“Seksi dhe qyteti”, filmi i preferuar i shqiptarëve
Alma Mile
Nuk ka rëndësi nëse janë fitues oskarësh, apo jo. Publiku shqiptar ka shijen e vet dhe kjo nuk ndikohet fare nga trofetë, apo buja nëpër botë. Edhe pse janë duke bërë bilancet e vitit që shkoi dhe ende nuk mund të flasin me shifra të sakta, menaxherët e kinema “Millennium”, nuk e kanë të vështirë të thonë, se cilët ishin filmat më të ndjekur, ose jo gjatë vitit 2008. Tashmë është i njohur fakti që publiku preferon më së shumti filmat komedi, fantastiko-shkencorë, apo aksion, megjithatë, këtë herë rezultatet përmbysin çdo lloj vlerësimi jurie e akademie. Më i ndjekuri rezulton të jetë një film “rozë”, përmbledhja e një telenovele të shfaqur orëve të vona, ndërsa ndër më pak të ndjekurit filmat, që për një kohë të gjatë kanë ndenjur në majat e klasifikimit botëror. Edhe pse nuk ka fituar asnjë çmim nga 7 kandidaturat në seksione të ndryshme kinematografike, filmi më i suksesshëm në “Millennium” gjatë vitit të kaluar ishte “Sex and the City” (Seksi dhe qyteti) me regji të Michael Patrick King, ku luajnë katërshja e famshme e udhëhequr nga Sarah Jessica Parker, Kim Cantrall, Kristin Davis, Cynthia Nixon dhe pa harruar aktorin Chris Noth. Në kohën kur u shfaq në Tiranë pati nga ata që e quajtën “amoral”, megjithatë filmi i katër femrave të zhurmshme njujorkeze, kryeson listën e më të shikuarve. Nuk ka marrë asnjë çmim, megjithatë rezulton i dyti në listën e më të parëve, filmi i të famshmit Agjentit 007, “Quantum of solace” me regji të Marc Foster, ku interpreton James Bondi biond, Daniel Craig dhe Olga Kurylenko. Në listën e Top 5 është edhe romanca Lane-Gere “Nights in Rodanthe”, aventurat e heroit Batman dhe një tjetër film, që na çon 10 mijë vjet përpara Krishtit. Çudia vjen tek më të “këqijtë”. Tre nga 5 filmat më pak të ndjekur janë fitues të çmimeve Oskar dhe shumë çmimeve të tjera. Pas filmit që kryeson listën, “In the land of women”, vijon filmi i vëllezërve Coen, fitues i 4 çmimeve Oskar, “No country for old men” (Nuk ka atdhe për të moshuarit). Ndër pak të ndjekurit është edhe “Vrasja e Xhesi Xhejmsit”, ku luan Bred Pit, por edhe romantiku “Attonement”. Arsyet që diktojnë këtë rezultat janë nga më të ndryshmet. Sigurisht shija është një faktor i rëndësishëm. Mësohet se frekuentuesit më të rregullt të kinemasë janë nxënësit e shkollave, të cilët sigurisht janë të orientuar karshi filmave aksion, apo komedi, ndërsa numri i moshës së pjekur është i pakët. Por në Shqipëri, ku tregu kinematografik është ende i pakontrolluar, pirateria gjithashtu ndikon shumë në uljen e shikueshmërisë. Tanimë janë të njohura metodat e shkarkimit të filmave nga interneti, apo edhe marrja me qira e dvd-ve nëpër qendrat që merren me këtë biznes ilegal, shumë më parë se filmi të dalë në kinema. Kjo lloj piraterie, ul ndjeshëm numrin e shikuesve që shkojnë në kinema, pasi kushdo do të dëshironte të shihte një film në çdo orë, i rehatuar në ambientet e shtëpisë. Ka ndodhur që filma, që në kinematë botërore kanë korrur rekorde shikueshmërie, në Shqipëri, nuk kanë ndenjur më shumë se një javë në ekran. Blerësit nuk kanë mundur të justifikojnë çmimin që kanë paguar për të drejtat e shfaqjes. Por në shikueshmëri ndikon edhe koha në të cilën janë shfaqur. I shfaqur gjatë ditëve të tragjedisë së Gërdecit, “Atonement”, pavarësisht se është një nga filmat më të vlerësuar gjatë vitit 2008, nuk mund të tërhiqte vëmendjen e publikut shqiptar. Në një vend si Shqipëria, me një treg të papërfillshëm kinematografik, këto arsye janë të bollshme për të shënjuar fatin “shqiptar” të një filmi. Kjo është arsyeja pse drejtuesit e dy kinemave të vetme të kryeqytetit kërkojnë vazhdimisht mbështetjen e shtetit, ndërtimin e politikave, që nxisin hapjen e sallave të reja të kinemave dhe jo falimentimin e tyre.
Më të ndjekurit në 2008
1. “Sex and the city” me regji të Michael Patrick King, ku luajnë Sarah Jessica Parker, Kim Cantrall, Kristin Davis, Cynthia Nixon, Chris Noth.
2. “Quantum of solace” me regji të Marc Foster, luajnë Daniel Craig, Olga Kurylenko
3. “Nights in Rodanthe”, me regji të George C. Wolfe, ku luajnë Diane Lane, Richard Gere
4. “The Dark Knight”, regjia Cristophere Nolan, luajnë Christian Bale, Heath Ledger
5. “10.000 BC”, regjia Roland Emerich, luajnë Camille Belle, Steven Strait
Më pak të ndjekurit në 2008
1.”In the land of women”, regjia Jon Casdan
2. “No country for old men”, fitues i 4 çmimeve “Oscar”, 90 çmimeve të tjera dhe 36 kandidaturave. Regjia vëllezërit Coen, luajnë Tommy le Johnes, Javier Bardem
3. “The assassination of Jesse James”, 2 kandidatura “Oscar”, 12 çmime të fituara. Regjia Andrew Dominik, luajnë Brad Pitt, Mary-Louise Parker
4. “Bucket list”, regjia Rob Reiner, me aktorët Jack Nicholson, Morgan Freeman
5. “Atonement”, fitues i një çmimi “Oscar” dhe 23 çmime të tjera, me regji të Joe Wright, interpreton Keira Knightley