushqimor i papërshtatshëm
 hormonet e tubit tretës
 toksinat e mikrobeve të ndryshme
 i ftohti

Çfarë është sëmundja

Koliti spastik ose sindroma e zorrës së irrituar është shkaku numër një që një pacient drejtohet te specialisti gastro-enterolog. Kjo sëmundje përfaqëson një çrregullim të mirëfilltë të motorikës normale të zorrës, si pasojë e gjendjeve emocionale, dietës “(intolerancës ndaj disa ushqimeve si: ushqimeve të skuqura, alkoolit, qumështit, çokollatave, lëngut të domates, kafesë etj.), hormoneve të tubit tretës, toksinave të mikrobeve të ndryshme. Pacientët me sindromën e zorrës së irrituar mendohet që kanë një anormalitet të aksit “Tru-Zorre”, gjë që rezulton me një hipersensitivitet visceral, pra me një ndjeshmëri të shtuar të organeve tretëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›