E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, takim emergjent për krizën në Mitrovicë

 

Liderët vendorë dhe ndërkombëtarë të politikës, policisë dhe ushtrisë në Kosovë, janë takuar në një mbledhje emergjente të paparashikuar për të kërkuar një plan zgjidhje për situatën e rënduar në veri të vendit. Ata janë të vendosur të hedhin çdo hap për të parandaluar provokimet etnike dhe aktet destabilizuese në Mitrovicë. Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrat Hajredin Kuqi e Ramë Manaj, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, shefi i EULEX-it, Ive de Kermabon, komandanti i KFOR-it, gjenerali Gay, zëvendësi i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Fletcher Burton, si dhe përfaqësuesit e policisë së EULEX-it ishin së bashku në një tryezë me dyer të mbyllura. Sipas deklaratave pas mbledhjes, diplomatët politikë dhe ushtarakë kanë konstatuar, se është më se e nevojshme që të vazhdojë koordinimi i plotë i të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe institucioneve të Kosovës, në mënyrë që situata në veriun e vendit të mbahet nën kontroll dhe të parandalohen veprimet e atyre që kanë për qëllim destabilizimin dhe krijimin e tensioneve në vend. Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se reagimi i përbashkët i Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe forcave të KFOR-it ishte përgjigjja e përshtatshme ndaj provokimeve që nxisin tensione dhe destabilitet. Grupi i shumë aktorëve vendosi se nevojitet koordinim i veprimeve të së gjithë aktorëve në fushën e sigurisë. “Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të përmbahen ndaj provokimeve, që mund të vijnë nga ata që kanë për qëllim ndaljen e ecjes së Kosovës drejt proceseve të zhvillimit dhe perspektivës së gjithmbarshme. Ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që synojnë të prishin rendin dhe qetësinë në Republikën e Kosovës do të përballen me Policinë e Kosovës, me Policinë e EULEX-it dhe me forcat e KFOR-it, të cilat janë këtu për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, njoftoi pas takimit zyra e shtypit pranë Presidentit të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›