E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaza, masakër në shkollën e OKB-së, vriten 42 njerëz

 

Sulmet ajrore të Izraelit në Gaza kanë shkaktuar vdekjen e 42 personave, mes të cilëve dhe fëmijë në një shkollë të Kombeve të Bashkuara. Ky sulm pritet që më shumë se të tjerët e 11 ditëve të fundit, të tërheqë vëmendjen e Kombeve të Bashkuara për të vepruar kundër konfliktit të fqinjëve lindorë. Sulmi ndodhi në Xhabalia në veri të Gazës. Shumë njerëz ishin strehuar në këtë shkollë për t’iu shpëtuar luftimeve. Palestinezët thonë se afro 600 vetë janë vrarë që prej fillimit të ofensivave. Ndërsa Izraeli ka zgjeruar ofensivën tokësore në Gaza, mijëra të rinj nga vendet arabe janë përgatitur për të luftuar në mbrojtje të Gazës, duke u zotuar si kundërshtarë të vullnetshëm të “regjimit sionist” në rajon. Agjencitë shtetërore të lajmeve në Iran njoftuan se rreth 70 mijë studentë janë paraqitur vullnetarë për të kryer sulme vetëvrasëse me bomba kundër Izraelit, por presidenti Mahmud Ahmadinexhad nuk u është përgjigjur kërkesës së tyre për lejimin e sulmeve.  Lideri i studentëve, Esmail Ahmadi tha se studentët dëshirojnë të luftojnë kundër Izraelit dhe të ndihmojnë lëvizjen islamike Hamas. Ndërsa në Afganistan ligjvënësit njoftuan se rreth 2 mijë të rinj afganë janë të gatshëm të shkojnë në Gaza, për të mbrojtur palestinezët atje. Deklarata u bë pas një sesioni të veçantë parlamentar, ku u diskutua ofensiva izraelite në Rripin e Gazës. Më tutje, në kumtesë thuhet se nëse invadimi i territorit palestinez vazhdon, atëherë do të ketë “kryengritje në gjithë botën” nga “myslimanët kundër të pafeve”. Qindra njerëz kanë marrë pjesë në protestat aktuale në Afganistan kundër ofensivës izraelite. Ndërkohë Kryqi i Kuq ndërkombëtar ka njoftuar se Rripi i Gazës gjendet në krizë humanitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›