E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riberi i sugjeron Lorik Canën Klinsmanit

 

Jetmir Halilaj

Drejtuesit e Bajernit të Mynihut kanë filluar përgatitjen e terrenit për transferimin e mesfushorit shqiptar të Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, shkruante të martën media franceze. Përveç Canës, thuhet se skuadra bavareze synon të blejë edhe bashkëlojtarin e tij, Karim Ziani. Për këtë dyshe tashmë është planifikuar një shumë prej 25 milionë eurosh për Marsejën. Trajneri i Bajernit, Jurgen Klinsman e sheh Canën si zëvendësuesin e duhur për mesfushorin holandez, Mark Van Bomel, që ka refuzuar rinovimin e kontratës dhe në qershor do të rikthehet në kampionatin holandez. Strategu gjerman është adhurues i madh i lojës së Canës, ndërsa mësohet se ka gisht në këtë pazar edhe Frenk Riberi, një mik i madh i kosovarit. “Cana pëlqehet nga Klinsman. Ai ka forcë dhe është agresiv në lojë. Këto cilësi janë arsyet kryesore që ai mund të bëhet pjesë e Bundesligës”, shkruan ueb-faqja franceze “football.fr”. “Po ashtu Cana është rekomanduar te Bajerni nga miku i tij Riberi. Ky i fundit e ka ftuar Canën te skuadra bavareze”. Kreu i skuadrës bavareze i ka bërë të ditura synimet për edicionin e ardhshëm. Cana dhe Ziani pritet të jenë konfirmimet e para të drejtorit sportiv Uli Hënes. Cana 25-vjeçar është kapiten i Marsejës dhe ka kontratë deri në qershorin e vitit 2012. Për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare interesohen shumë skuadra evropiane si Arsenal, Everton, Roma, Sampdoria e Real Madrid. Cana ka regjistruar 35 paraqitje me fanellën kuqezi dhe ka shënuar 2 gola. Cana për shkak të një dëmtimi në gjurin e djathtë do të pushojë dhjetë ditë e më pas do t’i bashkohet grupit.
Skuadra e Marsejës këtë sezon në Ligën 1 renditet në vendin e pestë me 32 pikë, ndërsa ka siguruar pjesëmarrjen në garat e Kupës UEFA, ku përballë do të ketë ekipin holandez, Tvente. Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Velodrome”, më 26 shkurt.
Miqësia
Lorik Cana dhe Frenk Riberi kanë raporte shumë të mira mes tyre. Vetë mesfushori i Kombëtares shqiptare ka pohuar se ka shumë miqësi me yllin transalpin që nga koha kur luanin të dy te skuadra e Marsejës. Pas largimit të Didier Drogbasë dhe Frenk Riberisë, dy nga lojtarët më të spikatur të 10-vjeçarit të fundit të Marsejës, Cana konsiderohet si një nga xhevahiret e klubit francez, madje cilësohet si një nga lojtarët më të shtrenjtë. Media franceze bën të ditur se është pikërisht Riberi ai që po bën rolin e ndërmjetësit për kalimin e 25-vjeçarit shqiptar te kampionët e Gjermanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›